Tashmë është zyrtare! Muhamet Rrumbullaku është drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili vjen në këtë post pas shkarkimit të Gledis Nanos. Vendimi për emërimin e Rrumbullakut u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, teksa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se ai i plotëson të gjitha kriteret për të qenë drejtues i Policisë.
“Kanë filluar të ndihen rezultatet e Reformës. Rrumbullaku mban gradën e drejtuesit të parë në Piramidën e Policisë së Shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë në krye të Policisë së Shtetit”, tha Çuçi.
Prezantimi i tij do të bëhet ditën e sotme në orën 16:00, së bashku me kreun e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Ardi Veliu dhe drejtoreshës së re të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjet së Territorit (IKMT), Dallëndryshe Bici.
Kush është Muhamet Rrumbullaku?
Muhamet Rrumbullaku u lind më 1 shkurt 1966 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, ndërkohë që është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010. Gjithashtu ka edhe një Master Profesional në vitin 2011.
- Rrumbullaku ka patur një karrierë të gjatë në këtë profesion. Nga data 24/03/2022 me propozim të Ministrit të Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, Kryeministri Edi Rama e ka emëruar si Drejtor i Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Më parë ai ka mbajtur pozicione drejtuese në policië e shtetit. Nga data 17/01/2019 deri më 23/03/2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ka mbajtur postin e Këshilltarit në Kabinetin e Ministrit të Brendshëm, ka mbajtur postin e Shefit të Seksionit për trajnimin dhe shkollimin e nivelit të mesëm e të lartë Drejtues, në Qendrën e Formimit Policor e shumë pozicione të tjera.