Një ndeshje që kalon nëpërmjet një episo di. Vendimtar dhe pa dyshim justifikon postimin e Leonardo Bonuçit që dje në profilin personal shkruante: “Mërzia duhet shndërruar në energji për Champions-in. Të dielën u plaçkitëm, por të mërkurën do të nevojitet kontributi i të gjithëve”. Fjalë kapiteni dhe mërzi për një gabim që nuk duhet të ndodhë në epokën e VAR-it edhe në intervistën që mbrojtësi dha për rrjetin “Dazn”.
Si e gjykoni golin e anuluar?
Si kapiten m’u dha shpjegimi se isha në pozicion jashtë loje aktiv. Por pozicioni im nuk ndikoi te ndërhyrja e portierit rival, i cili nuk do ta kishte pritur kurrë goditjen e Milikut. Rregullorja është e qartë për këto raste, por nuk u zbatua. Aq më tepër që pozicioni i Kandrevës më mbante në lojë. Sidoqoftë, se çfarë ka ndodhur në VAR nuk do ta marrim vesh kurrë.
Një gol që do të vlente edhe për moralin.
Jo vetëm. Po ta keni parë mirë do të vini re që mbrojtësi i Salernitanës më ka tërhequr aq shumë fanellën sa unë nuk dallohesha më që isha lojtar i Juventusit. Minimalisht duhej dhënë një penallti.
Duke lënë mënjanë gabimet arbitrare, duhet thënë se ne mund dhe duhej të kishim bërë më shumë. Nëse vazhdojmë të luajmë si në pjesën e parë nuk do të arrijmë asgjë sivjet. Nëse luajmë si në të dytën, atëherë do të themi edhe ne fjalën tonë në këtë kampionat.
Përse, sipas jush, repartet ishin aq të distancuara?
Ka disa sezone që ndeshjet tona karakterizohen nga ulje-ngritje. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe nuk është problem individual. Nuk e kemi luksin t’u dhurojmë rivalëve një pjesë loje. Kur je te Juvja nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç fitores. Duhet ta kuptojmë të gjithë sepse nëse repartet ndahen, do të thotë që nuk po luajmë si skuadër. Dallimi i Juves ka qenë gjithmonë te mendësia dhe lidhet ngushtë me fitoren.
Përse nuk është zgjidhur ende ky problem?
Kemi ndryshuar shpesh në vitet e fundit, ka pasur një ndryshim brezash dhe është e vështirë të kuptosh peshën e kësaj fanelle. Nuk mund ta lejojmë kurrë të mos japim maksimumin, shpresoj që kjo ndeshje të shërbejë si një mësim.
Shpesh problemet lindin në korsitë anësore sepse në qendër Juvja duket solide.
Faji nuk është i njërit apo i tjetrit, në mbrojtje duhet të ndihmojmë të gjithë. Pësuam dy gola që ishin shumë të lehtë për një ekip si yni, duhet të kuptojmë që çdo top është më i rëndësishmi.
Çfarë nevojitet kundër Benfikës?
Që nga fillimi i sezonit kemi thënë shumë herë se duhet diçka më shumë, është një moment në të cilin duhet të vendosim një vijë dhe të ndryshojmë. Kur vesh këtë fanellë duhet të jesh konstant. Është e vërtetë që kemi ndryshuar shumë, por nuk mund të kërkojmë alibi. Ne kemi nevojë për cinizëm, dëshirë për të luftuar për çdo top dhe dukshëm kjo na ka munguar. Dhe këtë duhet ta tregojmë me çdo kusht kundër Benfikës, një ndeshje që duhet të shfryjmë vrerin e gabimit në kampionat.