Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar pas lajmit të publikuar në disa media shqiptare, për ndërrimin e godinës, për shkak se rruga përballë saj u emërua “Ukraina e Lirë”.
Por ambasada ruse thotë në një reagim në Facebook se pretendime të tilla janë të pavërteta. Ambasada thotë se zhvendosja ka nisur në vitin 2019 por është vonuar për shkak të pandemisë.
Rruga përballë ambasadës ruse në zonën e ish-Bllokut mori emrin “Ukraina e Lirë” si dhe u dekorua me flamuj të Ukrainës në shenjë demonstrimi për pushtimin rus të Ukrainës.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me publikimin në një sërë mediash shqiptare të informacioneve jo të besueshme për zhvendosjen e pretenduar të Ambasadës Ruse në Shqipëri në një godinë të re për arsye të riemërtimit të rrugës, njoftojmë sa më poshtë:
Ndërtesa e re e Ambasadës, e pajisur për zyrën e misionit diplomatik, u përgatit dhe u hap solemnisht në prani të gazetarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë në shtator të vitit 2019. Megjithatë, zhvendosja e plotë u realizua vetëm në qershor 2022, për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë.
Në të njëjtën kohë, MEPJ-së shqiptare i është dërguar një njoftim zyrtar për zhvendosjen e zyrës së Ambasadës dhe adresa e re është publikuar në rrjetet sociale.
Do të dëshironim që tani e tutje, përpara publikimit të informacioneve lidhur me punën e misionit tonë diplomatik, gazetarët të kontaktojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Ambasadës për një informacion të besueshëm.