Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar mbi vrasjen e ish-luftëtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi.
Përmes një statusi në Facebook, kreu i shtetit të Kosovës shkruan se vrasja ishte tronditëse për të dhe gjithë Kosovën, ndërsa i bëri thirrje institucioneve që të zbardhin sa më parë ngjarjen.
Thaçi siguroi se Kosova do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për ta zbardhur këtë vrasje mizore.
“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. I bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe ligjit, që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejtë që është e mundur dhe kryesit e saj të vendosën para drejtësisë. Familjes Kelmendi dhe gjithë bashkëluftëtarëve të Qerimit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke i siguruar se do t’i përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur kë të vrasje mizore”, shkroi Thaçi.
Tronditet Kosova/ Vritet dhe digjet në makinë ish-ushtari i UÇK-së
Sot në orët e para, pas mesnate u gjet i vrarë Qerim Kelmendi, vëllai i anëtarit të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi.
Qerim Kelmendi pasi ishte ekzekutuar ishte djegur nga autorët në makinën e tij rreth 300 metra nga shtëpia në fshatin Llabjan, të Pejës.
Nga ana e saj, policia përmes një njoftimi për shtyp, shkruan se fillimisht ishte njoftuar për një makinë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës, por më pas është konstatuar edhe një viktimë i cili rezultoi se ishte ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi. “Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku ka vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, ka bërë të ditur policia.
Gjithashtu, policia ka sqaruar rrethanat në të cilat është gjetur i vrarë e më pas i djegur viktima. Viktima ishte një prej ushtarëve të parë të UÇK-së, mik i heroit Ilir Konushevci. Qerimi ishte vëllai i Ibrahim Kelmendit, njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës.Kelmendi ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe fliste shpesh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës.
Kelmendi njihej po ashtu dhe si kritikues i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në Lavatriçe të udb-ashve, titistve, rankoviqistve, rugovistve, pastaj, të qyqarëve, dezertorve dhe sabotatorve te luftës! Këtë farë të keqe e ka mbjellur, kultivuar, rritur dhe korrur UDB dhe KOS! Janë shumë… !”, kishte shkruar Qerimi në Facebook.
Atentati në Pejë, Qerim Kelmendi kërkoi dosjen e vrasjes së shokëve në Shqipëri
Kosova, që është tronditur mëngjesin e sotëm nga vrasja e Qerim Kelmendit, vijon të kërkojë gjurmët e atentatorëve të ish-ushtarit të njohur të UÇK-së. Ka pak të dhëna që e tejkalojnë atë vrasje makabre që lidhet me një nga atentatet më të bujshme të ndodhura në Kosovë kohëve të fundit. Sipas të dhënave të para bëhet me dije se janë marrë dëshmitë e familjes së viktimës, janë verifikuar lëvizjet dhe të gjitha përplasjet publike që ai ka patur kohëve të fundit.
Në mediet vendase po flitet shumë në lidhje me një reagim të tij të mbajtur në llogarinë e tij në Facebook ku ai vazhdon të mbrojë një kritikues të ashpër të Ibrahim Rugovës. Po ashtu këto media nuk janë ndaluar në gjurmimin e të dhënave që vijnë nga aktiviteti i tij i pasluftës, ku ai herë pas here ka kërkuar që të zbardhen vrasjet e shokëve të tij. Madje ai hodhi akuza të forta edhe kundër Shqipërisë pasi pretendonte se dosja e vrasjes së dy miqve të tij gjendeshin të kyçura në arkivat tona.
‘Insajderi’ ka botuar një letër të plotë që tregonte se si viktima e mbrëmshme ka bërë publike duke kërkuar që të merrej dosja në Shqipëri atje ku fshiheshin të vërtetat e vrasjes së miqve të tij. Kelmendi dikur kishte zbuluar detajet rreth vrasjes të ish-figurave kryesore të luftës, që ndërlidheshin edhe me politikën.
Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi kishte folur edhe për vrasjen e Ilir Konushevcit, një prej miqve të tij më të mirë të kohës së luftës. Madje aso kohe ai kishte hedhur akuza të forta ndaj shtetit shqiptar, duke shkruar se dosja e vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës është e blinduar në arkivat e Shqipërisë. Kjo, sipas Kelmendit ishte bërë me urdhër të Fatos Nanos.
Për vrasjen e tij kanë qenë të shumtë personat që kanë reaguar. Vëllai i tij ka bërë njoftimin e hidhur të vrasjes së Qerimit ndërsa reagimi ka nga shqiptarë të ndryshëm nga gjithë bota. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen ndërkohë i ka bërë thirrje shtetit që të zbardhi sa më parë ngjarjen e rëndë.
Po kush është Qerim Kelmendi sipas medieve të Kosovës
Bashkë me vëllanë e tij, Ibrahim Klemendin, ishte një ndër themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës që më pas ishte shndërruar në Ushtri Çlirimtare të Kosovës. Qerim Kelmendi gjatë kohës që kishte shërbyer në LPK ishte njohur me nofkën “Shpirtmadhi”, ndërkohë në gjatë shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte njohur me nofkën “Dema”.
Gjatë viteve të `90 kishte jetuar në Shqipëri me mision për krijimin grupeve të rezistencës së Kosovës dhe UÇK’-së deri në vitin 1999 kur edhe kishte përfunduar lufta. Po ashtu Qerim Kelmendi ishte plagosur në vitin 1996 gjatë një përplasje me forcat serbe.Ai madje ishte edhe një prej emrave që përflitej për organizimin e vrasjeve të pasluftës në Kosovë, pasi u akuzua publikisht në Klan Kosova nga dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti.
Madje Mehmeti kishte akuzuar Qerimin bashkë me vëllanë Ibrahim Kelmendin se kanë dhënë urdhër për vrasjen e deputetit të LDK-së Smajl Hajdarajt dhe kolonelit Tahir Zema. Këto akuza Qerimi i kishte përqeshur duke i cilësuar si një telenovelë. “Telenovela që po tjerët qe 10 vite ! E paska zbulue Makinën ne Avull !”, kishte thënë Qerim Kelmendi në vitin 2018.
Në profilin e tij në ‘facebook’, Qerim Kelmendi është marrë në mënyrë aktive me ngjarjet e viteve 90-ta, UDB-ën, vrasjen e Ilir Konushevcit dhe me ngjarjet e familjes Haklaj nga Tropoja. Së fundi Qerim Kelmendi i kishte dalë në mbrojtje të Nasim Haradinajt pas akuzave të këtij të fundit ndaj Ibrahim Rugovës për tradhti. n.k/Fjala.al/