Nga Spartak Ngjela ekskluzivisht për Fjala.al
- Sot ne konstatojmë se në lidhje me politikën aktuale në Shqipëri, si zhvillim, si akuzë apo si reformë; këto janë aspektet e kësaj gjendjeje:
Rama në Moskë; ambasadorja amerikane që pranon qëndrimin politik të Kryeministrit shqiptar në Moskë; Meta në vijimin e kërkesës për kryengritje; por edhe goditja e tij kundër ambasadores amerikane, përse kjo lartësoi paraqitjen e tij kundrejt ministrit të Jashtëm rus, Lavrov.
A janë të lidhura këto aspekte në një arsyetim të vetëm, me koneksion politik?
Të gjitha këto aspekte janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe, bashkërisht, sjellin tablonë e qartë të asaj çka ndodh sot në Shqipëri; në sipërfaqe dhe më thellësisht në politikën shqiptare plot konflikte.
Rama ishte në Moskë, në një vizitë si kryetar i radhës i OSBE-së, por opinioni publik shqiptar, si fillim, nuk kuptoi dot gjë: ku mbaronte interesi i OSBE-së dhe ku fillonte interesi shqiptar në ato çka tha Kryeministri Rama në Moskë;
Vizita e Ramës në Moskë kishte pikëpyetje drejt dyshimit të tij, i cili si arsye politike e kundërshtarëve, nuk e përjashtonte rastin se në Moskë mund të kërkonte ndihmë kundër influencës amerikane dhe të BE-së në politikën shqiptare. Rama, befas, doli nga kjo lojë pikëpyetjeje dhe, me qëndrim të saktë, na duket se e rrëzoi përfundimisht oreksin rus për ta bërë me vete politikën shqiptare.
Nga ato që janë thënë në lidhje me takimin Rama – Lavrov kuptojmë se ministri i Jashtëm rus me një retorikë politike, gati sovjetike, i ka thënë Kryeministrit shqiptar: “Ju nuk jeni të pavarur, por të dominuar nga politika amerikane dhe ajo e Brukselit”. Rama, që siç duket ka qenë i përgatitur, i është përgjigjur me një koncept juridik alla anglosakson: “Ne nuk jemi të dominuar, por të anëtarësuar sipas kërkesës sonë edhe kundrejt Uashingtonit, edhe kundrejt Brukselit”. Me anë të kësaj, Rama theksoi: “Ky është fati ynë që e kemi kërkuar me shekuj”.
Në fakt, pavarësisht nga rezervat që unë personalisht kam pasur ndaj Kryeministrit shqiptar, përgjigjja botërisht që ai i dha ministrit rus, Lavrov, mbart brenda vetes gjithë historinë e tragjedisë shqiptare, e cila origjinën thelbësore e ka në Moskë, në 200 vjet.
Ajo që ra pastaj nën sy, është fakti se ambasadorja amerikane, që e ndjek historinë si politikë amerikane në Ballkanin Perëndimor, u përgjigj flakë për flakë në mbështetje të plotë të qëndrimit shqiptar kundrejt politikës ruse.
E gjithë kjo, vjen dhe përqendrohet te një pikë: te konflikti ruso-amerikan në Ballkanin Perëndimor. Dhe, Kryeministri shqiptar tregoi të paktën me diksion kombëtar se në këtë konflikt Shqipëria nuk është me Moskën, por me Uashingtonin.
- Në funksion të kësaj gjendjeje prezente në politikën dhe vijimin historik të çështjes shqiptare, spikat sërish Meta në vijimin e kërkesës për kryengritje me teorinë: “Do të shpëtojë Shqipërinë nga një grusht shteti”.
Në një vizion të qartë politik “grushti i shtetit” që paralajmëron Ilir Meta e ka një figurë: ai është “mulliri i erës”. Por, kjo lëvizje fantazmë pati një dëshpërim momental të Presidentit Meta, në funksion të politikës amerikane, në lidhje me qëndrimin e Kryeministrit shqiptar në Moskë. Po ta shikosh me një vëmendje, në një analizë objektive, e kupton se Ilir Meta ka marrë një goditje indirekte nga politika amerikane për pritshmërinë e tij, në atë që kërkon të kryejë në datën 2 mars të këtij viti.
I ndodhur në këtë gjendje, Meta goditi ambasadoren amerikane drejtpërsëdrejti për vlerësimin që ajo i bëri përgjigjes politike të Kryeministrit shqiptar në Moskë.
Kuptohet se e gjithë lëvizja “Meta”, për llojin e tij të kryengritjes në shpëtim të Kushtetutës shqiptare, në thelb ka qenë dhe është një “betejë” e zbehtë kundër politikës amerikane dhe qëndrimit të saj antikorrupsion në Shqipëri.
- Të gjithë këto aspekte, të lidhura siç i analizuam më lart, përbëjnë sot epiqendrën e politikës shqiptare nga domethënia e aspekteve të mësipërme, ashtu siç i analizuam.
Nga kjo arsye, konkludojmë se politika amerikane nuk e mbështet lëvizjen “Meta” dhe sigurisht që pritet ta godasë. Meta, i acaruar, e kuptoi që do të goditej nga lëvizja indirekte e ambasadores amerikane. Sepse, Meta doli blof në hamendjen e tij fëminore kur i tha opinionit publik se lëvizjet politike të Kryeministrit shqiptar janë të drejtuara nga UDB-ja serbe, domethënë nga Moska.
Ky ishte dështimi i radhës në politikë i Metës, i cili sigurisht që nuk e lejon të shkojë më tej për të vijuar rrugën në mposhtje të “mullirit të erës”. Grushti i shtetit në këto çaste mbeti një fëmijë jetim.
Kurse Kryeministri shqiptar, befas, duket sikur ka filluar një lojë të re për të mbështetur politikën amerikane në favor të Shqipërisë dhe kundër hegjemonisë ruse në Ballkanin Perëndimor.
Mendimi sovjetik i ministrit të Jashtëm rus për pozicionin e Shqipërisë duhej goditur dhe vlerën e ka, se u godit në Moskë.
Po Rama, a do ta vazhdojë këtë rrugë apo sërish do të jetë me dritëhijet e deritanishme?
E vetmja rrugë kundër influencës ruse është reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Tani dihet botërisht se politika ruse në zona të tilla mbështetet te korrupsioni shtetëror, por ambasadorja amerikane, domethënë politika amerikane, na dha shpresë se mazhoranca aktuale do ta çojë deri në fund luftën kundër influencës ruse dhe drejt reformës në drejtësi e luftës antikorrupsion.