A është kjo përplasja finale mes Ramës dhe Metës?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një historik i përballjes së dy figurave më të spikatura të së majtës, që nisin me bashkëpunimin e tyre, përplasjen, intrigat, sulmet dhe akuzat për të ardhur në aktin final të 2 marsit

Nga Bardhi Quku

Ilir Meta dhe Edi Rama, dy figurat më kontroverse të së majtës shqiptare, kanë rrugëtuar së bashku në politikën e tranzicionit përmes bashkëpunimit, përplasjeve, intrigave, simpatisë dhe urrejtjes ndaj njëri-tjetrit në vazhdimësi.

Ata ndeshen për herë të parë në palestrat e klubit të Dinamos në vitin 1988, ku njëri ishte basketbollist i Dinamos dhe tjetri peshëngritës. Të dy në sporte të ndryshme, me mentalitete të ndryshme, por pa ndonjë perspektivë në këto disiplina. Megjithatë, ata do të kishin sukses në një tjetër sport, që është luajtur fort përgjatë viteve të tranzicionit, më shumë se çdo sport tjetër, në atë të politikës.

Aty ata do të bashkëpunonin, ndesheshin dhe do t’i ngulin “thikën” njëri-tjetrit. Meta dhe Rama do ta gjejnë sërish njëri-tjetrin në fushën e politikës diku rreth fillimit të viteve ‘90, kur Rama mbante staturën e publicistit dhe pedagogut në Akademinë e Arteve, ndërsa Meta atë të deputetit të Partisë Socialiste.

Në këto 30 vite ata kanë ditur të ndajnë “tepsinë” e pushtetit, por dhe kanë luftuar për asgjësimin politik të njëri-tjetrit.

Më 2 mars Ilir Meta, aktualisht president, ka thirrur njerëzit në protestë kundër qeverisë së drejtuar nga Rama dhe kjo duket se do të jetë përplasja finale mes tyre.

Rama po konsumon vitin e fundit të mandatit të dytë qeverisës në një klimë aspak të favorshme, në një krizë të gjatë politike, ku opozita prej një viti gjendet jashtë parlamentit dhe jashtë pushtetit vendor. Ndërsa Meta po rrezikon mandatin presidencial për karrierën e mëtejshme politike duke i shpallur luftën e re ish-aleatit të tij me të cilin qeverisën mandatin e parë të Ramës, 2013-2017 dhe me të cilin e lidh një histori e gjatë e pangjashme.

Historiku i një marrëdhënie miqësie- armiqësie

Për herë të parë ata do të ulen në një  takim zyrtar midis tyre, në prill të vitit 1998. Në atë kohë, Ilir Meta dhe Edi Rama kishin hyrë në qeverinë e Fatos Nano, ku Rama mbante postin e ministrit të Kulturës, ndërsa Ilir Meta atë të Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme. Kjo periudhë mendohet të jetë edhe ngjizja politike midis dy figurave që shumë vite më pas do të dominonin të majtën shqiptare dhe skenën politike.

Drejtimi i Partisë Socialiste do të ishte trofeu që të dy do të synonin fort për ta fituar. Ata do të bënin gjithçka në luftën për pushtet, ndonëse fillimet e tyre janë shumë miqësore duke krijuar një dyshe karizmatike brenda Partisë Socialiste.

Në këtë mënyrë, Ilir Meta dhe Edi Rama po shndërroheshin në një ‘kërcënim’ real për Fatos Nanon. Në tetor të vitit 1998, pas Fatos Nanos vjen në krye të qeverisë Pandeli Majko. Ilir Meta do të jetë numri dy i kabinetit. Ndërsa Edi Rama vijon të drejtojë Ministrinë e Kulturës. Ilir Meta dhe Edi Rama dukeshin aq të pandarë nga njëri-tjetri, aq sa në vitin 1999 Ilir Meta, tashmë në postin e kryeministrit do të riemëronte Edi Ramën në postin e ministrit të Kulturës.

Megjithatë, Edi Rama duket se ruante të fshehur ambiciet e tij, teksa i hedh sytë nga Bashkia e Tiranës. Në tetor të vitit 2000, Edi Rama merr mbështetjen e Ilir Metës dhe vetë Fatos Nanos.

Edi Rama ia del të fitojë zgjedhjet përballë Besnik Mustafajt. Tashmë Ilir Meta dhe Edi Rama do të kishin në duart dy pushtetet më të mëdha të vendit, njëri Kryeministrinë dhe tjetri Bashkinë e Tiranës. Këtë pushtet Edi Rama do ta shfrytëzonte më së miri duke marrë fonde nga qeveria Meta për të transformuar Tiranën.

Kjo periudhë shënon edhe kulmin e marrëdhënieve midis dyshes, Meta-Rama. Ata do të shfaqeshin së bashku edhe në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, duke lënë gjithnjë e më në hije Fatos Nanon. Por do të ishte Fatos Nano ai i cili do të ngjitej sërish në pushtet, gjë të cilën Ilir Meta nuk do ta kapërdinte lehtë. Këtu nis edhe kërcitja mes Ilir Metës dhe Fatos Nanos, ndërsa nga ana tjetër forcohej lidhja e tij me Edi Ramën.

Megjithatë, një takim në Korfuz midis Ilir Metës dhe Fatos Nanos në majin e vitit 2002 do ta kthente përmbys situatën. Në atë takim Ilir Meta vihet në dijeni se Fatos Nano kishte zhvilluar një takim të fshehtë edhe me Edi Ramën. Kjo ishte si një ‘thikë pas shpine’ për Ilir Metën, gjë e cila shënon edhe krisjen e parë me Edi Ramën.

Ilir Meta do të ngushëllohej me zgjedhjen e tij si zëvendëskryeministër në qeverinë Nano në vitin 2003. Megjithatë, ai nuk do ta kishte të gjatë në këtë post pasi përplasja tashmë kishte filluar të trazonte të gjitha ujërat e së majtës, ku synohej drejtimi i Partisë Socialiste. Pavarësisht kësaj përplasjeje Edi Rama merr mbështetjen e Ilir Metës në vitin 2003, për të rikandiduar në krye të bashkisë së Tiranës.

Në këtë kohë Edi Rama bëhet anëtar i Partisë Socialiste, duke treguar tashmë se qëllimi i tij ishte drejtimi i kësaj force politike. Në dhjetorin e vitit 2003, kur u mbajt edhe Kongresi i Partisë Socialiste Edi Rama garoi përballë Fatos Nanos.

Ndërkaq, Ilir Meta tha hapur publikisht në Kongres se nuk e kishte pasur synim për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste edhe pse përplasjet brenda së majtës i cilësoi në atë kohë si gjueti shtrigash. Fatos rizgjidhet në krye të selisë rozë, ndërsa fillon ndarja e dyshes Rama-Meta.

Qershori i vitit 2004 shënon edhe fundin e Ilir Metës brenda Partisë Socialiste. I gjendur i përjashtuar nga selia rozë, Ilir Meta krijon Lëvizjen Socialiste për Integrim në 6 shtatorin e vitit 2004.  Nga ana e tij, Edi Rama e mbështet veprimin e Ilir Metës, edhe pse në distancë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Lëvizja Socialiste për Integrim do të luante një rol të rëndësishëm duke i shkaktuar edhe humbje Partisë Socialiste. Pasi humb zgjedhjet Fatos largohet edhe nga drejtimi i Partisë Socialiste. Në tetorin e vitit 2005, Edi Rama merr kryesimin e Partisë Socialiste. Ai i shtrin dorën e bashkëpunimit Ilir Metës.

Në vitin 24 maj të vitit 2006 Ilir Meta i bashkohet Edi Ramës duke krijuar koalicionin opozitar. Ilir Meta dhe Edi Rama rikthehen sërish së bashku për të konkurruar për zgjedhjet vendore të 20 shkurtit të vitit 2007.

Të dy fitojnë bashkitë më të mëdha në Shqipëri. Megjithatë, ky ribashkim nuk do të zgjaste shumë midis tyre.

Në vitin 2008, Edi Rama hyn në marrëveshje me kryeministrin e asaj Sali Berisha duke kryer ndryshimet kushtetuese. Ilir Meta reagon duke hyrë në grevë urie brenda Parlamentit dhe akuzonte në bllok Edi Ramën dhe kryeministrin Berisha. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 Ilir Meta dhe Edi Rama do të hyjnë të ndarë në zgjedhje, ku Partia Socialiste do të humbiste në garën e saj për të ardhur në pushtet.

Atë që bëri Edi Rama në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese, do ta bëjë Ilir Meta, i cili do t’i bashkohet thirrjes së Berishës pas zgjedhjeve të vitit 2009, për të ndërtuar koalicionin qeverisës deri në vitin 2013.

Edi Rama filloi sulmet ndaj Ilir Metës se kishte tradhtuar 83 mijë zemrat e socialistëve, ndërsa akuzon Sali Berishën se kishte vjedhur zgjedhjet e 2009-s. Edi Rama rikonfirmohet në krye të Partisë Socialiste kur përballë kishte një kandidat si Maqo Lakrori.

Kryesocialisti kërkon hapjen e kutive duke protestuar në rrugë. Protestat e vazhdueshme të Edi Ramës do të kulmonin në 21 janarin e vitit 2011, të cilave u parapriu skandali i videos Meta-Prifti, ku Ilir Meta asokohe shfaqej duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro. Nga ana tjetër, Edi Rama kërkon arrestimin e Ilir Metës dhe nxjerr njerëzit për të protestuar më 21 janar 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues.

Lexo edhe :  "Pa u tharë floku i viktimave të Gërdecit, Berisha firmosi marrëveshjen rrënuese!"

Kjo është periudha kur Ilir Meta dhe Edi Rama kanë arritur kulmin e përplasjes së ashpër midis tyre. Për këtë arsye, Ilir Meta bën të pamundurën në zgjedhjet vendore të 2011-s që të largonte Edi Ramën nga posti i kryetarit të bashkisë, ku përballë do të kishte Lulzim Bashën.

Ky i fundit fitoi pas një përballje të gjatë në Kolegjin Zgjedhor dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Edi Rama la bashkinë e Tiranës dhe filloi të investohej gjithnjë e më shumë në krye të Partisë Socialiste, ndërsa Ilir Meta fitoi pafajësinë në Gjykatën e Lartë.

Gjuha e ashpër midis njëri-tjetrit kishte filluar të zbutej dhe të dy po jepnin shenja se komunikimi si dikur mund të fillonte shpejt.

Aleanca e “ngjalave”

Në 1 maj të vitit 2012, bash në vilën e Ilir Metës në Gjirin e Lalëzit do të konsumohet ajo që do të njihet botërisht si ‘darka e ngjalave’. ‘Darka e ngjalave’ zbuti të gjitha përplasjet, akuzat, dhe gjithçka që Ilir Meta dhe Edi Rama i kishin thënë njëri-tjetrit.

Si për ironi të fatit të tyre politik, Edi Rama dhe Ilir Meta do të zgjidhin 1 prillin e vitit 2013, Ditën e Gënjeshtrave, për të firmosur koalicionin e tyre parazgjedhor.

Lideri i Partisë Socialiste dhe ai Lëvizjes Socialiste për Integrim po nisnin sërish një rrugëtim të ri së bashku për të ardhur në pushtet, duke lënë pas gjithë luftën e tyre politike.

Ata do të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 duke nxjerrë në pension Sali Berishën, me 1 milion shuplaka, siç i cilësoi Edi Rama atë kohë votat e shqiptarëve.

Koalicioni fitues siguroi 83 mandate. Edi Rama merr postin e  kryeministrit, ndërsa Ilir Meta atë të kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, edhe ky ribashkim i ri krijonte shumë pak besim tek ata që e njihnin mirë të shkuarën e tyre politike.

Shumë shpejt Edi Rama dhe Ilir Meta filluan goditjet poshtë brezit. E tillë ishte edhe skandali CEZ-DIA ku Ilir Meta akuzohej se ishte përfshirë në korrupsion përgjatë viteve 2010-2011. Koalicioni qeverisës mes Ilir Metës dhe Edi Ramës do të ishte një ‘martesë’ e vështirë dhe tejet e sforcuar.

Kjo u vërejt pas zgjedhjeve të 2015-s. Një nga pikat ku Rama dhe Ilir Meta do të përplaseshin midis tyre ishte edhe reforma në drejtësi. Nga njëra anë faktori ndërkombëtar kërkonte miratimin e kësaj reforme ndërsa nga ana tjetër, në publik po krijohej ideja se Ilir Meta ishte kundër kësaj reforme.

Kjo ide u përforcua aq shumë sa edhe Edi Rama e pranoi hapur se me reformën në drejtësi, filloi edhe krisja e koalicionit.

Kjo e detyroi Ilir Metën të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme në cilësinë e kryetarit të Kuvendit duke theksuar se ishte gati të bënte burg vetëm të arrihej një kompromis politik.

Ilir Meta dhe Edi Rama mbyllën mandatin qeverisës 2013-2017 me shumë sforco, gjë e cila tregonte mosbesimin e thellë midis njëri-tjetrit. Ndërkohë Lulzim Basha do të niste protestat duke kërkuar largimin e Edi Ramës. Ilir Meta del në krah të kryedemokratit.

Përplasja institucionale

Këtu ndërhyn sërish Edi Rama i cili e degdis Ilir Metën në presidencë, duke e zgjedhur atë në krye të shtetit më 28 prill të vitit 2017.

Meta po shkonte drejt një posti, me kompetenca shumë të kufizuara si pasojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Më pas Edi Rama ul në tavolinë edhe Lulzim Bashën më 17 maj të po këtij viti, ku Basha do të kishte vetëm qeverinë teknike, por me Ramën kryeministër. Rrugët e Edi Ramës dhe Ilir Metës ishin ndarë sërish.

Edi Rama do të shkonte i vetëm në zgjedhje, duke kërkuar Timonin dhe Tepsinë, dhe pa LSI-në. Nga ana e tij, Ilir Meta i trembej një koalicioni Rama-Basha, por në fakt, kryesocialisti fitoi dhe mori të gjithë pushtetin i vetëm në zgjedhjet e 25 qershorit, duke nxjerrë jashtë loje LSI-në dhe PD-në.

Tashmë, Edi Rama, kryeministër dhe Ilir Meta president përplasen në front institucional. I  pari fillon Ilir Meta. Ai refuzon të dekretojë si ministër të Brendshëm, Sandër Lleshajn.

Megjithatë, ky i fundit do të marrë postin e ministrit të Brendshëm. Të njëjtën strategji Ilir Meta do të ndjekë edhe kur Rama i dërgon emrin e ministrit të ri të Jashtëm, Gent Cakaj.  I ndodhur përballë kësaj situate, Edi Rama merr vetë postin e ministrit të Jashtëm.

Tani Ilir Metës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të dekretojë emrin e Edi Ramës në krye të diplomacisë shqiptare. Nga ana tjetër, opozita djeg mandatet në shkurtin e vitit 2019 dhe Ilir Meta i del në krah duke kërcënuar me dorëheqje. Aq sa ai tha se do të vetësakrifikohet si Salvador Alende vetëm që të zgjidhet kriza politike, pasi Shqipëria po ndodhej sipas Metës, nën kërcënimin e një junte ushtarake.

Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019, por pa opozitën. Një datë të cilën vetë presidenti Ilir Meta e kishte dekretuar dhe vetë ai do ta zhbëjë për të nxjerrë një tjetër datë për zgjedhjet vendore.

Edi Rama i merr të gjitha bashkitë dhe ngre komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e Ilir Metës për shkeljen e Kushtetutës.

Akti i fundit?

Tensionet vijojnë të rriten, kur Ilir Meta denoncon se kryeministri Edi Rama po tenton të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese. Duke dalë nga kostumi i presidentit Ilir Meta ka thirrur shqiptarët në një tubim më 2 mars të këtij viti në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ku do të nënshkruajë edhe dekretin për shpërndarjen e parlamentit.

A do të jetë 2 marsi akti final i përplasjes mes Edi Ramës dhe Ilir Metës për të ‘asgjësuar politikisht’ njëri-tjetrin apo ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën do të ulen në tryezë për t’u ribashkuar sërish me njëri-tjetrin?

VITET E BASHKËPUNIMIT DHE PËRPLASJES MES EDI RAMËS DHE ILIR METËS

1988 – Ilir Meta dhe Edi Rama prezantohen me njëri-tjetrin, njëri basketbollist, tjetri peshëngritës.

1998 – Edi Rama dhe Ilir Meta hyjnë në qeverinë “Nano”. Njëri ministër i Kulturës, tjetri sekretar shteti për Punët e Jashtme.

1999 – Ilir Meta, Kryeministër, riemëron Ramën në postin e ministrit të Kulturës.

2000 – Ilir Meta, Kryeministër, mbështet Edi Ramën si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

2004 – Ilir Meta largohet nga PS. Krijon më 6 shtator 2004 LSI-në.

2005 – Ilir Meta konkurron kundër PS-së. I shkakton humbje në zgjedhje.

2006 – Ilir Meta i bashkohet Edi Ramës që sapo ishte zgjedhur kryetar i PS në koalicion.

2007 – Konkurrojnë së bashku në zgjedhjet dhe fitojnë qytetet kryesore.

2008 – Edi Rama braktis Ilir Metën dhe bën marrëveshje me Sali Berishën.

2009 – Ata garojnë të ndarë në zgjedhjet parlamentare, ku PS humbet.

2009 – Ilir Meta bashkon votat me Sali Berishën dhe qeveris me të deri në vitin 2013.

2011 – Edi Rama kërkon arrestimin e Ilir Metës pas filmimeve të Dritan Priftit dhe ngjarjeve të 21 janarit.

2012 – Edi Rama dhe Ilir Meta takohen në Gjirin e Lalzit në atë që njihet si “darka e ngjalave”.

2013 – Bëjnë koalicion, konkurrojnë së bashku në zgjedhje dhe fitojnë ndaj Sali Berishës.

2017 – Edi Rama e zgjedh President Ilir Metën me votat e PS-së dhe LSI-së.

2017 – Edi Rama dhe Ilir Meta përplasen në fushatën elektorale dhe konkurrojnë të ndarë.

2017 – Edi Rama fiton zgjedhjet i vetëm.

2019 – Edi Rama kërkon shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.

2020 – Beteja vazhdon…

Të fundit

Ju prezantojmë me njeriun i cili fiton 40 mijë euro me dy ditë punë në vit

Jo të gjitha punët janë për të gjithë, sidomos kur bëhet fjalë për punë që kërkojnë guxim ekstrem. Kevin...

10 kandidatët më të votuar nga listat e hapura / Dominon PS, vetëm dy emra nga PD

Ndërsa kanë mbetur për t’u numëruar kutitë e fundit, janë bërë publike të dhënat paraprake mbi 10 kandidatët më të votuar nga listat e...

Foto dhe emri: Kush është shqiptari në listën e më të kërkuarve në Europë

Një 34-vjeçar, i identifikuar si Shpendi Malo, është një ndër shqiptarët më të kërkuar në Europë, pjesë e listës "Europe’s Most Wanted". Shpendi Malo...

Rudina Hajdari: Jua them unë se çfarë duhet të bëjë PD tani

Rudina Hajdari, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” me Bruna Çifligun, në A2 CNN, deklaroi se Sali Berisha “duhet ta kishte mbyllur...

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Osmani nuk pajton liderët, premton takime të tjera

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk ka mundur të bindë liderët e partive politike për të zhbllokuar procesin e formimit të institucioneve, Kuvendit dhe...

Lajme të tjera

Web TV