Për të qenë i pranishëm në Botëror do të bënte gjithçka, deri në pikën sa të mbërrinte në Katar në këmbë. Dhe kështu, në 8 janar të këtij viti, 40-vjeçari spanjoll Santiago Sanchez Kogedor, u nis nga Alkala de Henares për të përshkuar Europën dhe Azinë dhe kishte llogaritur të mbërrinte në kohë në Katar për të mos humbur hapjen e turneut në 20 nëntor.
Por “El Mundo” raporton se gjurmët e tifozit kanë humbur prej javësh dhe nuk dihet ku ai është. Edhe familja e tij, pavarësisht se e di që Santiago ka shërbyer për dy vite në ushtrinë spanjolle dhe është mësuar me të tilla aventura, ka nisur të shqetësohet dhe po e kërkon.
Një nga të fundit që ka pasur lajme nga ai është shoku Miguel Bergado, me të cilin ai ka ndarë shumë udhëtime: “Për herë të fundit folëm në 1 tetor dhe më dërgoi pozicionin e tij. Ishte në Kurdistanin irakian, 5 km nga kufiri iranian. I fundit me të cilin foli ishte shoku ynë Koke, të cilit Santiago i dërgoi një mesazh në 2 tetor. Por kontaktet u ndërprenë atje”.
Pasi mbërriti në Irak, Santiago kishte dy opsione: të kalonte përmes Arabisë Saudite ose nga Irani, për të marrë më pas një varkë për të kaluar Gjirin Persik dhe mbërritur në Katar në javën e parë të nëntorit. Ai kishte planifikuar të qëndronte një javë gjatë Botërorit dhe pastaj do të kthehej në Spanjë me “autostop”.
Shpresa është që ai të jetë duke bërë vetëm një ndalesë për t’u nisur më pas drejt destinacionit të tij. Por familja është e shqetësuar.