Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka njoftuar samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor, do të mbahet në Tiranë. Me anë të një postimi në Twitter, ai ka zbuluar edhe datën e takimit, i cili do të jetë më 6 dhjetor.
Lidhur me lajmin e mirë ka reaguar menjëherë kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shprehet se Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.
Postimi i Ramës:
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës. Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian&Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.