Kronika e Sakiqit për Tiranën, qytetit që i detyrohemi shumë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

(Shënime për librin e Orhan Sakiqit, që i dedikohet ‘të panjohurve’ të qytetit tonë)

Inxhinieri Orhan Sakiqi ka ardhur sërish me një libër me dëshmi dhe rrëfenja dokumentare për kryeqytetin. Ka menduar që t’i etiketojë si tregime të jetuara, por në fakt secila prej tyre është dhe mund të shërbejë shumë mirë edhe si një sinopsis për subjekt letrar. Është e pamundur në vetëm pak rreshta të abstragosh për të, porse mund të kuptosh për fate të ndërprera e shumë të trishta si edhe ngjarje absurde, që kanë shënuar jetën e qytetit tonë. “Jeta në dy kohë”, i ardhur nga Botimet “Nacional”, ka mbetur deridiku i pavërejtur sepse koha më e madhe në qytetin tonë harxhohet për politikë dhe sidomos me gjëra, që mundohen të mbulojnë ose të manipulojnë të shkuarën dhe mbi të gjitha kujtesën. Ndoshta kjo e ka ngucur autorin të ulet e të shkruajë këto skica, të cilat pasojnë përgjatë viteve dhe një numër librash të autorit, lidhur me histori për qytetin tonë.

Orhan Sakiqi është një dëshmitar i rreshtit kryesor, e para prej moshës së tij dhe punës së palodhur si teknik dhe inxhinier ndërtimi, fakt që e ka lidhur me shumë ndërtues që bënë vendin tonë; e dyta prej lidhjes së origjinës me Tiranën dhe sidomos me një shtresë popullsie, që do të kishte shumë pasoja në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar. Falë referencave kulturore, që atij i vinë natyrshëm, prej formimit të gjerë kemi përshkrimin e këndshëm të një galerie të tërë personazhesh dhe ngjarjesh, disa herë krejt të panjohura, por që të japin një këndvështrim shumë nostalgjik për Tiranën. Kush kujton se është një libër thjesht për nostalgjinë do të zhgënjehet sepse në libër ka edhe episode humoristike, që jo thjesht e zbusin atë tis dhembshurie për shumë personazhe por nga ana tjetër çlirojnë një regjistër që e ndihmon librin të lexohet këndshëm.

Sesa vlerë ka libri kuptohet se aty janë përfshirë një pjesë e madhe e personazheve, që nuk jetojnë më. Në një stil, që i ngjan pak punës së akuarelit dhe në pak rreshta ai përshfaq një histori të tërë të këtyre personazheve brenda një skice të vetme.

Mësuesi Nexhmi Ballka, dikur një ushtarak i lartë, që i jep matematikë ripërfundon në burg për agjitacion sepse guxoi e tha në rradhat e asokohe se: “Na shkoi jeta në radhë!” Jani Xhumari i tregon jetën, pas vrasjes se të atit në Bristol. Kur shkon e ëma të kërkojë kufomën e të shoqit, merr përgjigjen: “Mos të të shohim më këtu, sepse ka dhe më keq”. Diku fati i Greblleshëve dhe vargjet e Mustafait për t’atin: “Fli i qetë o baba. Qetësi./Se drejt teje si erë po vij./Të të sjell si gur varri/ Trupin tim të gjymtuar/Shpirtin tim”. Mihal Zallari, ish kryetari i parlamentit në qeverinë kuislingë del nga burgu. Kur Orhani i shkon me të ëmën, pas pak ai largohet. Biseda e të ëmës me njeriun e sapodalë nga burgu i ngjan absurdit: “Mos e shqetësuam Niqi?”, i thotë të shoqes. Ajo: “Jo aspak, por puna është se sapo ngrohet dhoma largohet. Mësuar në të ftohtë në vite…”. Bullizmi prej origjinës i rrënjosur deri te fëmijët. Tregon për një shokun e tij në klasën e tretë fillore. Mësuesja: Profesioni i babait?-Oficer.-Ku punon?-Nuk punon, nuk jeton, nuk e di mirë…-Si ta regjistroj? Dikush nga fundi. regjistroje armik shoku mësues. Momenti i hidhur për një nga njerëzit kryesorë të Maliqit.” –Na lajmëruan se do të arrestojnë për sabotim, prandaj të këshillojmë të largohesh.

-Jam K/ Inxhinjeri këtu. Si mund ta le veprën? Ky po, do të ishte sabotim. Si mjeku që le në mes operacionin. Bonifikimi i kënetës është këtu. E keni gabim. Nuk ja mbusha mendjen as me të lutura. Ika në mëngjes. Kujtimin e arrestuan pas dy ditësh. E dënuan me varje. Tridhjetë vjecar. Ylli i Universitetit të Vjenës. Viti 1946”. Një episod, kur në shtëpi vjen Hajria e shoqja e Qazim Mulletit me të birin, me dy ditë leje nga internimi. Orhani është dëshmitar si 10-vjeçar dhe njeh paradokset sepse gruaja e “Prefektit” ishte e afërme e familjes dhe nuk ishte asfare si tek komedia. Madje, shpirtmadhe sepse për të ruajtur familjen e tij, as nuk futet fare brenda.

Lexo edhe :  FOTO/ Parashqevi Simaku suprizon shqiptarët, rikthehet sot në Festivalin e Këngës në RTSH

Ai nuk mendon shumë për asgjë sepse ka menduar për gjithçka në jetën e tij. Në turra të vegjël, në grumbuj të vegjël, ai shtroi ditët, vitet, lindjet dhe vdekjet, dashurinë, ato pak që kishte, udhëtimet, të shumat, të njohurit, të shumët, dramat familjare, ndjekjet e tij të pakuptimta dhe betejat e vogla akoma më të pakuptimta, kryesisht të humbura, gjuhët, të huaja dhe të brendshme, peizazhet, i klasifikoi mjeshtërisht të gjitha dhe e lidhi gjithë atë bagazh, atë barrë tashmë të panevojshme, me spango dhe e shpërndau në cepat e dhomave të bollshme sikur të priste një lëvizje tjetër e madhe”. I gjithë ky pasazh i gjallë nga “Belladonna” romani i kujtesës së Dasha Drndiç, autores së njohur kroate, duket si i bërë enkas për personazhin tonë, autorin e këtij libri. Orhan Sakiqi, autor i disa librave të kësaj natyre, falë të cilit kemi një histori alternative për qytetin tonë, por më shumë se kaq një ndjenjë të rrallë humanizmi për miq, të njohur dhe bashkëqytetarë e jo vetëm, që e pësuan në një kohë absurde dhe…me njerëz që gati u bashkuan me atë absurditet. Me hir apo pahir.

Orhani duket sikur ngutet t’i nxjerrë të gjitha këto histori, jetët e të tjerëve, sepse ngjan t’u lehtësojë deridiku atë borxh, që i ka shoqëria shqiptare, por edhe ajo ndjenja e mirë e tij e vazhdueshme për të kontribuar sa të mundi për qytetin tonë, të cilit i jemi borxh jo pak. E Orhan Sakiqi, që mbart edhe vetë tragjedinë e të atit të ekzekutuar, e ka bërë kurdo me modestinë e tij të përkorë dhe kokëuljen e ndershme.

 

 

Të fundit

Krishtlindje në Kosovë, mesha u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë

“Mjaft me urrejtje”, ky është mesazhi i ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji për Krishtlindje. Në meshën kryesore për Krishtlindje...

“Zhurma e armëve të ndalet”/ Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Ukrainë

Papa Françesku bëri thirrje sot për bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi me sulmin në shkallë të gjerë...

Revista ‘Time Out’ zgjedh pemët më të bukura të Krishtlindjes në botë

Revista e njohur Time Out e shpalli pemën e Krishtlindjes në Krakov të Polonisë, e cila zbukuron tregun historik atje, “më legjendaren” në botë. E...

Bashkia e Tiranës sjell ngrohtësi për familjet në nevojë gjatë Krishtlindjes

Në vijim të festimeve të Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës organizoi një aktivitet argëtues dhe solidar për familjet e fëmijëve që përfitojnë shërbime psikosociale të...

Gjithçka rreth manifestimit, si të arrijmë ëndrrat dhe qëllimet tona në vitin 2025

Viti i Ri është një periudhë simbolike që na jep mundësinë të fillojmë nga e para. Është si një fletë e bardhë që pret...

Lajme të tjera

Web TV