Sekretarja e Prokurorisë së Shkodrës K.G, është pezulluar nga detyra pasi dekonspiroi operacionin për ekstradimin e Ibrahim Licit.
Mësohet se ajo ka fotografuar dhe shpërndarë në media kërkesën për ekstradimin nga Turqia të Ibrahim Licit.
Ajo është vënë nën hetim edhe për ‘zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’.
‘Si rezultat i hetimeve të deritanishme, janë grumbulluar të dhëna që tregojnë se shkresa e publikuar në media është fotografuar fillimisht nga shtetasja K.G., me detyrë sekretare në Seksionin e Ekzekutimeve dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, e më pas kaluar nga aparati i saj celular, shpërndarë dhe publikuar në media. Ndaj shtetases K.G., është marrë menjëherë masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në prokurori, ndërkohë që po procedohet edhe penalisht për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal. Gjithashtu, vijojnë hetimet për zbulimin dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në mbajtjen, shpërndarjen dhe publikimin e shkresës në fjalë dhe të të dhënave të tjera sekrete, me qëllim përcaktimin e plotë të faktit dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej tyre.’-njofton prokuroria.