Dashamir Shehi, ka folur për historinë e përjashtimeve nga Partia Demokratike në vitin 1992, duke e cilësuar PD-në si një parti që nuk pranonte mendim kritik brenda saj dhe larg nga mentaliteti i lirisë europiane.
Në një intervistë për “Abc News” ai ka thënë, se të gjithë derivatet e kësaj politike do të kishin qenë të tjera sot e kësaj dite, do kishim një parti shumë më demokratike, shumë më të hapur e cila nuk do t’i shpërdoronte vlerat e veta dhe nuk do të kishim ndoshta ’96 dhe ’97, jo vetëm për grupin e mocionistëve, por për të gjithë grupet që erdhën me radhë.
“Me një lloj keqardhje sepse u fillua me këmbën e shtrembër, ne s’kishim nevojë të përjashtonim njeri, ne ishim në pushtet, kishim goxha pushtet, kemi qenë deputetë në numër të madh 84/85 vet në parlament, të krahut të qendrës së djathtë edhe nëse do kishte mendime të ndryshme PD-ja udhëheqja e asaj kohe duhet ta administronte procesin e brendshëm në një mënyrë shumë demokratike, të ndryshme nga ajo që u bë. Të gjitha derivatet e kësaj politike do të kishin qenë të tjera sot e kësaj dite, do kishim një parti shumë më demokratike, shumë më të hapur e cila nuk do t’i shpërdoronte vlerat e veta dhe nuk do kishim ndoshta ’96 dhe ’97, jo vetëm për grupin e mocionistëve, por për të gjitha grupet që erdhën me radhë.
D.m.th. filozofia që të konfrontohemi brenda kush është grupi më i madh, kush është më i forti, që fatkeqësisht vazhdon edhe sot ka qenë shumë e dëmshme për krahun e djathtë, po të kishim pasur lirinë e mjaftueshme nga PD-ja nuk do ishin larguar asnjë vlerë, unë them që do e kishim qeverisur shumë më mirë Shqipërinë. Sigurisht që qeveria ka nevojë të alternohet, i miri i botës të jetë duhet të ndryshohet, por e filluar ters duke treguar që ishte më e fortë tërheqja e vjetër e komunizmit, e mentalitetit bolshevik sesa hapësira e re e lirisë europiane”, është shprehur ai.