Teksa komentonte projektin e Portit të Durrësit, Berisha ka kërkuar që të ngrihet komision hetimor parlamentar për këtë çështje dhe më pas ta dërgojë edhe në Gjykatë Kushtetuese dhe nisjen e protestave. Rama përgjigjet flakë: O me Durrësin në majë, o me ata në plehra.
Berisha, hetim parlamentar dhe dërgimin në Kushtetuese
Teksa komentonte projektin e Portit të Durrësit, Berisha ka kërkuar që të ngrihet komision hetimor parlamentar për këtë çështje dhe më pas ta dërgojë edhe në Gjykatë Kushtetuese. Përveç anës institucionale, kreu i PD-së paralajmëroi organizimin e protestave.
Opozita e përfaqësuar nga Sali Berisha duket se do të nisë aksion të trefishtë kundër projektit të Portit të Durrësit. Këtë ka paralajmëruar dje kreu demokrat Sali Berisha nga mbledhja që zhvilloi me grupin e tij parlamentar, 1 ditë para seancës plenare ku do të miratohet me procedurë të përshpejtuar marrëveshja që i hap rrugë projektit. “Meqenëse Edi Rama po vepron në mënyrë të rrufeshme për kalimin e ligjit për këtë marrëveshje, atëherë edhe ne në mënyrë të rrufeshme të krijojmë komision hetimor parlamentar dhe ta dërgojmë edhe këtë në Gjykatë Kushtetuese. Duhet të parashikojmë edhe tjetër armë që kemi në dorë, protestat e fuqishme kundër kësaj grabitje të tmerrshme”, tha Berisha. Ai pohoi se Shqipëria përfiton vetëm 200 euro në vit nga ky projekt, teksa bëri një krahasim me fitimet që sjell porti aktual për qytetarët. “Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet të pasanikëve të Bejrutit. Po ky është vetëm njëri mekanizëm plaçke. Shteti shqiptar nga marrëveshja e Edi Ramës fiton 200 euro në vit sipas ekspertëve. Kjo vjen në një kohë kur ai port shpërndan 4 milionë tonë mallra dhe tani do bëhet porti i jahteve të Ramës”, tha ish- kryeministri. Berisha e cilëson portin e Durrësit pasurinë më të madhe publike te vendit e për këtë arsye sipas tij PD duhet t’i dalë në mbrojtje me çdo kusht për të parandaluar atë që e quan aferën më të madhe korruptive. “Kaskadën, po e nxore në treg nuk ka vlerë në treg as sa gjysma e portit të Durrësit. Aeroportin po e nxore në treg, nuk ka vlerë as sa një e treta e portit të Durrësit. Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike, në këtë port janë investuar qindra e qindra milionë euro, dollarë. Vetëm së fundmi, janë investuar mbi 70 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Banka Europiane e Zhvillimit”, tha ai. Ai tha më tej se Rama po shkatërron portin shekullor dhe tashmë transporti do bëhet nga Mali i Zi dhe Greqia. “T’i shkatërrosh vendit portin shekullor, do të thotë të gjobisësh vetëm me transport, qindra e miliona, në mos miliarda euro në vite. Vetëm me transport, i cili do bëhet nga Mali i Zi, portet e Greqisë, dhe pjesërisht nga Vlora. Edhe ajo jo, se ajo është pa port. Të shkulësh portin shekullor, për të cilin është projekti, investimi dhe çdo gjë, dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro që kërkon ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, sipas specialistëve, dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të Dubai City në Durrës, duhet të ndërtohet në Porto Romano, sepse ai kërkon që gjithë gjirin e portit ta shndërrojë për jahtin e tij, jahtin e Çuçit të familjes së tij, jahtet e familjarëve. Kjo është e faktuar, cilido i them të referohet se çfarë pësoi porti i Bejrutit. E njëjta skemë. Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet e pasunikëve të Bejrutit”, tha Berisha.
Projektbuxheti
Berisha i bëri thirrje deputetëve të përgatisin amendamente për të ndryshuar projektbuxhetin e vitit 2023 që sipas tij është kundër interesave të qytetarëve. Këtë herë, Berisha e ka quajtur atë si plaçkitjen më të madhe në histori të Shqipërisë së pronës publike. “I gjithë përqendrimi ynë duhej të ishte te buxheti, që përbën normalisht procesin, problemin më kryesor vjetor të një vendi normal. Por kur konstaton se, me një ligj superurgjence, vidhen dy buxhete, kemi të bëjmë në total me shumë miliardë plaçkitje dhe grabitje, kemi të bëjmë me grabitje, vjedhje nga Edi Rama dhe enturazhi i tij më të madhen e këtij vendi të pronës publike. E tërë historia e Shqipërisë nuk ka regjistruar një plaçkitje të tillë të një prone publike, vlera e të cilës është të paktën 3 miliardë euro. Historia e vendit, as e Europës, nuk ka në analet e veta një qeveritar apo kryeministër që të ketë lejuar vetes me sipërmarrjen e tij, të plaçkisë, të përvetësojë 1 milion metër katror truall i çmimit më të lartë”, u shpreh Berisha.
Rama sfidon: O me Durrësin në majë, o me ata në plehra
Kryeministri Edi Rama u është rikthyer sërish akuzave të opozitës për projektin e Portit të Durrësit. Kreu i qeverisë thekson se ky është investimi më i madh ne rajon dhe se do t’u shërbejë durrsakëve që të shohin fytyrën e vërtetë të armiqve të së ardhmes së Durrësit.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për akuzat e opozitës në lidhje me çështjen e ndërtimit të portit të ri të Durrësit. Ai e ka quajtur opozitën armike të investimeve, dhe të investimit më të madh siç është ai i portit të Durrësit.“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë, o me ata në plehra!”, shkroi Rama mëngjesin e të mërkurës në Tëitter. Në një tjetër postim të mëparshëm, Rama i quajti “maskaragjozllëqe” ato që po thuhen për projektin, të cilin e cilësoi “madhor”. “Edhe hapësira e paanë mediatike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912!”, tha Rama. Por denigrimin e opozitës, Rama e ka vijuar edhe në Berat. Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën, duke e konsideruar si një farë të keqe, e cila është vënë në shërbim të së keqes. Kryeministri edhe njëherë përsëriti ato që deklaroi pak ditë më parë në Parlament, se opozita është pa fe, pa atdhe dhe pa din e iman, duke sqaruar se këto nuk janë fyerje. Duke u ndalur tek lufta, kreu i qeverisë u shpreh se ndërkohë që e gjithë bota flet për pasojat e saj, “këtu në Shqipëri ka disa që mendojnë njësoj si Putini, që nuk ka luftë”. “Këtu në Shqipëri në mes të Evropës janë disa që duan me çdo kusht ta kthejnë përmbys këtë vend me pretendimin që nuk ka luftë. Nuk ka luftë është fiks e njëjta gjë që thotë ai zotëria që e ka nisur luftën, Putini. Imagjinoni kur nga brenda gjenden edhe shërbëtorë të gatshëm të vihen në dispozicion të interesave të tyre personale. Njerëz pa fe dhe thonë është fyerje. Fyerje është të vazhdojmë ti dëgjojmë. Njërës pa atdhe, dhe thonë është fyerje. Jo, fyerje është të vazhdojmë ti shohim. Njerëz pa din e iman, thonë është fyerje. Jo fyerje është të vazhdojmë ti kemi nëpër këmbët e këtij populli që ka që në 1912 që përpiqet të dalë matanë detit, për të kapërcyer historinë dhe nuk i ndahet. Nuk i ndahet një degë e shtrembër e pemës tonë ku krijesa të mbushura me një ligësi dhe një ankth të madh godasin vazhdimisht, helmojnë vazhdimisht, për ti thënë shqiptarëve se ky vend është i mallkuar pa ua thënë drejtpërdrejt”, theksoi kryeministri. Rama u ndal edhe tek financimi rus në Partinë Demokratike, duke theksuar se Moska dha gjysmë milion dollarë për ketë parti, sepse PD kishte dhënë me pare prova. “Sot ne jemi në këto kushte kur këta njerëz janë të ekspozuar, nuk janë më një hipotezë, asnjë krahasim metaforik, janë të ekspozuar si ata që janë vënë në shërbim të të keqes së këtij vendi. Këta njerëz kanë marrë para dhe këtë e di gjithë bota. Kanë marrë para nga ai vendi që ka filluar këtë luftë dhe i kanë marrë paratë për të rrëzuar qeverinë e vendit të tyre. Ka pasur një garanci, këta kanë dhënë prova. Sot është e qartë, të paktën njëra nga provat është publike, sesi kur ishin në qeveri bashkuan forcat me atë vendin atje për të goditur me akuzat më monstruoze UÇK, Kosovën dhe Shqipërinë. Ca duhet të bëjnë më shumë këta dhe çfarë i duhet kërkuar më pak sesa çdo shqiptari që të jetë në lartësinë e nevojës që ka Shqipëria për ta mbrojtur me krenari Shqipërinë dhe për të qenë krenar për emrin shqiptar. Asnjë gjë më pak nuk mund ti kërkohet. Kush është krenar për Shqipërinë nuk mund të përzihet me këtë farë të keqe”, tha Rama.