Në prag të nisjes së punimeve të Samitit BE- Ballkani Perëndimor, Këshilli i Europës ka zbardhur temat e diskutimit dhe agjendën e takimit nesër në Tiranë.
Temat kryesore për të cilat do të diskutohen në samit, do të jetë te lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.
Ndalur te lufta në Ukrainë, në fokus do të jenë përballimi i sfidave të përbashkëta që vijnë si pasojë e agresionit rus, e më konkretisht si mund të trajtohen efektet negative që kanë sjellë në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftën ndaj manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike.
Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme e përfshirë në axhendë është edhe emigracioni. Liderët Europian do të shkëmbejnë pikëpamjet për menaxhimin e emigracionit duke qenë se ka pasur një rritje të të rinjve nga Ballkani Perëndimor që janë larguar nga vendi, përfshirë këtu edhe Shqipëria. Në diskutim do të jetë politikat e vizave të BE-së dhe bashkëpunimin përe kthimin e emigrantëve. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.
Gjithçka pritet të nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit, ndërsa pritja e liderëve do të bëhet tek sheshi Italia dhe do të drejtohen drejt hotelit Mariotit tek stadiumi ‘Air Albania’. aty ku do të zhvillohet edhe mbledhja e samitit.
Mbledhja do të ketë një ndërprerje rreth orës 13:00 për të vijuar me hapësirën e drekës, ndërsa rreth orës 15:00 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama, presidentes të Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel. Samiti do të pasqyrohet nga media të rëndësishme nërkombëtare, ndërsa deri më tani rreth 300 gazetarë janë akredituar nga e gjitha Europa për të qenë të pranishëm në samit.
Agjenda
10:15 Mbërritjet dhe mirëpritja zyrtare
11:00 Diskutimi, shkëmbimi i mendimeve
11:45 Foto familjare
12:15 Seancë plenare dhe drekë pune
14:30 Konferencë për shtyp