Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Spartak Dobi, bashkëshorti i pastrueses, Rozeta Dobi, autorja e vjedhjes qindra-mijëra eurove nga banesat ku pastronte, krim në të cilin ishte i përfshirë dhe djali i tyre, Havier Dobi.
Manja ka hedhur poshtë deklaratatat e Spartak Dobit, sipas të cilit, në takimin që ka patur me ministrin, ky i fundi i ka premtuar se do të bënte çmos që të lironte Havier Dobin nga akuzat. Ministri shkruan në rrjetin social Facebook, se nuk është takuar kurrë me Spartak Dobin dhe se mbështet plotësisht hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë. Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar. Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi patur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike.
E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë. Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve”, shkruan Manja.