Deputeti i PD, Dashnor Sula është i bindur se Edi Rama dhe qeveria e tij duhet të largohet por thekson se Sali Berisha me mbështetësit e tij nuk ngjallin shpresë.
Në një intervistë në Report ai u shpreh se vendi është në udhëkryq.
“Jam rikthyer në politikë se besoj në gjendjen e vështirë. Edhe unë kam qenë në mazhorancë dhe mund të më akuzojnë por unë besoja në 2013 besoja se nuk mund të qeverisnim më. Një budalla nuk e kupton një gjë të tillë, por ne e kuptuam. Ndodhi që Edi Rama dhe PS i dhanë besim qytetarëve shqiptarë.
Problemi është jashtëzakonisht i madh. Nuk ka reagim shoqëror se mazhoranca bën gjithçka për të intimiduar qytetarët ndërsa pala tjetër nuk ngjall shpresën. Ky vend është në udhëkryq. Duhet të largohet Rama dhe PS? Pa diskutim. Si do rikthehemi? Si ngjallet shpresa? Po ta kuptosh, lëvizjet që bëjnë Berisha me Metën justifikohen po a e ke moralin e plotë.”
Megjithatë duket se ka rezerva për protestat e thirrura nga Berisha duke thënë se nuk i pëlqen fjala ‘revolucion’ që përmendet nga ish kryeministri se i takon të majtëve.
“Vijmë tani te parlamenti. Jemi çmendur të gjithë në të njëjtën kohë. Më vjen turp që jam pjesë e këtij parlamenti. Ka pasur kusia në parlament nga Taulant Balla, por Berisha nuk i përjashtoi nga parlamenti. As Jozefina Topalli për të cilën kam rezervat e mia, nuk i përjashtoi. Kjo është diskriminim, është sjellje që nuk e kuptoj. Prandaj duhet të shkarkohet Nikolla. Kemi hyrë në një vorbull e po bëhemi të gjithë pis, ndaj më vjen turp. S’kam për ta bërë kurrë atë sjellje por duhet t’i thërrasim mendjes. S’mund të vazhdohet kështu. Me të vërtetë ka gjynahe Berisha dhe Meta, por këta kanë traun para syve të tyre.
S’mund të them që Rama ka marrë thesin me para por ka përgjegjësi morale e politike. Kjo protestë duhet të shndërrohet në uragan me problemet që ka kjo mazhorancë. Unë jam i djathtë dhe fjala revolucion s’më pëlqen se i takon të majtëve. Do më pëlqente lëvizje popullore”, tha Sula.