Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), themelohet si një agjenci e pavarur, por që do të bashkëpunonte me Lidhjen e Kombeve. Thirrjet për standarde të barabarta dhe përmirësim të kushteve të punës dhe të jetesës për punëtorët e botës, kishin filluar të dëgjoheshin shumë kohë përpara shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.
Ndërsa Revolucioni Industrial përfshiu vendet e zhvilluara nga Franca dhe Britania në pjesën tjetër të Evropës gjatë shekullit XIX, ai ndryshoi tërësisht peizazhin ekonomik dhe social të kontinentit dhe përfundimisht botës. Ndër avokatët e hershëm të një organizate ndërkombëtare për rregullimin e kushteve të punës ishin Robert Owen, një socialist nga Uellsi dhe themeluesi i sindikatës së parë britanike në vitin 1833; Charles Hindley pronar i një manifakture dhe anëtar i parlamentit britanik dhe Daniel Legrand, një industrialist, filantrop dhe shkrimtar francez.
Megjithëse këta mendimtarë të shekullit XIX-të ishin përpara kohës së tyre, shkatërrimi i pashembullt i Luftës së Madhe të viteve 1914-1918, çoi në rritjen e mbështetjes midis udhëheqësve të botës për një organizatë të tillë, jo vetëm për të rregulluar standardet e punës për popullatën ndërkombëtare në rritje të vazhdueshme të punëtorëve industrialë, por edhe për të ruajtur paqen në atmosferën e paqëndrueshme të botës së pasluftës.
Krijimi i ILO-s kishte pra edhe një motiv politik:nëse kushtet nuk përmirësoheshin, pakënaqësia në rritje midis punonjësve të botës, kërcënonte të shpërthente në demonstrata të mëdha, trazira dhe ndoshta revolucione, siç kishte ndodhur në Rusi më 1917, dhe në një masë më të vogël në Gjermani dhe Austri Hungaria në fund të luftës.
Konferenca e parë vjetore e kësaj organizate, e cila u mblodh në Uashingtoni në tetor 1919, miratoi 6 konventat e para të organizatës, në të cilat u trajtuan ndër të tjera, kufizimet për orarin e punës, papunësinë, dhe moshën minimale për të punuar.
Kalendar
11 Prill 1814 – Traktati i Fonteinblë, i jep fund Luftës së Koalicionit të të Gjashtëve kundër perandorit francez Napoleon Bonapart, duke e detyruar atë të heqë dorë në mënyrë të pakushtëzuar nga froni. Napoleoni do të internohet në ishullin e Elbës.
11 Prill 1945 – Lufta e Dytë Botërore:Forcat amerikane çlirojnë kampin e përqendrimit në Buhenvsald.
11 Prill 1961 – Në Jeruzalem, nis gjyqi ndaj udhëheqësit nazist Adolf Ajhman.
11 Prill 2002 – Mbi 200 mijë njerëz marshojnë në Karakas të Venezuelës drejt pallatit presidencial për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Hugo Chavez. Të paktën 19 protestues, qëllohen për vdekje nga policia.
11 prill 2006 – Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, shpall zyrtarisht synimin e Teheranit për të pasuruar me sukses uraniumin.
11 Prill 2011 – Një shpërthim në metronë e Minskut në Bjellorusi, shkakton vdekjen e 15 personave dhe plagosjen e 204 të tjerëve.