Barcelona u ndal në barazim pa gola në shtëpi kundër Gironas në xhiron e 28-të të La Ligës të hënën, por me atë pikë rriti avantazhin ndaj Real Madridit, i cili humbi ndaj Villarrealit.
Skuadra e Xavit dominoi gjatë gjithë ndeshjes, por nuk arriti të depërtojë në bunkerin e mysafirëve, të cilët nuk patën asnjë goditje në portë.
Pas ndeshjes, mediat katalanase kritikuan më së shumti Robert Lewandowski, i cili pas një dëmtimi të lehtë shënoi vetëm dy gola në shtatë ndeshjet e fundit, të dyja në fitoren 4-0 ndaj Elche.
Polaku është ende golashënuesi më i mirë i kampionatit me 17 gola (tre më shumë se Benzema), por është kthyer në objektivin kryesor të kritikave.
“Lewandowski nuk mori pjesë fare në ndeshje dhe me çdo paraqitje ai ndikon gjithnjë e më pak në lojën e Barcelonës. Rënia e tij vazhdon”, shkruan gazeta katalanase Sport.
Mundo Deportivo shton se 34-vjeçari polaku ishte krejtësisht i padukshëm dhe është në krizë të rëndë.
Lewandowski ishte fantastik në pjesën e parë të sezonit, por më pas u lëndua dhe që nga fillimi i marsit nuk po arrin të gjejë formën e duhur.
Këtë sezon, ai ka shënuar 27 gola dhe shtatë asistime në 36 ndeshje për Barcelonën në të gjitha garat.