Është marrë vendimi për vazhdimësinë e kampionateve shqiptare të sportit, në një kohë kur koronavirusi është duke u përhapur me ritme të larta dhe nga 15 raste që ishin ditën e djeshme shifrat janë shtuar me 8 persona të tjerë të prekur nga virusi i rëndë.
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.
Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.
Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ku edhe Shqipëria është pjesëmarrëse, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike evropiane.
Ky vendim erdhi pas njoftimit të Kryeministrit Edi Rama se do të ndalohet qarkullimi i çdo mjeti deri ditën e dielë dhe do ishte e pamundur që skuadrat të lëviznin në qytete ku duhej të zhvillonin takimet./Fjala.al/
PARANDALO, MOS RREZIKO VETEN DHE TË AFËRMIT NGA KORONAVIRUSI