5 prioritetet që sjellin ndryshimin në Tiranë, u diskutuan nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, me banorët e Laprakës.
Në një tur takimesh me banorët e Laprakës, Këlliçi foli për shembjet e banesave që do të ndodhin për shkak të projektit të hekurudhës.
Ai premtoi se për të mos ndarë familjet nga njëra-tjetra, do të ndërtojë një mbikalim.
“Pjesa e mbikalimit, ne e kemi përmendur bashkë edhe herë tjetër, mbikalimi këtu është një zgjidhje perfekte për banorët, që të lidhet zona, për të bërë të mundur që të shkojnë te të afërmit, në anën tjetër. Ajo pjesë zgjidhet! Pastaj pjesa e shpronësimeve, a kanë ndonjë informacion qytetarët kush preket? Për sa shtëpi bëhet fjalë?”, tha kandidati i opozitës.
Më tej, teksa pa nga afër situatën në të gjitha zonat që preken nga projektet infrastrukturore, Këlliçi garantoi banorët se të gjithë do të dëmshpërblehen ose me vlerën e tregut, ose do të marrin metrat katrorë siç i kanë pasur më parë.
“Pa diskutim të gjithë rastet do të trajtohen një për një, siç kemi thënë te ‘5 Maji’, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. Do trajtohen të gjitha rastet e atyre që u preket shtëpia. Edhe ata me dokumente edhe ata pa dokumente do trajtohen do të gjejnë të gjithë zgjidhje.
Dhe ndërkohë që ne do t’i japim dy zgjidhje: Ose do të marrin metrat aty ku ishin në një godinë afër kur të ndërtohen godinat, sa metra kanë pasur, ose do të dëmshpërblehen me vlerë tregu, por pa i trajtuar nuk i lëmë. Por derisa të bëhet projekti, do të marrin bonus qiraje pa diskutim”, u shpreh ai.
Gjatë takimeve me dhjetëra qytetarë e banorë të Laprakës, Këlliçi denoncoi mungesën e ujit në këtë zonë.
“Ja uji i Erion Velisë, UKT-ja e Laprakës. Ja uji i pijshëm që vjen, ja po të mos jetë ky furgon, po të mos jetë ky ujë, s’kanë ujë banorët. Marrin ujë, vetëm kaq shiheni realitetin. Ftojeni pyeteni Erion Velinë, merreni njeherë e di ai këtë situatë? Ai që thotë ka 24 orë ujë të pijshëm në Tiranë”, tha kandidati i opozitës, ndërsa deklaroi se ky problem do të gjejë zgjidhje pas 14 majit.
Ai u shpreh se edhe në Laprakë do të punohet që ujë të ketë mesatarisht 14 orë në ditë, ndërsa renditi edhe disa nga prioritetet e tij për zonën.
“Për ujin e pishëm, ta përmenda vetë, është një problem që nuk e keni vetëm ju. Dhe prandaj po ta them dhe një herë që pa diskutim do të ndërhyjmë për ta zgjidhur këtë çështje. Nuk ju premtoj 24 orë ujë të pijshëm. Por po të them, minimalisht me pas 14 orë ujë të pijshëm në ditë, të rregullta me orare të përcaktuara, bëhet. Stacioni do të vijë këtu në kufij ku ju duhet juve dhe ku ju shërben juve. Në mënyrë të padiskutueshme është gjëja më e lehtë në botë. Dhe kopshtet dhe një çerdhe patjetër që do ta sistemojmë, do ta ndërtojmë sepse ka territor kjo njësi”, theksoi Këlliçi.