Dëshmia e Habib Rexhës, të riut që vrau Arian Gosën disa ditë më parë në Kavajë është zbardhur. Pasi u dorëzua në polici ditën e djeshme, ai ka deklaruar në dëshminë e tij se nuk e vrau Gosën për gjakmarrje.
Ai ka thënë se fillimisht kur Ariani ka ardhur nga Italia, i kishte kërcënuar ata si familje se do i vriste të gjithë. Dhe për këtë Rexha u shpreh se i kishte bërë parapritë, ndërkohë që theksoi se askush nga familja nuk kishte dijeni për ngjarjen.
“Une jam autori i vrasjes së Arjan Gosës. Vrasjen nuk e kam kryer për gjakmarrje, por për arsye se Arjani kur ishte kthyer nga Italia është shprehur se do ta na shuante si familje. Kësaj, unë i bëra parapritë.
Sa të na vriste ai neve, pashë të udhës ta vrisja unë i pari. Vëllezërit e mi dhe babai nuk kishin fare dijeni.
E dija qe Arjani pinte kafe te lokali pranë shtepisë së tij. Shkova e qëllova dhe më pas u largova në drejtim të Durrësit. Pistoletën e hodha në afërsi të pistës Iliria në Durrës tek ca gurë”, ka deklaruar Rexha.
Vrasja ndodhi disa ditë më parë në një lokal në Kavajë, ku Habib Rexha vrau me një plumb në ballë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij.
Habibi është vëllai i Altin Rexhës, viktimë e vrasjes me dy viktima në 29 mars 2023. Konflikti banal i fundmarsit pati dy viktima Edmond alias Armand Gosa dhe Altin alias Sali Rexha.
Një sherr banal për “pse më sheh ashtu” nga ana e Edmond Gosës acaroi Altin Rexhën.
Ky i fundit mori një thikë dhe e plagosi. Në këtë moment, Gosa u përgjigj me armë duke e lënë të vdekur. Gosa janë një mbiemër i “fortë” në Kavajë. Por edhe pse ngjarja ka 2 muaj që ka ndodhur, Policia nuk arriti dot të shmangë hakmarrjen mes dy fiseve.