Rasti i Gospodinov, si një recetë kulture për PD-në hipotetike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Fituesi i International Booker Prize 2023 Georgi Gospodinov është i përkthyer me dy libra në Tiranë. Njëri quhet “Roman Natyral” (Poeteka) dhe është përkthyer nga Janka Selimi, kurse libri tjetër titullohet “Fizika e trishtimit” (Albas), përkthyer nga Milena Selimi.

Përveç bashkëkohësisë së botimit dhe intuitës së dy shtëpive botuese, asgjë tjetër s’ka bërë çmimi në Tiranë. Pak vite më parë, Ismail Kadare ka qenë një nga fituesit e IBP, por sërish impakti s’është se ka qenë shumë i madh.

Arsyeja merret me mënd: Shkrimtari ynë është ngjitur deri afër çmimit të madh “Nobel” pa arritur ta marrë, paçka kandidimeve të vazhdueshme. Në jo pak raste i sulmuar deri me letra nga bashkëatdhetarët, që me parime të mbysin me retorika nacionaliste. Pas kësaj, Kadare, është detyruar disa herë, madje kur përflitej si fituesi më i mundshëm të dëgjojë dhe t’i kujtojë vetes se çfarë njihte nga kolegu fitues.

Rasti i shkrimtarit më të njohur bashkëkohor ballkanas Gospodinov është tashmë një mrekulli, që po ndjehet jo vetëm në vendin e tij por ngado. Në panairin e pak ditëve më parë në Sofje, do të tregonte përkthyesja e tij në spanjishtt Maria Vútova, referuar “El Pais”, ai mori pjesë në një nënshkrim librash që kishte aq shumë njerëz sa, policia duhej të merrej seriozisht me radhën (shpesh duke e prishur) deri kur mbaroi panairi.

Megjithatë, lexuesit e Gospodinov nuk hoqën dorë nga përpjekjet për t’ia marrë nënshkrimin. Bullgaria është frymëzuar si pak herë nga rasti i Gospodinov. I gjithë vendi ka gjetur një motiv të madh.

Dhe, vimë në kohën tonë. Përpjekja e njerëzve të letrave ose intelektualëve shpesh ka qëlluar e pafatë në Shqipëri. Kadare, paraardhësi i Gospodinov, iu drejtua në vitin 2011 asokohe mëtuesit për kryetar Bashkie, Basha.

Po risjellim pjesën e parë të letrës së tij publike: “Zoti Lulzim Basha, I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë  se ndoshta mund të ndihmojë  në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.

S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.

Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i  klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj.  por nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta tê vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë.

Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën   përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi…”.

Nuk dihet se cili e shkroi letrën e kthimit të Bashës, ku ai nuk pranoi, por vendi njohu një zhgënjim të madh, të dyfishtë, zgjedhjet që mbetën me një rezultat aq të përfolur; shpërfilljen e mendimit të një mendimtari letrar si Kadare.

Sot, Basha mëton të rikthehet sërish në pjesën e Partisë Demokratike (Legale), që ka kohë që ka humbur identitetin e saj dhe prej gati një viti, qerthullohet pa liderin e saj pas dorëheqjes. Nuk po flasim për Partinë Demokratike (Të Rithemelimit), që nuk njeh asnjë rezultat dhe tashmë po lufton (disa herë jo pa të drejtë) për të delegjitimuar zgjedhjet.

Për fat të keq, në një sens kohor jo të arsyeshëm, pasi KQZ po certifikon dhe pjesën e ankimimit dhe në fund publiku do presë zhvillimet e PD-së së Rithemelimit, që tek e fundit dihen: Rama na i vodhi zgjedhjet dhe të ndalojmë masakrën zgjedhore!

A mundet Shqipëria të nxjerrë falë një personazh të tillë: nga kultura, sporti, mendimi që të jetë mbi palët dhe të frymëzojë? Për fatin e keq është e pamundur. Këtë mund ta bënte një desident mëndjekthjellët apo mbase një president të përmasave si Haveli ose mendimtarë të tillë pa kompleks si: disidenti çek Jaroslav Šabata, George Konrád, apo Milan Kundera.

Lexo edhe :  Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Sa i përket rastit të Shqipërisë, yni, nuk mund të ishte rasti i ngjashëm me vendet e Europës Lindore dhe Qendrore. Në Shqipërinë socialiste, desidentin, në rastin më “të mirë” e priste burgu, në atë “më normal”, pushkatimi. Por, jemi në një kohë kur mendimi ndryshe, është themeli që e mban dhe diferencon demokracinë por edhe jep fizionominë e një pushteti demokrat.

Dhe, kur shikon sesi vlerësohet mendimi ndryshe, njeriu i letrave apo si nderohen shkrimtarët dhe artistët, atëherë kupton se në çfarë niveli jemi. Por edhe pse ai mendimi i ngulitur, që socializmi të hiqte kokën, kur shikon këtë realitet të bën të mendosh se diçka çalon tek ne. Të mjafton të shikosh përçarjen te PD-ja, pamundësinë e gjenerimit të ideve të bashkimit dhe përpunimit të një oferte për të sjellë ndryshime.

Të mjafton përçmimi për çdo personazh që ka ide dhe mendime ndryshe, apo dhuna, si ajo e Janarit 2022, të kuptosh, se modeli që mund të frymëzojë është gati hipotetike. Në një rast të tillë, pak orë më parë, deputetja Açka, do ta shprehte kështu krizën: “Ndërkohë që ju hynit në paradhomat e kryeministrave si langonj për ndonjë teke uiski a për t’i kërkuar ta emëronte shef kadastre ndonjë bashkēfshatarin tuaj, unë lexoja poezi shqipe tribunave të botës, duke i shitur botës Shqipërinē e bukur.

Ju jeni bashkëfajtorë në shkatërrimin e Opozitës shqiptare me oportunizmin tuaj, me flirtet tuaja, me paturpësinë tuaj.Ndaj, për shkak të asaj frike kanunore a korruptive me të cilën jeni mēsuar të mbijetoni, nuk guxoni të përmendni emrin e ndonjë burri me të cilin keni besë, apo të përmendni emrin e ndonjë burri me të cilin, a me të cilët Lulzim Basha po u ktheka në parti…”.

Rasti “Basha” apo precedenti “Berisha” janë shumë pak shembuj për ndryshim te PD-ja, qoftë me problematikën që i kanë sjellë vendit por edhe me kaosin, që kanë mbjellë tek PD-ja.

Problem tashmë është harresa dhe mbi të gjitha fakti që: në këtë errësirë është e pamundur në Shqipëri të kemi besim tek një njeri, cilido qoftë ai. Gospodinov në 10 ditët e fundit e ka trandur Bullgarinë, duke u sjellë krenarinë e madhe që mund të sjellë impakti i letërsisë së birit të tyre, ashtu si ka treguar dhe fuqinë e njeriut të mirë, që mund të sjelli ndryshim, të paktën në mentalitet përmes të vërtetave.

Mbase kjo mund të jetë një udhë ndryshimi edhe te PD, por fatkeqësisht të ardhurit ose ata që mëtojnë të vinë, më shumë e bëjnë për protagonizëm, ndërsa të tjerë duken të boshtë dhe patetikë, ndaj fashitet edhe zëri i intelektualëve. Ermonela Jahon e kanë sulmuar me ç’kanë mundur qoftë dhe për një masterclass, ashtu si të tjerë, që as nuk provojnë të rikthehen në vend.

Romani “Time Shelter” që mori çmimin e madh në Britani ka në qendër të librit një personazh, Gaustine, i cili krijon një lloj klinike për njerëzit që humbasin kujtesën. Brenda institucionit, në çdo dhomë riprodhohen dekada të ndryshme të historisë: vitet 1960, 1980, etj. “Humbja e kujtesës është një nga frikërat që më prek më shumë, që prek më shumë shoqërinë… prandaj shkruaj për të.

Unë supozoj se është një frikë që do të jetë më e fortë në shoqëritë që po plaken gjithnjë e më shumë, ku ne duam të jetojmë për një kohë të gjatë e më gjatë”, shpjegon Gospodinov. “Çmimi i gjithë kësaj është kujtesa”.

Shfaqja e një njeriu që mund ta mbledhë PD-në në rastin tonë nuk vjen nga jashtë. Ta respektojmë kujtesën. Shqipëria e ka të pamundur me resurset e saj intelektuale të shkoj diku. Pak njerëzit që janë jashtë dhe kanë vlerë, shfrytëzohen nga politika e ditës.

Më shkurt: PD-ja ka mundësinë t’i rikthehet kujtesës dhe mbi të gjithave vlerave që e ngritën dhe e mbajtën dikur në pushtet. Deri më sot shihet se kujtesa ka humbur, kurse njeriu i tipit Gospodinov, është i pamundur të vijë me nivelet tona, sepse edhe po të jetë një i tillë, vendin e parë do e ketë tek podcast-i i Ramës.

Të fundit

Moti i keq/ Hapet Rruga e Arbrit, probleme në fshatrat e thellë malore

Pas me shumë se 8 orësh që mbeti e bllokuar, rruga e Arbrit është hapur për qarkullimin e automjeteve. Qindra...

Mziu ironizon Gjekmarkajn/ Me fat që është gjallë, duke ditur që s’ka shtyllë kurrizore

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka shpërndarë një meme për kolegun e tij Agron Gjekmarkaj pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së opozitës, ku...

Liria/ Në kujtim të Osman Kazazit, njeriut që luftoi për lirinë brenda ferrit komunist

Nga Paul Luijf * Prej vitesh më ngacmonte ideja që duhet të shkruhej një libër mbi jetën e vështirë dhe njëkohësisht të jashtzakonshme të Osman...

Festat e fundvitit, fëmijët dhe prindërit e skuadrës së kryeministrisë festojnë së bashku

Me rastin e festave të fundvitit, fëmijët dhe prindërit e skuadrës së kryeministrisë kanë festuar së bashku në një aktivtet të organizuar nga kryeministri Edi Rama...

VIDEO/ Momenti i djegies së autobusëve në ish-Uzinën e Autotraktorëve

Në orët e para pas mesnatës tre automjete të transportit publik në ish-Uzinën e Autotraktorëve janë përfshirë nga flakët. Në pamjet e siguruara nga BalkanWeb...

Lajme të tjera

Web TV