Nga Sebi Alla
Gushti po ha dhe pak ditë veten për t’i lënë kohë fillimit të shtatorit, muajit të befasive të mëdha për vendin. Thonë se do tronditen shumë. Maja e politikës, krimi, zyrtarët lokalë, policët e lidhur me bandat dhe lloj e soj njerëzish që i kanë bërë keq Shqipërisë, do e shohin veten keq. Po kur? Në shtator artikulojnë me bindje të plotë ca mendje të ndritura që gjithnjë shtojnë se u del fjala.
Disa përmendin se do të përbyset qeveria fare duke qëndruar vetëm një, ai i madhi. Kryeministri me një të rënë bilbilit do mbledhë kabinetin për t’u thënë: “T’i ik, t’i tjetri dy muaj kohë ke, t’i atje jep dorëheqjen tani, ju të tjerët shpërndahuni”… Në opozitë ka plane edhe më të mëdha në shtator. Thonë se do të mblidhen strukturat, do riorganizohen çdo dy javë; do heqin fare dyert e selisë që të futen prurjet e reja, duke u hapur edhe aty ku nuk janë hapur ndonjëherë. Po drejtësia? SPAK po bën gati ca qindra dosje dhe kërkon të blejë sa më shumë “letër A 4”, për të lëshuar urdhër-arrestet, aq sa printerat do nxehen nga puna e gjatë.
Policët që do mbesin nga reforma e thellë e vetëpastrimit dhe pastrimit nga drejtësia, do kenë nevojë për më shumë pranga. Kapanone të reja që ngrihen me leje të shpejtë për të strehuar të arrestuarit e shumtë… VIP-a të gjithë këta, të futur në ca baraka të përkohëshme, deri në ndërtimin e një burgu të madh, sa shtatë fusha futbolli bashkë. Ndoshta qeveria turke mund të na e dhurojë një big-burg, ku në inagurim do jetë Rama dhe Erdogan.
Në shtator do mbillen edhe parti të reja. Si mund të mbillet në fillim vjeshte? Thonë se kjo bimë speciale e ardhur nga laboratorët e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së i qëndrojnë ngricave për të shpërthyer më pas në pragje fushatash, me fundin që dihet: “u mbollën por bimët u thane pas zgjedhjeve”. Në shtator, në shtator…
Do ndryshojë Rama në shtator…
Ja edhe pak ditë durojeni ju që se keni duruar kurrë dhe çudituni në shtator ju që e adhuroni përherë. “Kush ka ngrënë dardha pas shpinës sime të përballet me drejtësinë. Përgjegjësia është individuale. PS është forca e vetme që përkrahu këtë drejtësi të re”-do të thotë Rama, kur ndonjë prej të tijëve kalon në rrugën e shkurtër “parajsë-ferr”, ose banesë luksi-qeli burgu.
Po këtë Rama e ka thënë edhe më parë. Ama e rithënë në shtator duket me ndryshe. Të paktën për analistët që shprehen se nuk janë militantë apo anëtarë partie, por gjithë ditën e vonë natën bëjnë politikë, madje edhe teksa flenë. Këto çudi dhe haluçinacione verore flasin se në fillim vjeshte shumë gjëra do jenë ndryshe.
Rama ka kaluar shtatorin e dhjetë në qeveri dhe në asnjë shtator nuk ka ndryshuar… Po i njëjti është, po aq i lexueshëm mbetet edhe kur na bën të lexojmë disa statuse të gjata që përngjajnë identik me formën e shkrimeve në librin e tij “Kurban”, këtu e 17 vite më parë. Rama po mban pushtet në këtë formë që e ka mbajtur, qoftë edhe me akuzat e mëdha mbi shpinë, që herë vijnë nga opozita, herë nga shoqnia civile e herë nga drejtësia. Kryeministri nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar.
Nëse mendohet se do jetë i detyruar të ndryshojë për shkak të funksionimit të drejtësisë, apo konjukturave ndërkombëtare, sërish e kanë gabim, që të gjithë, mbi të gjithë të “pagabuseshmit” analisto-opinionistët. Disa kryebashkiakë mund të përçudnohen me video e afera korruptivo seksuale, ministra e drejtorë do kenë dosjet pirg me shuma të frikshme abuzimi në kazzanin e korrupsionit, por sërish Rama nuk do të tutet. Do vijojë të bëjë atë që ka bërë në dhjetë vite.
Si mjeshtër i komunikimit publik, me qëllimin e mbajtjes së pushtetit, Rama mund të kryejë ca lëvizje që ndonjë analist me brumë mund të thonte se kjo punë ngjan me shprehjen: “Hiqja Lenës, vërja Prenës”. Emrat mund të ndryshojnë, qëllimi dhe forma jo.
Në shtator “shpërthejnë” ndërkombëtarë e SPAK-sa
Oh, në shtator pritet të marrë zyrtarisht detyrën edhe ambasadori i ri amerikan. Me gjasë do të thotë: “Prioritet mbetet reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit”.
Po këtë e kanë thënë më parë edhe Donald Lu dhe Yuri Kim…! E rithënë sërish në shtator ngjan më ndryshe, kur nisin analizat e gjata: “Ambasadori i ri me dorë të hekurt…. “Ja çfarë pritet të ndodhë”…. “Çfarë fshihet pas deklaratës së ambasadorit”… “A po i bëjnë dalje Ramës dhe afrohen me Bashën”?… Këtë larmi diskutimesh me strisha të gjera se gjysma e ekraneve televizive do të mbajnë gjallë dhjetëra televizione që i nisin oponionet dhe diskutimet të hënën në darkë dhe përfundojnë të premten, po në darkë vonë.
Kur të mbarojë mandatin ambasadori I ri që në shtator vjen, edhe pasardhësi i ambasadorit pas tre vitesh mund të thotë atë që thanë të tjerët: “Prioritet i SHBA-ve është reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit”… Po ambasadori i ri do vizitojë zyrat e SPAK, KLGJ, BKH, KLD, KLP, ILD, GJK, KPA e KPK me qëllimin: “KÇK”, ose (Kap Ç’të Kap) në lajmet lokale që kur të mbarojë minsioni diplomatic në Tiranë t’i gjendet një tjetër vend sepse “ishte aktiv në Shqipëri”.
SPAK=sat që janë prokurorë dhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do lëvizin edhe ata në shtator… Imagjinojeni, atë që se bënë për ca më shumë se tre vite do e bëjnë në pak ditë, vetëm mos u iktë shtatori…
Eh sa shtatorë do kalojnë, me shumë qytetarë shqiptarë që do vijojnë të shajnë e shfryjnë, ankohen e gërryjnë mendjen dhe më pas harbohen plot qejf në shesh kur qeveria apo bashkitë organizojnë koncerte me muzikë tallava. Harrohen të gjitha, në pritje të ditës së votimit një herë në dy vjet për të zgjedhur “hajdutin e preferuar”.
Opozita do bëjë namin…, por në shtator!
Ka kaq shumë vite që thonë se në shtator do nisin erëra të reja, që vendi nuk do jetë më si më parë. Thuajse gjithë gushtit ia fusin pushim, fundjavave po e po. Më pas, politikanë, gazetarë dhe analistë kapin një qoshe në dhomën ku rrinë apo lokalin ku drekojnë, për të dhënë mend se si do jetë e ardhmja, me parashikime që nisin nga konflikti ruso-ukrainas, deri tek rritja e çmimit të kungujve.
Si për të dhënë lezet daljes televizive në lidhje “Skype” japin edhe parashikimet e radhës se në shtator… opozita jonë do marrë një tjetër formë. Thonë se PD e vulës do rritet, aq sa Basha ka nisur të porosisë bluza me mëngë të gjata thuajse të gjitha ngjyrë të gjelbër të thellë, të ngjashme me uniformat e Forcave Speciale Ushtarake për tua kthyer si “uniform zyrtare” mbështetësve të tij. Në PD-në tjetër, atë të Berishës, situate është edhe më qesharake pasi po punojnë ditë e natë, e sidomos në shtator për të mbajtur ndonjë protestë pasi është oksigjeni më i mirë për kryeliderin e tyre që të paktën tre muaj rresht ka me çtë merret në konferencat e zakonshme javore.
Çfarë është bërë keq e më keq për 32 vite do “zhbëhet” pas pak javësh. Asgjë s’ka për të ndodhur në shtator… E shumta do nisin të bien ca gjethe, shtohen reshjet e shiut, bashkë me ankthin nëse do të rritet apo jo çmimi i energjisë ku vetë Rama do thotë se do rritet dhe më pas jep “lajmin e mirë” se do e shtyjë edhe ca kohë rritjen.
Mos prisni gjë, as këtë shtator e as shumë shtatorë nuk ndodh mrekullia për aq kohë sa sheshet mbushen plot për të kërcyer njerëzia e nuk mblidhet asnjë grusht humanësh për të protestuar për të drejtat e shkelura; pronën e mohuar; korrupsionin në administratë; padrejtësisë e drejtësisë dhe dinjitetin e shitur fare lirë, ndoshta 5 mijë lekë të reja, aq sa Beleri tentoi të blinte një votë.