Pesimizmi për PD-në s’është skepticizëm për demokracinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Përveç masivitetit të të pranishmëve në Kuvendin e fundit Kombëtar të Partisë Demokratike (Legale), pak gjëra mund të konsiderohen si të veçanta.

Tashmë pesimizmi që lidhet me çdo gjë, që vjen nga dy pjesët e PD-së është perceptimi i parë i kujtdo që kundron ndryshimet ose mëtimet për to. Megjithatë, kryetari i rizgjedhur Basha nuk e ka pasur shumë problem, pas turit në bazë.

I është dashur një statut, që t’i përshtatet organizimit dhe ideve të veta dhe largimi i sa më shumë pengesave në udhën e tij. Dhe, duket se këtë e ka arritur.

Madje, edhe me duartrokitje. Për fatin “e madh” i mungon një garë e afërt zgjedhore, Lokale apo e Përgjithshme, me anë të së cilës kjo makinë politike “e riformatuar” do të gjykohej, kurse optimizmi i tij do të provohej.

Deri më tani, zhgënjimi ndaj tyre ka qenë jo thjesht i madh, por ka përcjellë një pesimizëm, që të bën të mendosh se ky formacion nuk është më si më parë dhe… ka pak gjasa të jetë.

Për ironi të realitetit, duhej të mos shqyrtohej më nga askush në PD çështja non-grata e Berishës dhe ajo e dorëheqjes pas humbjes së Bashës. Jo vetëm që nuk ka ndodhur kjo, por duket se njëfarë përshtatje me figurat “e provuara” edhe më tej nuk ndryshon.

Janë ata dhe vetëm ata. Ky është pragu i pesimizmit, me të cilën lidhet çdo perceptim për këtë forcë politike.

Basha ka “meritën” se ka bërë disa lëvizje prej nga ku është shfaqur dhe paradoksi i organizimeve politike te ne.

Normal që ”Mea Culpa” e tij është mirëpritur dhe sidomos pjesa e retorikës së tij, kur pohoi se: trashëgoi një parti të transformuar, të një njeriu të vetëm, por se kjo merr fund sot.

Për Bashën, autori i konfliktit të PD-së është vetëm Sali Berisha, pasi, sipas tij, ai privoi demokratët nga fitorja e Zgjedhjeve Vendore. Për Berishën kuptohet se është Basha.

Ndryshimet statuore i kanë dhënë fuqi plus kryetarit Basha (PD-ja Legale) më “shumë” se edhe Berisha në Partinë Demokratike (Rithemelimin)! Aman, na kanë treguar dhe paradokset në këtë formacion, që duket se nuk mbarojnë.

Një nga ndryshimet statutore që u miratua është përjashtimi nga anëtarësia e atyre që kandiduan për të ashtuquajturat: subjekte të tjera.

Me pak fjalë, bëhet fjalë për të gjithë kandidatët e Sali Berishës, të cilët në zgjedhjet e 14 majit kandiduan nën kupolën e Partisë së Lirisë me logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Por, ndërkohë, Basha i ka bërë një ftesë kujtdo Demokrati të Foltores që të bashkohet me të! Po nuk janë vallë dhe ata që kandiduan?!

Në fjalën e tij kuptohej se të gjithë kanë vend në partinë e madhe demokratike, pa asnjë kufizim: ”Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet partia e parë e së Djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton.

Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të Djathta dhe aleate, të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët”. Po PD-ja Foltore e Berishës s’është e Djathtë?!

A mund t’ia vlejë ky lloj optimizmi, që Basha në orët e fundit e ka shpërndarë me bollëk? A mund të jetë ky momenti i ringritjes së PD-së? Koha do e provojë dhe Basha, tashmë mbetet më pak i shigjetuar nga plagët, që kanë mbushur trupat e Ramës, Berishës dhe Metaj.

Lexo edhe :  Për vetëm 10 mijë votues pa dokumenta, ndër 1.75 milionë që do të votojnë…

Zakonisht, teoritë e ndryshme politike e lidhin pesimizmin me probleme ekzistenciale. “Epistemologjia drejtohet nga provokimet e skeptikëve, po ashtu provokimet e pesimistit qëndrojnë në mënyrë implicite pas shumë shqetësimeve ekzistenciale, të tilla si: kuptimi dhe vlera e jetës, zhvlerësimi (ose vlera) e vdekjes dhe natyra e lumturisë dhe mirëqenies, për të përmendur vetëm disa syresh”, citojmë Paul Prescott te ”What pessimism is”.

Në të vërtetë, ndryshe nga paria e Partisë Demokratike, një pjesë e madhe e mbështetësve të tyre lidhen gati me probleme ekzistenciale dhe kuptohet se pse mbeten pesimistë.

Pa dashur të sjellim argumentime statistikore, kjo provohet nga gjendja e vështirë ekonomike e Klasës së Mesme, por edhe emigrimi masiv në vend, ku njerëzit e bazës së PD-në po e ndIejnë seriozisht.

Fryma tejet optimiste që përcjell Basha do të duhet shpejt të përballet me një luftë të re, që do të thotë sërish kaotizëm, pasi tashmë është radha e Berishës që do ta drejtojë “e menaxhojë” këtë tollovi dhe me një pjesë të PD-së, që përfaqësohet nga sekretari Bardhi. Lufta e brendshme në Partinë Demokratike, që ravijëzohet menjëherë sa marrin fund Kuvendet respektive, tregojnë se cikli i kësaj partie është shumë drejt rënies.

Ndaj, Bashës i duhet një rol, ku duhet të shpikë një personazh krejt tjetër, stad, që mbetet i vështirë.

Në teori përdoret shpesh kategoria “pesimizëm” për t’iu referuar përfundimeve rrënjësisht skeptike në lidhje me përgjegjësinë morale, lidhur me pamundësitë metafizike të vullnetit të lirë. Bie pak erë fatalizëm, si koncept.

Ky përdorim i termit “pesimizëm” nuk duket se është pa arsye edhe në këtë rast. Pesimizmi dhe skepticizmi ndajnë një sërë veçorish të përbashkëta. Ashtu si skepticizmi, pikëpamjet e referuara në kategorinë “pesimizëm” shpesh paraqesin probleme që sfidojnë besimet konvencionale për t’i mbijetuar reflektimit të duhur, mbështetemi sërish në pasqyrimin e Prescott në artikullin e sipërpërmendur.

Duke u afruar në temën tonë: a mundet që Partia Demokratike (Legale) e riformatuar të përballë sfida të reja?!

A janë demokratët në pesimizëm të thellë?! Për të arritur në pesimizëm, skeptiku duhet të mbajë jo vetëm perceptimin se skepticizmi është i vërtetë, por edhe ta përjetojë të vërtetën e skepticizmit si një realitet të keq. Dhe, kohëzgjatja në këtë tollovi të PD-së dhe rikthimi në të njëjtën pikë të ushqejnë me këtë fakt.

Realiteti i tanishëm ta ofron këtë, kur palët e Partisë Demokratike nuk e shohin ende realitetin dhe, madje, mëtojnë të bashkojnë një formacion, që po rezulton të jetë e pamundur. Po a është pesimizmi për PD-në një lloj skepticizmi edhe për demokracinë?

Koha po tregon se kjo po provohet, pasi cilësia, përbërja dhe idetë që përcjellin njerëzit e PD-së, shpesh tregojnë se ndryshimi i vendit është ende shumë i largët dhe mundësia e ndryshimit shumë e vështirë paçka kërkesës së madhe.

Do të duhet një cak i ri, që nuk i intereson tandemit PD dhe PS, e që të dyja këto forca nuk e lejojnë paçka përçarjeve. Por PD-së i duhet të ecë, sepse pas nuk e pret më asgjë, veçse kujtime të dhimbshme të paaftësisë së saj dhe mbi të gjitha bjerrja, që nuk po ndalet.

A është Basha koshient për këtë?

A është ky skepticizëm për demokracinë tonë?! Shkruante dikur Kafka: ”Nga një moment i caktuar e tutje nuk ka më kthim prapa”. Kurse te PD-ja ka ende që duan të kthehen sërish pas, duke evokuar të kaluarën “e lavdishme”.

Të fundit

Mbledhje në PS, kryeministri Edi Rama mbledh drejtuesit e qarqeve dhe ministrat

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur drejtuesit e qarqeve dhe minstrat në saelinë e PS-së. Duke dalë nga Selia e PS-së,...

Cape Town, Bangkok dhe New York janë destinacionet më tërheqëse turistike

Pesë destinacionet turistike më tërheqëse në botë në vitin 2025, sipas hulumtimit të ekspertëve britanikë, do të jenë Cape Town, Bangkok, Nju Jorku, Melburni...

Ministri i Kurtit përfundon në pranga, dyshohet për sulm

Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe biri i tij Fuat Damka kanë përfunduar në prangat e policisë, ditën e djeshme. Të dy...

E buzëqeshur dhe plot stil, Parashqevi Simaku e ftuar VIP në Javën e Modës në New York

Parashqevi Simaku ishte e ftuar VIP në Javën e Modës në New York. Në disa foto të publikuara në internet Simaku shfaqet e veshur...

Tirana renditet e 5-ta në Europë me rritjen më të lartë të çmimeve të apartamenteve

Për periudhën 2021-2023, Tirana rezulton se pozicionohet ndër vendet me rritjen më të lartë të çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve në Europë. Në Europë,...

Lajme të tjera

Web TV