Ndërsa inflacioni njohu rritje të lehtë në shtator duke thyer trajektoren rënëse, një nga grupet me çmimet më të larta rezultonin perimet.
Duke filluar që nga maji, rritja e çmimeve ka qenë dyshifrore duke filluar nga 18 – 26%. Të gjitha perimet janë pjesë kryesore e shportës ushqimore duke rënduar xhepat e qytetarëve. Sipas ekspertëve faktorët kryesorë për këtë rritje çmimesh janë dy
“Së pari janë elementet e kostos që janë më të rënduara se një vit më parë. Unë kam përgatitur një analizë kostosh për domaten. Shikojmë që 26% e totalit të kostove vjen nga fuqia punëtore, vlera e së cilës është rritur me 100%.
Sot, një punëtor në sera kërkon 3000 lekë për ditën e punës nga 1500 lekë një vit më parë. Ndërkohë me 54% kemi kostot e inputeve bujqësore, që edhe pse vlera e tyre ka një rënie, gjithsesi vijojnë të jenë 15-20% më lart. Të dyja këto përbëjnë 80% të kostos së prodhimit. Automatikisht kjo rritje e kostove përcillet tek qytetarët.
Dhe pika e dytë që ka rritur çmimet është kanalet ku kalon produkti, flasim gjithmonë nga fusha, te sera, te grumbulluesi i parë dhe grumbulluesi i dytë.
Secili prej tyre ka nga një marzh fitimi, ndërsa llogaritet që dyqani i pakicës ka edhe 15% të produktit skarco që i kalbet dhe këto reflektohen të çmimi fundor”, tha Ilir Pilku, ekspert bujqësie për TCH.
Shqipëria njëkohësisht ka një deficit në tregtinë e perimeve. Kështu vendi jonë nga 2017 – 2022 ka rritur prodhimin e perimeve me vetëm 15%, ndërsa po në të njëjtën periudhë sasia e eksportuar e perimeve është rritur me 30%.
Kjo ka detyruar vendin që të importojë gjithnjë e më shumë dhe rrjedhimisht me kosto më të larta për konsumatorin fundor.
Edhe konsumi nga bumi i turistëve nuk po ndihmon në këtë drejtim, ndërsa më shumë politika incentivuese nevojiten për prodhimin./ S.M