Nga Erdina CEKANI
Presidenti Trump është kritikuar ashpër sepse, në çdo komunikim të tijin me publikun, e quan Covid- 19 si “virusi kinez”. Por, nëse nisesh nga disa nivele arsyetimi, fundja nuk e ka edhe aq gabim. Ai është një virus i ardhur nga Kina, pra kinez. Nuk u ankua njeri përse gripi i fillimit të shekullit XX u quajt “spanjoll” dhe vazhdojnë t’i referohen edhe sot si i tillë. Kina herë pas here i ka bërë “dhurata” të tilla njerëzimit. Në Mesjetë solli një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në Europë: murtajën. Dhe, si për ironi, edhe atëherë murtaja goditi Italinë më rëndë nga të gjitha vendet. Përpara 15 vjetësh, po nga Kina, në Europë mbërriti Sars-i, i cili kishte një vdekshmëri më të lartë se virusi i sivjetshëm, pavarësisht se nuk përhapej aq lehtë. Dhe, në këtë fillim viti, Covid- 19!
Atëherë, a nuk është me vend të thuhet se vërtet ka ardhur koha që Kina të mbajë përgjegjësi për këto “gjenocide” të herëpashershme që i bën pjesës tjetër të njerëzimit? Mund të thuhet nga shumëkush se Kina nuk mund të mbajë përgjegjësi për diçka që nuk arrin ta kontrollojë dot. Dakord, por ama studime të shumta arrijnë në një përfundim të vetëm: Covid-19, ashtu si disa infeksione të tjera, kanë të njëjtin burim – tregjet e gjësë së gjallë në Kinë.
Në këto tregje mbahen së bashku, në të njëjtat hapësira, kafshë (për t’u përdorur si ushqim apo si kafshë shtëpiake) që, në kushte normale natyrore, nuk mund të qëndronin kurrë bashkë. Kështu, për shembull, kafshë tipike të kontinentit afrikan lihen në një kafaz me kafshë tipike të kontinentit aziatik (!). Në natyrë, këto kafshë nuk do të ishin asnjëherë bashkë, sepse secila ka habitatin e vet. Sigurisht që kjo lloj “bashkëjetese” e detyruar e këtyre kafshëve me njëra- tjetrën sjell edhe ndërveprimin e mikroorganizmave të tyre; si për shembull, të viruseve që mbartin. Kjo shkon për shtat me teorinë se Covid -19 është një “chimera” – pra, një virus i krijuar nga bashkimi i dy viruseve të ndryshme. Po t’i shtosh kësaj edhe kushtet aspak higjienike ku mbahen këto kafshë, atëherë krijohet “receta” e përkryer për lindjen e lloj-lloj “murtajave”.
Pra, Kina, mund të mos ketë faj të drejtpërdrejtë për lindjen e kësaj pandemie (me këtë nënkuptoj teoritë se virusi është krijuar në një laborator), por ka një faj edhe më të madh: lejon funksionimin në vijimësi të këtyre tregjeve të gjallesave (disa hulumtues shkencorë i quajnë edhe “tregje të lagura”), ndonëse autoritetet atje janë në dijeni që ato janë burim infeksionesh. Pyetja që duhet shtruar është: a duhet të mbajë Kina përgjegjësi për këto vdekje masive?
Është rasti të bëhet një paralelizëm me shpërthimin e Çernobilit në Ukrainë, ku një aksident teknologjik mori jetë njerëzore në një rreze shumë më të madhe se hapësira tokësorë e vetë shtetit në fjalë. Megjithatë, sërish duhet thënë se paralelizmi nuk është tërësisht i saktë, sepse pasojat e Çernobilit, në rastin më të keq, u ndjenë në gjysmën e globit, ndërsa Covid-19 ka përhapje planetare. Gjithashtu, Çernobili ishte një gabim njerëzor i pagjasë, ndërsa Covid-19 është një gabim i paralajmëruar, sepse Kina vazhdon t’i mbajë hapur “tregjet e vdekjes”, ndonëse janë bërë disa herë burim infeksionesh. Të paktën, në rastin e Çernobilit u ngarkuan me përgjegjësi zyrtarët më të lartë që drejtonin punët dhe procesin teknologjik të reaktorit – kryeinxhinieri dhe zëvendësi i tij. Po në rastin e Kinës, kush do të mbajë përgjegjësi përpara opinionit ndërkombëtar?
Statistikisht numri më i madh i vdekjeve nga virusi kinez është regjistruar mes atyre në moshë të thyer ose me sëmundje kronike. Por dikush që vuan nga hipertensioni (pra, sipas përkufizimit, nga një sëmundje kronike), me zhvillimin e sotëm të mjekësisë mund të jetonte edhe shumë vite të tjera, por ndërkohë jeta i ndërpritet në mes prej këtij virusi. Po, ashtu, edhe dikush që vuan nga diabeti.
Pas mijëra vitesh kultivimi intelektual, specia njerëzore sot është në kulmin e potencialit të saj mendor dhe, ashtu si çdo specie, edhe ne, këtë potencial e kemi vënë në dobi të gjatësisë dhe cilësisë së jetës sonë. Ndaj nuk mund të lejojmë që, papritur, një virus, i shkaktuar nga dikush që është identifikuar tashmë, të shkatërrojë gjithë këtë sistem që kemi ngritur për të bërë të mundur që, të dashurit tanë, të cilët vuajnë nga diabeti, nga hipertensioni, nga AIDS-i apo që janë në moshë të thyer, t’i kemi pranë edhe për disa vite më shumë.
Shumëkush mund ta konsiderojë këtë qasje si racizëm, por nuk është aspak e tillë, sepse nuk po fajësohen zakonet e ushqyerjes së kinezëve. Për aq kohë sa jetojmë në këtë botë pa e pasur idenë se cila është e vërteta universale, atëherë kush jemi ne që të themi se mënyra europiane e të ushqyerit është ajo e duhura, ndërsa ajo aziatike e gabuara? Këtë ne nuk e dimë. Ama, ajo që dimë me siguri deri tani është mënyra se si tregtohen dhe vriten për t’u ngrënë kafshët në Kinë. Dhe kjo është jashtë çdo kushti higjieno-sanitar.
Me pak fjalë, mund të thuhet se, në njëfarë kuptimi, shpërthimi i kësaj pandemie ishte i paralajmëruar. Ajo që ekspertët dhe politikëbërësit nuk e kishin menduar kurrë dhe u gjetën të papërgatitur janë përmasat, shpejtësia dhe agresiviteti i pandemisë, shto edhe pasojat e saj të menjëhershme: vdekje të parakohshme, probleme psiko-emocionale të njerëzve të mbyllur, dhunë në familje (shumë çifte që dhunohen mes njëri-tjetrit tashmë janë të detyruar të rrinë 24 orë bashkë) dhe një pasiguri e përgjithshme ekonomike.
Burimet:
https://www.reuters.com/video/watch/trump-calls-coronavirus-the-chinese-viru-idOVC5L4ESF?chan=6g5ka85
https://www.medicalnewstoday.com/articles/206309#1
https://www.sciencealert.com/genome-analysis-of-the-coronavirus-suggests-two-viruses-may-have-combined
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC3323155/
https://www.theguardian.com/society/2020/mar/28/lockdowns-world-rise-domestic-violence )