Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherësh deputetja e PS, Etilda Gjonaj ka reaguar në lidhje me vetëvrasjen e një nëne 41-vjeçare në Durrës, që dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshorti e persona të tjerë, si dhe është denigruar në rrjetet sociale.
Gjonaj bën thirrje për vëmendje më të madhe lidhur me risqet që sjell teknologjia dhe rrjetet sociale si dhe thotë se dhuna psikologjike duhet të përfshihet si vepër penale e veçantë në Kodin Penal.
Mesazhi i plotë:
Ngjarja e rëndë e ndodhur ndaj një gruaje dhe nëne të 4 fëmijëve në Durrës, është një këmbanë alarmi për të gjithë ne! Një dhunë psikologjike e ushtruar në mënyrë sistematike ndaj një gruaje, e cila për shkak edhe të kulturës dhe mentalitetit e gjeti veten nën presionin e sulmeve denigruese, duke shkaktuar pasoja fataliste për jetën e saj.
Viktima të dhunës psikologjike në rrjete sociale, nëpërmjet komenteve denigruese të pakontrolluara, në cënim të dinjitetit dhe me gjuhë urrejtje janë të shumta, dhe konsiderohen po njësoj viktima të dhunës ndaj grave. Dhe po kaq vulnerabël janë fëmijët dhe të rinjtë, që aksesojnë në mënyrë të pakontrolluar teknologjinë dhe rrjetet sociale.
E për këtë, duhet të marrim masa urgjente për të mos lejuar viktima të tjera të dhunës ndaj gruas, për të parandaluar dhe dënuar rastet e dhunës ndaj saj, si fizike ashtu edhe psikologjike apo ekonomike, duke luftuar me mentalitetin dhe kulturën herë herë patriarkale ashtu si dhe me marrjen e masave ndaj pasojave, që sjell zhvillimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale në mënyrë të pakontrolluar.
DHUNA PSIKOLOGJIKE duhet të përfshihet si vepër penale e veçantë në Kodin Penal, dhe ne ligjbërësit duhet të marrim masat urgjente për të ndryshuar Kodin Penal, dhe më shumë se ashpërsimi i tij, ka nevojë për adresimin e veprave të reja penale për dhunën ndaj gruas për t’ju përgjigjur zhvillimeve të reja të shoqërisë dhe në përputhje me rekomandimet e GREVIO-s, dhe organizmave të tjera ndërkombëtare.
Është koha për të reaguar të përgatitur ndaj rreziqeve, që sjell zhvillimi teknologjik dhe ai që konsiderohet krimi kibernitik, nëpërmjet masave legjislative parandaluese për të kontrolluar dhe ndaluar gjuhën e urrejtjes dhe denigruese në cënim të dinjitetit njerëzor në rrjetet sociale, ashtu si nëpërmjet aderimit pa rezerva edhe në Konventën e Budapestit për Krimin Kibernitik si edhe në përputhje me konventat dhe rezolutat ndërkombëtare.
Ashtu siç është koha që vetë MEDIA ONLINE të marrë masa për të kontrolluar dhe ndaluar të gjitha komentet, që përbëjnë gjuhë urrejtjeje, cënojnë integritetin, dinjitetin njerëzor dhe jetën personale të çdo njeriu.
Ftoj organet e drejtësisë të kryejnë hetimet e thelluara për këtë ngjarje dhe të nxjerrin para përgjegjësisë jo vetëm autorët, që kanë shkaktuar këtë tragjedi, por edhe institucionet shtetërore nëse nuk kanë marrë masat e duhura për ta parandaluar atë.
I shpreh ngushëllimet e ndjera familjes!/e.t