Presidenti i Balfin Grup, Samir Mane, ka thënë sot se në të gjithë Shqipërinë kompania e tij ka 4200 persona të punësuar, ndër të cilët sipas tij 55% janë aktualisht duke punuar.
Në një lidhje live me emisionin “Opinion”, Mane tha se Shqipëria është në ditët më të kqëija të vetat.
“Për një muaj të mbyllur do të duhen 18 muaj që ekonomia të rikuperohet, Shqipëria në këtë moment është në ditët më të këqija të vetat.”-u shpreh ai.
I pyetur në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve, biznesmeni theksoi se nëse çmimet do të rriten në Europë e njëjta gjë do ndodhë në vendin tonë.
“Nëse çmimet do të rriten në Europë edhe në Shqipëri do të ketë rritje çmimi.”-deklaroi presidenti i Balfin Grup.
Më tej ai theksoi se edhe ajo pjesë e punonjësve të tij që nuk janë duke punuar momentalisht janë paguar dhe se është duke u punuar që të mos hiqet asnjë person nga puna.
“4200 punonjës kemi në Shqipëri, ndërsa 5800 në rajon. Në Shqipëri 55% janë në punë, pjesa tjetër janë në shtëpi për shkak se dyqanet e pakicës janë të mbyllur, të gjithë janë paguar deri tani dhe shqetësimi më i madh ka qenë se si ta bëjmë që të mos i heqim nga puna punonjësit.
Kompanitë e mëdha janë shumë të rrezikuara dhe puna jonë e përditshme është si të bëjmë të mundur që të mos heqim asnjeri nga puna dhe deri në qershor të vitit tjetër mund të mos heqim asnjë nga puna”-deklaroi Mane/Fjala.al/