Ish-agjenti i SHIK, shqiptaro-amerikani Agron Neza, u paraqit dje në SPAK ku u mor në pyetje për rastin “McGonigal”. Në hetimet e prokurorëve amerikanë ndaj ish-kryeagjentit të FBI, Neza përmendet 27 herë, ndërsa dje ka dhënë shpjegime mbi rrethanat që u bë “ndërmjetës” në takimet Rama-McGonigal. Ish-kreu i Kundrazbulimit të FBI po gjykohet në SHBA për lidhje me oligarkë rusë dhe një aferë të mundshme korruptive në vendin tonë.
Shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish-agjent i SHIK (Shërbimit Informativ Kombëtar, sot SHISH)u mor në pyetje nga SPAK për çështjen e shumëpërfolur në vendin tonë dhe SHBA për lidhjen e tij me ish-kryeagjentin e FBI-së Charls McGonigal dhe kryeministrit Edi Rama. Edhe pse qëndroi 6 orë në zyrat e SPAK, Neza doli i qetë dhe nuk dha deklaratë për mediat duke u mjaftuar vetëm me qëndrimin: pyesni prokurorët se përse u thirra”. Për rastin McGonigal-Rama, SPAK ka nisur hetimet pas kallëzimit të bërë nga deputeti i PD-së Gazmend Bardhi. Në SHBA McGonigal po gjykohet për lidhjet me oligarkët rusë dhe një aferë të mundëshme në vendin tonë, si ndikues për të hapur hetim ndaj lobimit të PD-së në SHBA. Në takimin informal me gazetarët në fund të dhjetorit 2023, kreu i SPAK, Altin Dumani duke iu përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve informoi se po vijonin hetimet në kuadër të kallëzimit penal që deputeti Gazment Bardhi kishte bërë në Prokurorinë e Posaçme dhe për të cilin ishte bërë dhe regjistrimi i procedimit penal. Më 24 janar 2023 deputeti Gazment Bardhi depozitoi në SPAK kallëzimin për nisje të hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për ato që ai i cilësoi si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.
Kërkesa për hetim
Pas skandalit të ish-zyrtarit të FBI McGonigal, deputeti Gazment Bardhi i kërkoi zyrtarisht SPAK të nis hetimet ndaj Kryeministrit Edi Rama për korrupsion të nëpunësve të huaj publikë, deklarim të rremë të pasurive, dhe pastrim të parave të pista. Duket se kjo kërkesë zyrtare vuri në lëvizje SPAK. Agron Neza, i cili dje u pyet nga SPAK është njeriu që i dha Charles McGonigal 225 mijë dollarë, pasi ai ndërhyri në Tiranë tek kryeministri Rama për licencat e puseve të naftës. Sipas dosjes së hartuar nga prokurorët amerikanë, Charles McGonigal mori 225 mijë dollarët në një parking në Neë Jersey. Pasi i kishte dhënë paratë, Neza e furnizoi McGonigal me të dhëna dhe dokumenta për nisjen e hetimeve mbi financimin e lobimit të Lulzim Bashës në Shtetet e Bashkuara të Amerikësn në vitin 2017. Të dhënat për hetimin e FBI-së, thuhet se Charles McGonigal i mori mori nga zyra e kryeministrit Rama. Charles McGonigal pranoi fajësinë për akuzat që kishte ngritur prokuroria amerikane dhe tha se qëllimi i vizitave të tij në Tiranë ishte të bënte para.
Dënimi i McGonigal
Një nga agjentët më të lartë të FBI-së, Charles MCGonigal, u dënua me mbi katër vjet burg këtë në 14 dhjetor 2023 për bashkëpunim të fshehtë me një oligark rus, Oleg Deripaskën. Sipas mediave të huaja, Charles McGonigal, ishte një udhëheqës i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork dhe u deklarua fajtor për një akuzë ‘konspirative’. Avokatët e McGonigal-it ishin shprehur kundër burgimit të tij, por gjykatësi u mori një masë të ashpër ndaj ish agjentit të FBI-së. “Kam kryer një krim dhe si ish-agjent special i FBI-së më shkakton dhimbje ekstreme emocionale dhe fizike,” i tha McGonigal gjykatësit përpara dhënies së dënimit. “Unë qëndroj para jush sot me një ndjenjë të thellë pendimi”, tha ai më tej. Gjyqtarja Jennifer Rearden nderoi “kontributet e jashtëzakonshme” të McGonigal për operacionet e kundërspiunazhit në emër të vendit, por vuri në dukje “seriozitetin e jashtëzakonshëm” që kishte zgjedhja e tij për të punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin SHBA e kishte sanksionuar. “Z. McGongial e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione,” tha Rearden para se të vendoste dënimin me 50 muaj të McGonigal. Prokurorët federalë kishin kërkuar një dënim me pesë vjet burg në një memorandum dënimi pasi e akuzuan atë për “abuzim me aftësitë” dhe se kishte përdorur ndikimin që i kishte besuar vendi i tij duke punuar fshehurazi me Deripaskën. McGonigal i është thënë që të dorëzohet tek autoritetet për dënimin e tij me burg më 26 shkurt. McGonigal mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, duke përfshirë Oleg Deripaska, të cilëve u ofronte shërbime të palejueshme. Në një memorandum paraprak të dënimit, avokatët mbrojtës pranuan se McGonigal i ofronte Deripaska shërbime të palejueshme, por argumentuan informacionin që McGonigal i dha Deripaskës në lidhje me një oligark rival të lidhur me interesat e Shteteve të Bashkuara. “Ishte gabim dhe ai e pranon këtë. Por është jashtëzakonisht e rëndësishme që Gjykata të vlerësojë, në shqiptimin e një dënimi të drejtë, që z. McGonigal e kuptoi se puna që ai ra dakord të bënte ishte në përputhje, jo në kundërshtim me politikën e jashtme të SHBA-së. Pra ajo ishte në avancim të sanksioneve ndaj një tjetër oligarku rus,” tha DuCharme.