Lushnja dhe Çështja shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Momenti kërkonte shpëtim kombëtar nga qeveri që luftonte për liri e pavarësi. Ideja e thirrjes së Kongresit kishte pushtuar mendjen e patriotëve e më vonë u kristalizua një mendim unik në një qendër të vetme siç qe Lushnja.

 Nga Kastriot Kotoni

Rruga e vetme për të shpëtuar Shqipërinë e viteve 1918-1920 ishte thirrja  një kongresi të ri. Sepse më parë nën ombrellën e politikës italiane ishte mbledhur një kongres në Durrës me shpresën se do të ngrihej një senat që do të kontrollonte qeverinë, gjë që nuk u arrit sepse nis lëvizja e Haxhi Qamilit.

Ndërkohë qeveritarët e Durrësit nënshkruan më 20 gusht 1919 marrëveshjen me Italinë ku pranonin protektoratin e saj. Megjithëse nga fjala e Mehmet Konicës si kryetar i këtij kongresi i cili denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës më 1915 pas nxjerrjes në shesh të këtij traktati nga bolshevikët e Leninit, duke thënë: “Ne protestojmë me energji vendimin e këtij traktati për dam të Shqipërisë”, por mbeti me kaq.

Fakti që kjo qeveri kish urdhëruar organet vartëse për përkujtimin publikisht përvjetorin e 3 qershorit 1917, kur italianët kishin shpallur “pavarsinë e Shqipërisë”, a thua se shqiptarët nuk e kishin shpallur atë më 28 nëntor të vitit 1912. Por kjo urdhëresë nuk gjeti mbështetjen nga organet vartëse. Kjo tregonte se qeveria provizore e kish thelluar hendekun midis saj dhe popullit. Rrethet që ishin kundër vijës politike të qeverisë së Durrësit, duke kërkuar një mbledhje kombëtare, vazhdojnë të kërkojnë mbledhjen e senatit, por qeverija justifikohej, mbasi kushtet për thirrjen e një kongresi të ri nuk i shikonin akoma të përshtatshme.

Në këto kushte Qeveria e Durrësit më 21.9.1919 vendosi të mblidhte senatin si kundërpeshë për të neutrualizuar goditjet politike të opozitës në përgjithësi. Por senati nuk u mblodh kurrë, megjithëse u lëshuan qarkoret në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ndërkohë ishte firmosur marrëveshja greko-italiane, Titoni Venuzellos, në kurriz të interesave të Shqipërisë. Reaksion të fortë ngjalli ardhja e komisarit të lartë italian pranë Qeverisë së Durrësit, sipas marrëveshje të 20 gushtit. Prania e tij u cilësua nga qarqet patriotike një rrezik “qi po vret çiltaz e drejtpërdrejt indipendencën kombëtare e politike të Shqipërisë”. Iluzioni se mos bënte gjë mbledhja e senatit u zhduk. E vetmja gjë për të shpëtuar nga kjo situatë, ishte thirrja sa më parë e një kongresi të ri kombëtar, i cili duhej të rrëzonte Qeverinë e Durrësit dhe të mos pranonte asnjë bashkëpunim, asnjë marrëveshje me pushtuesit në dëm të Shqipërisë.

Gjithashtu ajo duhet të kundërshtonte përpjekjet e Esad pashë Toptanit i cili nuk linte gurë pa lëvizur për t’u njohur si “kryetar qeverisë së ligjshme” të trashëguar gjoja që nga koha e Vidit. Në kujtimet e tij Hoxha Kadriu thotë se pas dështimit për të bërë një kongres esadist, i cili u kundërshtua edhe nga patriotët shqiptarë, veç Qeverisë së Durrësit dhe italianëve “ u orvat për një kongres Hasan Prishtian e Ali Shefqeti që ndodheshin në Tiranë, por dështoi”…Prej çdo krahina kishte kërkesa për një kongres, por kabineti i Durrësit e italianët bënin çështë e mundur të pengonin”, se “Komiteti Mbrojtja e Kosovës përpiqej të nxirrte leje nga francezët që kongresi të mblidhej në Shkodër, por ata nuk u lejuan”.

Në disa dokumenta të tjera të vitit 1919 flitet edhe për masat praktike që duheshin marrë për mbledhjen e kongresit. Në një thirrje të shpërndarë në atë kohë lexojmë “Sot Atdheu është duke kaluar dekiket më të delikatshme. Nga ky shkak me një shpejtësi si rrufe u çoni shokëve tanë nga një kopje të kësaj shkrese. Mbas përfundimit të një marrëveshjeje të përgjithshme qeveria e sotme do të rrëzohet e në vend të saj ka për t’u emëruar një qeveri tjetër me një këshill Kombëtar”.

Momenti kërkonte shpëtim kombëtar nga qeveri që luftonte për liri e pavarësi, ideja e thirrjes së kongresit kishte pushtuar mendjen e patriotëve e më vonë u kristalizua një mendim unik në një qendër të vetme siç qe Lushnja. Jo pak patriot nga diaspora  e konsideronin ”vetvrasje” rrëzimin e Qeverisë së Durrësit. Trualli për mbledhjen e një kongresi ishte përgatitur dhe nxitje për të ushtronin lajmet që përhapeshin në vend dhe që me anën e tyre populli ynë vinte në dijeni për pazërllëqet që bëheshin jashtë nga përfaqësuesit e fuqive shoviniste serbo-malazese, greke dhe iataliane në kurriz të Shqipërisë. Organizatat patriotike lëshuan kushtrimin “Atdheu në rrezik” dhe i bënë thirrje popullit të vdiste në fushën e nderit dhe të mos u lëshonte asnjë pëllëmbë tokë të huajve.

Kështu patriotët shqiptarë më 31 janar të vitit 1919 vendosën mbledhjen e Kongresit të Lushnjes. Me vendimin përkatës thuhet: “Tue parë se në këtë kohë në Konferencën e Paqes do të caktohet fati i Atdheut tonë”, nga ana tjetër duhet parë se trubullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë e në dobi të synimeve të fqinjëve, të gjithë krahinat e Shqipërisë “çfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme edhe për vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën, që ndodhet në kufitë e Shqipërisë së Veriut e të Jugës. Lushnja me gjithë krahinat e saja është antare e plotë e kësaj mbledhjeje”. Mbledhja caktoi një komision të posaçëm, i cili merrej me organizimin e kongresit. Komisioni formuloi thirrjen dhe programin, të cilin më 1 janar të 1920 ua nisi gjithë katandarisë (bashkive) të Shqipërisë për të zgjedhur dy delegatë.

Lexo edhe :  Më 20 dhjetor 1973 u vra kryeministri spanjoll Carrero Blanco, çfarë deklaroi ETA

Bashkë me thirrjen, gjithë bashkive iu dërgua edhe një program prej gjashtë pikash. Në pikën e parë thuhet: “Qëllimi i mbledhjes së përgjithshme asht sigurimi i bashkimit shqiptar”. Tirana e priti me gëzim të madh këtë kongres e u gëzuan i madh e i vogël. Shkodra edhe pse nën pushtimin francez organizoi zgjedhjet për delegatët duke e detyruar bashkinë që t’i kryente ato. Mes peripecive të pushtimit e të mungesës së rrugëve e komunikacionit kongresi u mblodh në ditën e caktuar më 21 janar dhe meqë mungesa e delegatëve ishte e ndjeshme u la për 28 janar dhe punimet u mbyllën më 31 janar. Popolli i Lushnjes i priti mysafirët kahëhapur dhe siguroi të gjitha kushte për zhvillimin normal të punimeve të Kongresit. Në deklaratën e parë që nënshkroi Kongresi ishte protesta ndaj përfaqësuesve të Italisë ku thuhej: “shqipatarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë tek tjetra si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës”.

Kongresi pasi analizoi veprimtarinë e Qeverisë së Durrësit të cilën e cilësoi antikombëtare e rrëzoi dhe në vend të saj zgjodhi qeverinë kombëtare të kryesuar nga Sulejman Delvina, Zëvendëskryetar i saj u zgjodh Eshref Frashëri dhe anëtar Mehemt Konica për punët e jashtëme, Sotir Peci për arësimin, Hoxha Kadriu për drejtësinë, Ndoc Çoba për financat, ministër të punëve të brendëshme zgjodhi Ahmet Zogun. U caktua një delegacion me emra të rinj për në Konferencën e Paqes i përbërë nga Mihal Turtulli, Imzot Bumçi dhe Mehmet Konica. Çështja e formës së regjimit shkaktoi diskutime të gjata dhe u vendos që të mos dilej kundër vendimit që kishin lënë Fuqitë e mëdha të 29 korrikut të vitit 1913 dhe më vonë të statusit organik në Shqipëri më 10 prill 1914, kishin vendosur  regjimin monarkik, ndaj u mendua për një regjencë prej katër vetësh që do ta kish emërimin si Këshilli i Lartë i përfaqësuar me emrat e Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Bej Toptani.

Kongresi zgjodhi një këshill kombëtar, që u quajt senat, të përbërë prej 37 vetësh, i cili në kushtet e krijuara kur nuk mund të kryheshin zgjedhje të rregullta, do të kryente fuksionet e parlamentit. Të drejtat dhe detyrat e organeve të larta të shtetit u përcaktuan me një akt kushtetues prej 6 nenesh, me “Bazat e Kanunores së Këshillit të Naltë”. Këshilli i Lartë ushtronte pushtetin ekzekutiv. Këshilli Kombëtar ishte i pavarur nga Këshilli i Lartë. Fryma e Kongresit zbehu edhe përpjekjet dëshpëruese të Qeverisë së Durrësit e cila kërkonte t’a shpërndante, por pa asnjë efekt. Kongresistët u betuan përpara Këshillit të Lartë se do ta mbronin e do ta përkrahnin  atë gjithmonë, në rast se vepronte sipas ligjeve të shtetit, duke ruajtur pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Vendimet e Kongresit të Lushnjës u aprovuan edhe nga delegatët e tjerë, që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e tij.

Rëndësia e këtij Kongresi ishte se ai arriti të mobilizoi popullin shqiptar nga rreziku që e kanoste Shqipërinë dhe arriti që të ruante tërësinë teritoriale të vendit. Qeveria e re e dalë nga Kongresi i Lushnjes u përball me shumë vështirësi sepse nuk kishte as xhandamari dhe as ushtri për ta shtrirë autoritetin e vet. Ajo i drejtoi popullit një thirrje më datën 31 janar 1920, i cili të bashkohej rreth programit të kongresit, “ një besë të përgjithshme” për mbrojtjen e tokave shqiptare. Më 11 shkurt të vititi 1920 qeveria vendosi të shpërngulet në qytetin e Tiranës asaj kohe me 15 mijë banorë. Qeveria në pak javë vendosi rregullin në të gjitha krahinat e vendit. Një nga pikat më të rëndësishme për qeverinë qysh në ditët e para të saj i dha një rëndësi të posaçme arësimit. Qeveria e Sulejman Delvinës edhe në planin ndërkombëtar zhvilloi një aktivitet të gjerë diplomatic për të siguruar të drejtat e një Shqipërie sovrane.

Çështja e “Adriatikut” rrinte si çekan mbi kokë për Shqipërinë se Anglia dhe Franca vazhdonin ta përdornin ‘për të kënaqur orekset e të gjitha palëve të interesuara” sikurse ishin shprehur LL. Xhorxh dhe G. Clemenceau në notën e tyre drejtuar më 22 janar 1920 presidentit të ShBA Willson. Ato vazhdonin të hidhnin poshtë kërkesën këmbëngulëse të delegacionit shqiptar. Presidenti amerikan Willson në notën e vet të 6 marsit 1920 deklaroi se ishte gati të firmoste “që kufijtë e përbashkët në krahinën e Fiumes” të caktoheshin me kusht që të mos prekej memorandum i 9 dhjetorit 1919, të mos i jepeshin Jugosllavisë toka shqiptare. “Çështja shqiptare,-në notën e Willsonit,-nuk duhej të përfshihej në bisedimet e drejtëpërdrejta midis Italisë dhe Jugosllavisë” dhe se ai nuk dotë pranonte asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompesim tokëor në pjesën veriore të Shqipërisë për atë që asaj do t’i merrej gjetkë”. Në pritje të përfundimit të marrëveshjes italo-jugosllave, fuqitë e mëdha i pezulluan bisedimet rreth “çështjes së Adriatikut”, si rrjedhim edhe rreth “çështjes shqiptare”.

Nota amerikane krijoi kushte e rrethana të reja për qeverinë e Tiranës e cila ishte e zënë me çështjet e administatës, me organizimin e ushtrisë kombëtare dhe vendosjen e autoritetit të saj në krahinat e pushtuara. Qeveria e Beogradit pasi doli me gishtin në gojë, e pa veten të përjashtuar nga përfitimi i tokave të Shqipërisë us shqetësua nga depërtimi i Italisë në Ballkan do ta kundërshtonte me këmbëngulje aneksimin e italian të Vlorës dhe mandatin e Romës mbi Shqipërinë.

Të fundit

‘Shmangni përmbytjet!’, MM: Priten reshje intensive në 5 qarqe

Java e ardhshme do të nisë me reshje shiu dhe dëbore dhe me ulje të temperaturave. Sot Ministria e...

Wrestling në zi, ndahet papritur nga jeta legjenda Rey Mysterio

Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare legjenda e “Wrestling”, Rey Mysterio. Legjenda e WWE mbylli sytë përgjithmonë ditën e djeshme, duke lënë pas një...

Rama njoftoi mbylljen e Tik Tok, Bardhi hap llogari dhe publikon datën e protestës

Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e djeshme mbylljen e rrjetit Tik Tok për të paktën 1 vit. Tashmë prej kohësh ka qenë në diskutim...

Tregu i gjelave të detit në Baldushk, apeli i Veliajt: Blini produktet lokale

Ashtu siç është bërë traditë për festat e fundvitit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi tregun e gjelave në Baldushk, një zonë...

Protesta e 23 dhjetorit, Këlliçi thirrje qytetarëve të Tiranës

Opozita do të zhvillojë protestën kombëtare të radhës nesër, më 23 dhjetor, në orën 17:00, si pjesë e aksionit të mosbindjes civile. Drejtuesi politik i...

Lajme të tjera

Web TV