Bullizimi që do të thotë tallje, ofendim, frikësim, është kthyer në shqetësimin kryesor të fëmijëve dhe adoleshentëve në vendin tonë.
Sipas raportimeve në nivel europian, Shqipëria dhe Franca janë dy shtetet që e raportojnë më shumë bullizimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Në nivel kombëtar, për herë të parë në thuajse 10 vjet, që ekziston “I Sigurt.al”, bullizmi ka kaluar në ngjarjen numër 1 dhe në incidentin numër 1 që rapotojnë të gjithë, fëmijë, adoleshentë dhe të rritur. Duhet një plan kombëtar për eleminimin e të gjitha formave të dhunës, por unë do të theksoja me synimin kryesor bullizmin në shkollën shqiptare, sepse përndryshe do të shikojmë që këto forma të bullizmit do të kalojnë më pas në vrasje apo vetvrasje.
Dhe ngjarje të tilla, ne i kemi. Rasti i fundit i bullizimit të nxënëses në shkollën 9-vjeçare në Tiranë “Al Zef Pllumi”, i denoncuar nga program Fiks Fare, apo rasti i vrasjes së nxënësit në Gramsh nga bashkëmoshatarët, pas sherrit që nisi online, janë këmbana alarmi. Shkollat tona janë të papërgatitura për ta trajtuar bullizmin. Ministria e Arsimit duhet ta njohë dhe ta pranojë, këtë fenomen e të ngrejë mekanizma në çdo klasë e në çdo shkollë”, tha Altin Haziza-Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri.