NGA ARTUR AJAZI
Kemi dëgjuar të flitet shumë nga oratorët e “Rithemelimit” për një farë “Pranvera arabe edhe në Shqipëri” në fjalimet e tyre. Bëjnë paralelizma bajate, aq sa nuk ja vlen ti dëgjojmë tek flasin sikur Shqipëria të ishte nën diktaturë. Ata që pretendojnë se “33 vjet më parë përmbysën diktaturën dhe sollën demokracinë”, dhe që sot ne paskemi sërish “diktaturë të re”, u duhet thënë se “asokohe gjithçka e solli populli”. Pra, nuk solli demokraci Partia Demokratike, dhe nuk përmbysi “diktaturën komuniste” kjo parti.
Kjo është aq e besueshme, aq sa duhet të mos harrojmë se, kryetari i saj për 25 vjet, ishte sekretar partie në kohën e Enver Hoxhës. Ta përligjësh “konvertimin” nga ish-komunist në demokrat, qenka e drejtë ? Atëhere si ta kuptojmë faktin se, edhe pse ishte komunist u bë “demokrat”, kurse sot Edi Rama na qenkësh “komunist, enverist”, pa qenë asnjë ditë të vetme anetar etj..etj..
Por vitet kaluan, dhe dihet se si Partia Demokratike u drejtua, u formëzua, u privatizua, u rrënua, u katandis në pronë klanore, dhe hiç fare u modernizua. Kjo situatë ku ndodhet sot ajo parti, është pasojë e një periudhe skandaloze drejtimi, ku u kultivua veçse kulti i individit, aq sa edhe sot pas 33 vitesh, thonë se “pa Saliun PD mbaron”.
Kjo mendësi i takon partive marksiste-leniniste, partive komuniste afatgjata në pushtet. Kjo ka ndodhur edhe tek ne, pas Enver Hoxhës, kur njerëzit thonin se “tani na mori lumi”. Dhe “mësimet nga partia mëmë” i mbante mënd përmëndësh njeriu që pas 1992 u bë jo vetëm kryetar PD-je, por edhe president i vendit.
Drejtoi dhe menaxhoi me dorë të fortë jo vetëm partinë e tij, por edhe vendin, aq sa kaluam vite të tmerrshme si 1997, 1998, apo dhe më pas. Ashtu “rrakapjekthi” PD erdhi deri ditën e sotme, përmes peripecive, halleve dhe problemeve të lidershipit, duke diskutuar ekzistencën e saj politike.
Sot PD, drejtohet sërish nga Berisha, dhe nuk ka nevojë për komente të shumta. Nga ballkoni, ai ka nxjerrë në turin “pranveror” shpurën e tij, njerëz që i mori me marifete të ndryshme nga grupimi i Bardhit, dhe po i dergon në rrethe dhe zona të ndryshme të vendit, për ti “ngritur në protesta dhe mosbindje civile”.
Imagjino, në një kohë kur vendi dhe shqiptarët kanë nevojë për qetësi, kthjellim mendor dhe fizik, kur njerëzit duan rritje pagash, rritje ekonomike dhe investime në qytetet dhe fshatrat e tyre, një parti politike, e ndarë në porcione-porcione, bën thirrje për anormalitet dhe kaos social. Duke dashur të manipulojnë opinionin publik, dhe duke mos u marrë me problemet e shumta që e kanë mbytur atë forcë politike, Rithemelimi ka harruar “leksionet” e marra në 5 humbjet e fundit zgjedhore.
Udhëtimi në pranverë nëpër qytetet e vendit, dhe premtimet e bujshme se “ne do jemi fituesit e zgjedhjeve në 2025” (kur nuk kanë asgjë të sigurtë brënda partisë tyre) janë dëshmia e duhur e një realiteti anakronik që ka mbërthyer në përgjithësi opozitën, dhe në veçanti Rithemelimin.