Ndërsa vendin e ka mbërthyer pandemia e Covid-19, Gjykata e Apelit në Durrës gjen kohën të zhvillojë gjyqin kundër OSHEE-së. Seanca gjyqësore e ndërmarrë në mungesë të plotë të transparencës, kryhet në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ka vendosur të pezullojë veprimtarinë dhe shërbimet gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë nga COVID 19.
Duket se ky vendim nuk ka gjetur zbatim në Apelin e Durrësit, i cili përmes një trupe drejtuar nga gjyqtari Desart Avdulaj, planifikon të zhvillojë procesin gjyqësor ndaj OSHEE, në një sallë ku minimalisht pritet të jenë të pranishëm 30 persona, duke u kthyer kështu në një rrezik për përhapjen më tej të epidemisë.
Duhet theksuar se kjo seancë gjyqësore, ndërmerret në një kohë kur OSHEE, ka vendosur të ulë pagat e punonjësve me 30%, për shkak të krizës nga koronavirus dhe ky proces gjyqësor me vlerë mbi 200 mln lekë, e vështirëson më shumë situatën në këtë institucion.