Gjatë Luftës së Ftohtë, 8 vende të bllokut komunist, përfshirë Bashkimin Sovjetik, nënshkruajnë një traktat të mbrojtjes reciproke të quajtur Traktati i Varshavës. Antare të saj ishin, Bashkimi Sovjetik, Polonia, Gjermania Lindore, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, dhe Shqipëria.
Dy aleancat
Pakti i Varshavës u formua në vitin 1955, kryesisht si një kundërpërgjigje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj europiano-perëndimorë, për të përfshirë një Gjermani të ri-armatosur në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). NATO u krijua në prillin e vitit 1949 si një aleancë ushtarake mbrojtëse midis Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe disa kombeve evropiane për të penguar zgjerimin e mundshëm sovjetik në Europën Perëndimore.
Në vitin 1954, vendet e NATO-s, votuan për të lejuar anëtarësimin në organizatë të një Gjermanie Perëndimore të ri-armatosur. Sovjetikët u kundërpërgjigjën me themelimin e Paktit të Varshavës. Anëtarët kryesorë përfshinin Bashkimin Sovjetik, Gjermaninë Lindore, Poloninë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë. Por mungonte Jugosllavia. Nw mbledhjen nwnwshkryese delegacioni i Bashkimit Sovjetik udhëhiqej nga kryeministri, Nikolai Bulganin, ministri i Jashtëm Molotov dhe dy ushtarakë Zhukov dhe Koniev. Kryeministrat e Ukrainës, Bjellorusisë, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë ishin gjithashtu të pranishëm, së bashku me një gjeneral komunist kinez si vëzhgues. Edhe pse sovjetikët pretendonin se organizata ishte një aleancë mbrojtëse, shpejt u bë e qartë se qëllimi parësor i paktit, ishte përforcimi i dominimit komunist në Europën Lindore.
Organizimi
Pas kalimit të afatit prej 20 viteve, afati i Traktatit zgjatej automatikisht për 10 vite të tjera, nëse një vit më parë nuk është bërë tërheqja e ndonjë anëtari. I rinovuar në 1975 dhe përsëri në 1985, traktati parashikoi një komandë ushtarake të unifikuar, fillimisht nën drejtimin e Marshall Koniev, të dominuar nga Ushtria e Kuqe dhe me selinë e saj në Moskë. Armët u standardizuan dhe u prezantuan manualet ushtarake të Ushtrisë së Kuqe, me stërvitje të përbashkët, manovra vjetore dhe uniforma të stilit të Ushtrisë së Kuqe. Pakti i obligonte anëtarët e saj për konsultime mbi çështjet e interesit të përbashkët dhe për ndihmë të mënjëhershme ushtarake në rast të ndonjë sulmi në Evropë mbi një apo më shumë anëtarë të paktit. Organet kryesore të paktit me qendër në Moskë ishin: Byroja e Këshillit Politik (Polibyroja) dhe Kryekomanda e Bashkuar. BRSS-ja, gjithnjë kishte Kryekomandën e forcave të armatosura. Ata ishin, I. S. Konjev nga 1955-60, A. A. Greçko 1960-67, I. I. Jakupovskij 1967-76 dhe nga 1977-ta, V. G. Kulikovi. Stacionimi i trupave sovjetike në vendet partnere, rregullohej me marrëveshje të veçanta bilaterale. Secili vend në Traktatin e Varshavës premtoi të mbrojë të tjerët kundër çdo kërcënimi të jashtëm ushtarak. Ndërsa organizata deklaroi se çdo komb do të respektonte sovranitetin dhe pavarësinë politike të të tjerëve, secili vend ishte në një farë mënyre i kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik.
Hungaria dhe Çekosllovakia
Traktati i Varshavës u zhvillua si një instrument politik në duar të BRSS-së, si fuqi udhëheqëse e bllokut lindor. Përpjekjet e qeverisë kryengritëse hungareze të Imre Nagit, në tetor/nëntor 1955, për të tërhequr anëtarësimin e Hungarisë nga Pakti i Varshavës, ishin vendimtare për marshimin e trupave sovjetike në Hungari në nëntorin e vitit 1969-të. Përpjekjet e reformave komuniste në Çekosllovaki, në 1968, BRSS-së, ju dukën jo vetëm si një devijimi nga ideologjia komuniste, por edhe si rrezik i mbajtjes së përbashkët të Lidhjes. Pas marshimit të trupave sovjetike në Çekosllovaki, në gusht të 1968-ës, Shqipëria tërhiqet nga Pakti i Varshavës.
Shqipëria në Traktat
Forcat ushtarake shqiptare nuk morën asnjëherë pjesë në manovrat e organizuara në kuadrin e Paktit të Varshavës. Që nga viti 1960, – kur marrdhëniet me ish Bashkimin Socjetik ishin në një krizë të thellë, – Shqipëria nuk mori më pjesë në asnjë aktivitet ose mbledhje të Paktit të Varshavës. Me 12 shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat e Paktit të Varshavës, Shqipëria deklaroi daljen nga ky traktat. Më 20-21 gusht 1968, BRSS-ja duke shfrytëzuar një stërvitje të forcave të Traktatit të Varshqavës, ndërhyri ushtarakisht në Çekosllovaki. Këtë akt Shqipëria e dënoi fuqishëm. Pikërisht për këtë shkak, më 13 shtator 1968, Shqipëria deklaroi zyrtarisht largimin nga Traktati i Varshavës.
Fundi i marrëveshjes
Megjithatë nga fundi i viteve 1980, lëvizjet anti-sovjetike dhe antikomuniste në të gjithë Europën Lindore filluan të lëkundin themelet e Paktit të Varshavës. Në vitin 1990, Gjermania Lindore e braktisi paktin në përgatitje të ribashkimit të saj me Gjermaninë Perëndimore. Polonia dhe Çekosllovakia, dëshmuan gjithashtu dëshirën e tyre të madhe për t’u tërhequr. Përballe kësaj situatë, duke vuajtur nga një ekonomi e lëkundur dhe nga një situatë e paqëndrueshme politike, Bashkimi Sovjetik u dorëzua para të pashmangshmes. Në marsin e vitit 1991, komandantët ushtarakë sovjetikë hoqën dorë nga kontrolli i forcave të Paktit të Varshavës. Disa muaj më vonë, Komiteti Politik Konsultativ i Paktit u takua për herë të fundit, dhe njojhu zyrtarisht atë që kishte ndodhur: Pakti i Varshavës kishte pushuar së ekzistuari.
Përgatiti për botim: L.Veizi