Kreu i qeverisë Edi Rama përmes një videoje të publikuar në Facebook-un e tij tregon se si do të merret nga e hëna leje-dalja për automjetet përmes aplikacionit e-albania.
Rama tregon detajet se si bëhet aplikimi, duke iu dhënë fund pritjes së qytetarëve për të marrë autorizimin nga e-mailet e Policisë së Shtetit edhe pse sipas kryeministrit ato mbeten të vlefshme.
Sipas manualit, mjafton të futeni në aplikacionin e-albania në kategorinë, leje për automjet, dhe duke futur të dhënat tuaja bashkë me shasinë e mjetit, merrni lejen e nevojshme. Leja për automjetet vlen vetëm për fashën orare 05:00-08:00 dhe 16:00-17:30. Ndërsa ata që punojnë me turne, do të duhet të futen në kategorinë punë me turne dhe të caktojnë orën fikse se kur shkojnë apo se kur kthehen nga puna. Autorizimet janë vetëm për ata që bëjnë rrugën shtëpi-punë-shtëpi. Të gjithë të tjerët do të kenë pasoja penale e ligjore.
“Leje-dalja me automjet përmes e-albania i jep fund e-maileve dhe pritjeve të deritashme për përgjigje. Https://e-albania.al/. Ju lutem atyre që duan autorizim për të shkuar në punë javën tjetër të ndjekin me vëmendje video-udhëzimin dhe të testojnë sistemin e ri që përmes e-albania i jep fund pritjeve për aprovimin e autorizimit. Lexoni me vëmendje në hyrje të portalit e-albania lajmërimin që ju shfaqet, ku do të gjeni qoftë kategoritë e lejuara këtë javë për punë, qoftë protokollin sanitar të sigurisë. E përsëris, sistemi po testohet që deri nesër të jetë plotësisht funksional, prandaj mos u mërzisni nëse do të hasni ndonjë vonesë në aprovim, sepse pjesëmarrja juaj në testim ndihmon në kolaudimin e sistemit. Lexoni po ashtu me vëmendje pasojat ligjore e penale për shkelësit e kufizimeve të posaçme anti-covid të qarkullimit në këmbë apo me automjet,”- shkruan Rama krah videos.