Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ka zgjedhur një poezi të shkruar nga babai i saj i ndjerë për ta përkujtuar atë në ditën kur ai ndërroi jetë.
Poezia që Besiana Kadare ka zgjedhur të publikojë në rrjetet sociale titullohet “Kohë e pamjaftueshme”.
Kohë e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja t’i nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare në orët e para të mëngjesit të së hënës në banesën e tij në kryeqytet nga shkaqe natyrale.
Këshilli i Ministrave miratoi pasditen e djeshme dy ditë zie në nder të shkrimtarit me famë botërore. Flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë.
Sakaq, nesër do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore te Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 9:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në 12:30.
Ndërkohë në orën 13:00 të së mërkurës çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe./e.t