Seanca e jashtëzakonshme parlamentare, e cila ishte planifikuara të mbahej sot në orën 18:00, është shtyrë për ditën e nesërme. Në këtë seancë ishte planifikuar të votohej për kryetaren e re të Kuvendit Elisa Spiropali.
Deputetët e PS janë njoftuar në mbledhjen e grupit se seanca do të shtyhet për nesër për shkak se Presidenti ende nuk i ka dekretuar ndryshimet në qeveri.
Bëhet me dije, se ndryshimet në qeveri janë në proces verifikimi nga Presidenca, ndërsa kryeministri Rama u ka kërkuar deputetëve që të rrinë në gatishmëri për çdo orë kur mund të thirren.
Sakaq, ditën e djeshme kryeministri tregoi nxitim për të dorëzuar personalisht në Presidencë dekretet për ndryshimet e reja në qeveri, pak pas përfundimit të Kongresit të Partisë Socialiste.
Në Kongres, Rama njoftoi ndryshime në kupolën drejtuese të mazhorancës në Kuvend, me Elisa Spiropalin që zëvendëson Lindita Nikollën. Lëvizjet prekën edhe qeverinë, ku më i bujshëm ishte largimi i Taulant Ballës nga detyra si ministër i Brendshëm. Ai do të zëvendësojë Spiropalin duke qenë ministri i ri i Shtetit për Parlamentin. Ndërkohë, tre emra të rinj pa profil politik, marrin drejtimin e Financave, Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme./ S.M