Gazetari shqiptar që raporton nga SHBA për pandeminë e koronavirusit. Si e përjetoi karantinën e detyruar pasi u dyshua se ishte infektuar; rikthimi tek poezia dhe muzika për t’i shpëtuar bombardimit të lajmeve
Nga Alessia Selimi
Shtetet e Bashkuara është vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga pandemia Covid-19, ndjekur nga Spanja dhe Italia. Rreth 2600 të vdekur janë shënuar gjatë 24 orëve, kjo shifra më e lartë e arritur brenda një dite në të gjithë botën. Saimir Sulaj, një kontraktor i pavarur dhe ndihmës regjizor për programe televizive në Uashington DC, raporton për mediat shqiptare, kosovare dhe maqedonase përsa i takon zhvillimeve në kontinentin e largët. Ai thekson se rrugëtimi i tij i rastësishëm në botën e televizionit gëzon si pikënisje karrierën si gazetar në Shqipëri. Kësisoj brenda tij ekziston ende gazetari i dikurshëm, ndonëse ky profesion nuk i siguroi kurrë të ardhura të mjaftueshme.
Saimiri sjell për “Fjala” një panoramikë të asaj se çka po ndodh momentalisht në SHBA, sikurse edhe eksperiencën e tij personale, të të qenit i izoluar brenda një periudhe 14-ditore. Nuk mungon një qendrim kundrejt masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid-19. Por, edhe ndaj trumbetimit të kahershëm të presidentit amerikan Donald Trump për të mbrojtur veçanërisht ekonominë e vendit, pavarësisht numrit të lartë të të prekurve dhe viktimave. Saimiri ndalet gjithashtu edhe tek komuniteti shqiptar në SHBA, duke mëshuar se mbledhja e ndihmave ka qenë dhe mbetet një prej vlerave më të spikatura të tyre.
Raportohet se SHBA është “pushtuar” nga pandemia Covid-19. Në shikimin e një gazetari dhe rezidenti, si paraqitet momentalisht situata?
Janë mbi 800 mijë raste të konfirmuara të prekurish nga Covid-19 dhe numri i viktimave po shkon drejt 50 mijë. Shteti i Nju-Jorkut, me qytetin e Nju-Jorkut në krye, mbetet më i godituri. Është e trishtë të shohësh se si “qyteti që nuk fle kurrë”, të ketë një jetë kaq pasive. Ekspertët thonë se lakorja e ecurisë së pandemisë në SHBA është e sheshtë dhe që pas kësaj do të vijë tatëpjeta e kësaj lakoreje. E gjitha kjo ka shkaktuar panik që vijon ta mbajë të mbërthyer vendin, sidomos në zonat më të goditura. Në Shtetet e Bashkuara po ndodh ajo që quhet lockdown. Kjo ka të bëjë me mbylljen e aktiviteteve sportive, kulturore dhe artistike, mbylljen e bizneseve jo thelbësore për jetën e njeriut dhe aplikimi i asaj që quhet distancim shoqëror. Njerëzit nuk janë të detyruar të qëndrojnë mbyllur në shtëpi. Ne mund të dalim nga shtëpitë tona dhe për sigurinë tonë apo të të tjerëve jemi këshilluar dhe përpiqemi të qëndrojmë sa më larg njëri-tjetrit. Në shumë shtete mijëra protestues kanë dalë në sheshe dhe rrugë këto ditë duke kërkuar hapjen e aktiviteteve dhe bizneseve.
Ju personalisht, si po e përballoni betejën e njerëzimit ndaj koronavirusit?
Në ditët e fundit të marsit dhe të parat e prillit kam qenë i detyruar të qëndroj në banesë, në karantinë, pasi isha ekspozuar ndaj dikujt që një pjesëtar i familjes i rezultoi pozitiv me Covid-19. Më këshilluan që për sigurinë e njerëzve përreth meje, të qëndroj i izoluar për një periudhë 14-ditore, aq sa mendohet se është e nevojshme. Fatmirësisht gjatë gjithë atyre 14 ditëve nuk paraqita asnjë simptomë të kësaj sëmundjeje. U përpoqa të jem qytetar i përgjegjshëm dhe të mos e kaloj pragun e banesës për sigurinë e fqinjve të mi apo kujtdo që mund të qëndronte pranë meje. Kjo rastisi dhe me ditëlindjen time që ashtu si kurrë më parë e kalova krejt i vetëm, duke u mjaftuar me urimet përmes mesazheve e videotelefonatave nga miqtë dhe njerëzit më të rëndësishëm për mua.Ditët e para ishin të vështira. Në momente të tilla njeriu mendon çdo gjë, edhe skenarët më të vështirë. Isha i mbërthyer para televizorit, duke u bombarduar me informacione. Të gjitha këto, dhe mendimet, nuk më linin të qetë e për rrjedhojë edhe pa gjumë. Shumë shpejt kuptova që këto po më dëmtonin dhe po rrezikonin imunitetin e trupit tim. Ndaj nisa të disiplinoj ditët e mia. Pakësova sasinë e informacionit në lidhje me Covid-19, duke filtruar vetëm më të rëndësishmit. Nisa një dietë të shëndetshme ushqimore dhe vijova rregullisht ushtrimet fizike, përmes disa mjetesh palestre që mbaj në shtëpi. Të gjitha këto dhanë efektin e tyre dhe përveçse ruajta një imunitet të fortë, arrita edhe një gjendje shumë të mirë fizike, duke humbur edhe ato kilogramët e tepërt që kisha fituar që prej kohës së festave të fundvitit. Gatimi i shëndetshëm, por edhe eksperimentimi i recetave të reja, u bë pjesë e ditës sime. Gjithashtu u përqëndrova më shumë në disa projekte që kisha lënë mënjanë prej ca kohësh për shkak të intensitetit të jetës.Në të njëjtën kohë u përpoqa të ushqej shëndetshëm mendjen dhe shpirtin. Leximet u shtuan dhe iu riktheva edhe një pasioni sa të ri, aq edhe të vjetër timin: poezisë. Kisha kohë që nuk po shkruaja më, por siç thonë se alkooli dhe huaja financiare merren në kohë të mira dhe të këqija, e tillë është edhe poezia. Poezia shkruhet në ditë kur je i lumtur, por edhe në vështirësi. Madje në gjykimin tim, poezitë më të bukura kanë lindur nga dhimbja. Prej dy vitesh kam blerë edhe një kitarë, që nuk doja të qëndronte në shtëpinë time si dekor gjoja i një intelektuali, gjë që ndodh rëndom. Ato ditë karantine nisa të mësoj disa melodi të thjeshta përmes videove tutoriale. Të gjithë këtë rutinë vijoj ta ndjek edhe tani që karantina ime e detyruar ka mbaruar dhe që shkoj në punë. Sërish ekziston frika për veten dhe të afërmit, por edhe ndjesia e çuditshme që na jep një botë ndryshe, kur jemi të detyruar të qëndrojmë larg njëri-tjetrit. Kohë të tilla të vështira bëjnë që njeriu të reflektojë. Ashtu siç thotë edhe personazhi kryesor i një prej filmave të famshëm hollivudianë për të rinj të viteve 80, “jeta ecën shumë shpejt dhe nëse nuk ndalesh një moment për ta shijuar, ndodh që ajo ikën pa e parë fare”.
Si ju duken masat ndërmarra të qeverisë shqiptare për parandalimin e pandemisë Covid-19?
Personalisht gjykoj që janë shumë të rrepta dhe të ekzagjeruara. Ka një tendencë të krijimit të një shteti policor. Ashtu siç kjo qeverisje ka treguar gjatë tërë këtyre viteve, duket se më shumë janë përqëndruar në propagandë sesa në masat e nevojshme. Ndërkohë që e gjitha kjo sillet vërdallë një njeriu të vetëm, që e heq veten si shpëtimtari i kombit. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që njeriu mund të përfundojë të ketë lloje të ndryshme deliri, por këto tentativa për t’u hequr si babai dhe shpëtimtari i kombit, për shqiptarët veç sa sjellin reminishenca të frikshme të së shkuarës. Unë besoj se shqiptarët nuk kanë nevojë për një figurë atërore që përkujdeset për ta. Ata kanë nevojë për një qeverisje të përgjegjshme dhe grupe pune të udhëhequr nga ekspertë që ndihmojnë njerëzit. Tek e fundit për këtë i paguajnë taksat, për shërbime dhe përkujdesje të përgjegjshme ndaj tyre e jo për të kënaqur ambiciet dhe deliret e pushtetarëve.
Po përsa i takon qendrimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka trumbetuar veçanërisht për ekonominë gjatë kësaj periudhe të vështirë, çfarë mendoni?
Për sa i takon presidentit Trump, është ende e paqartë se çfarë vendimi do të marrë për rihapjen ose jo të vendit. Prej fillimit ai është akuzuar se nuk e ka marrë seriozisht këtë situatë pasi nuk donte që të ndikohej ekonomia amerikane, që duhet thënë se po lulëzonte si kurrë më parë këto kohët e fundit. Këtu në SHBA janë guvernatorët e shteteve ata që do të thonë fjalën e fundit nëse ekonomia e tyre do të hapet ose jo. Ata kanë të drejtën e vetos. Trump po u bën thirrje prej ditësh guvernatorëve që pak nga pak të nisin hapjen e shteteve të tyre. Disa guvernatorë të shteteve jugore, të njohur si shtete që mbështesin republikanët, janë shprehur se duke nisur nga fillimi i majit do të nisin hapjen. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
Ka një dallim të qendrimit dhe sjelljes së komunitetit shqiptar në SHBA kundrejt pandemisë nga komunitetet e tjera dhe vetë amerikanët?
Nuk besoj që ka. Shumë shqiptarë janë angazhuar në punë vullnetare në ndihmë të bashkësisë ku jetojnë. Bashkësia shqiptare në SHBA ka një traditë të vjetër të ndihmës që jep për të tjerët, veçanërisht ndaj vendit amë. Kjo traditë ka nisur që prej krijimit të saj. Kujtojmë ndihmën e madhe që kanë dhënë për pavarësinë e Shqipërisë dhe sidomos ruajtjen e kësaj pavarësie gjatë Konferencës së Paqes në Paris, përpjekjeve për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe sidomos për mbështetjen e luftës për liri në Kosovë dhe deri në arritjen e pavarësisë. Bashkësia shqiptare është e përqëndruar më së shumti në zonën e njohur si tre shtetet, Nju-Jork, Nju-Xhersi dhe Konektikat. Dhe me sa kam dijeni, shumë shqiptarë janë angazhuar në punët vullnetare në komunitet për të ofruar ndihma, në formën e paketave ushqimore për banorët në nevojë, sidomos në zonën e Bronksit në Nju-Jork, zonë deri diku me më shumë njerëz në nevojë. Këtu ku unë jetoj, jemi një bashkësi më e vogël shqiptarësh por përpiqemi të jemi në kontakt të vazhdueshëm, në mos për aktivitete, së paku virtualisht. Në grupin tonë virtual, prej ditësh qarkullon një fond, ku të gjithë jemi të ftuar të ofrojmë ndihmën tonë financiare që do të shkojë për punonjësit e shëndetësisë, për të lehtësuar punën e tyre. Mbledhja e ndihmave ka qenë dhe mbetet një prej vlerave më të spikatura të bashkësisë shqiptare në SHBA.
Keni ushtruar dikur profesionin e gazetarit dhe raportoni vazhdimisht për mediat vendase. Nisur nga kjo, ku dallon gazetaria e kolegëve shqiptarë nga ajo e kolegëve të huaj? Marrim gjithashtu parasysh raportimet e bëra së fundmi për pandeminë Covid-19.
Fillimisht dua të them se e respektoj punën e madhe dhe të stërlodhshme të kolegëve të mi në Shqipëri, që shpesh punojnë në kushte të vështira, në trysninë politike dhe ekonomike dhe të keqpaguar, apo me pagesa të vonuara për kushedi sa muaj. Është realitet i hidhur që fatkeqësisht nuk ka ndryshuar shumë që prej kohës që unë punoja në Shqipëri. E kam ndjekur punën e tyre me aq sa mundem dhe është tejet profesionale dhe jo me shumë mangësi krahasuar me standardet profesionale amerikane.
Nëse do të flas për botën e gazetarisë televizive, të cilën e njoh më mirë dhe e prek edhe nga afër këtu në SHBA, do të doja të shihja në televizionet shqiptare kronika më të shkurtra dhe përqëndruara, më shumë grafika që të ilustrojnë informacionin që jepet, dhe me sinkronë tejet më të shkurtër. Atyre që intervistohen apo jepen si sinkron në televizionet shqiptare u jepet një kohë tepër e gjatë, gjë që sigurisht, të intervistuarve, sidomos politikanëve u leverdis. Në televizionet amerikane, është gazetari/ja që përmes raportimit, që shpesh herë ose pothuajse kurdoherë ndërthuret në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë edicionit qëndror të lajmeve, e udhëheq historinë që sjell për shikuesit dhe i lë personazhit të intervistuar, sinkronë tepër të shkurtër, aq sa është e nevojshme për të treguar ligjëratën e drejtë të tyre./Fjala.al