Gjashtë mijë votues nuk kanë marrë pjesë në votim për shkak se kishin kartat e identitit të pavlefshme. Për mazhorancën ky ishte një ngërç ligjor, ndërsa për opozitën ishte taktikë për mos votuar të djathtët.
Gjashtë mijë votues në Himarë nuk kanë arritur të votojnë për kryetarin e bashkisë për shkak të skadencës së kartës së identitit. Shifrën e konfirmoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili u shpreh nga Himara se kjo çështje nuk lidhet me KQZ-në. Sipas Celibashit, i njëjti precedent i shënuar edhe në zgjedhjet e vitit 2023 mori zgjidhje nëpërmjet një akti normativ nga ana e Këshillit të Ministratve, ndërsa në zgjedhjet e pjesshme të Himarës, ai tha se nuk ka patur asnjë shqetësim për këtë çështje. “Është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues që dokumenti i identifikimit ose u ka skaduar, ose u skadon ditën e sotme. E njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, për personat që nuk kanë pasur dokument identifikimi të vlefshme. Përse për këto zgjedhje nuk u mor një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave me anë të një akti normativ për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit, unë nuk mund ta them. Ne e kemi bërë këtë komunikim me Këshillin e Ministrave sa herë që zyrtarisht ka patur një kërkesë nga partitë politike për këtë çështje, nuk e kemi patur një kërkesë zyrtare nga partitë politike. E kemi pasur në mënyrë informale ditët e fundit. Ne nuk kemi pasur komunikim sot me përfaqësues të qeverisë për këtë çështje, sepse nuk mund të zgjidhej sot. Por në fund të fundit është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve”, tha Celibashi.
Reagimi i Gjikurisë
Kandidati i opozitës në garën për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria bëri përgjegjës qeverinë. “Vitin e kaluar u lanë njerëzit të votojnë me karta të skaduara, ndërsa këtë herë nuk u lejuan dhe ky është problem pasi socialistëve i jepnin karta për 24 orë, kurse anës tjetër i thonin për dy javë. Këtu i bënjë ligjet si duan vetë. Sot ata llogarisin numrat dhe i nxjerrin ligjet si të duan”, tha Gjikuria.
Reagimi i Tavos
Ndërsa kandidati socialist, Vangjel Tavo, i pyetur për këtë çështje, tha se ajo u takonte institucioneve ta zgjidhin. “Çështja e kartave nuk është çështja ime, por e organeve KZAZ, KQZ, është çështje e ligjit dhe mbi ligjin nuk mund të dalë asnjë njeri. Nuk kam asnjë koment”, tha Tavo.
Reagim i Nokës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat drejtpërdrejt nga Himara tha se është Edi Rama ai që e vendos kush do të votojë në Shqipëri. Sipas Nokës, 6157 himariotëve iu mohua e drejta e votës pasi ishte përcatkuar prej kryeministrit. Ai shtoi se në Himarë vota ka shkuar të paktën 500 euro, deklaratë për të cilën tha se do të paraqiten fakte në fund të procesit. Noka akuzoi edhe SPAK-un që ka amnistuar krimet zgjedhore, ndërsa zgjedhjet e sotme i quajti një “masakër”. Ndër të tjera, Noka deklaroi se prej disa ditësh ka kontaktuar me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashin i cili i ka komunikuar se ka qenë Rama ai që nuk ka lejuar votimin e 6157 himariotëve. “Celibashi e theksoi me gojën e tij që në Shqipëri, kush voton dhe kush jo e vendos Edi Rama. 6157 votues të Himarës iu mohua e drejta e votës, një e drejtë kushtetuese, kjo ndodh vetëm në regjim dhe kurrë s’ndodh në një shtet demokratik. 6157 votues do të ishin ata që do të vendosnin jo në Himarë, por në një qytet të madh fatin e një procesi. Që këtu Edi Rama e ka përcaktuar gjithçka. Po këtu që këtu ka të paktën 3 javë që janë bandat e pushtetit çdo ditë në territor duke shantazhuar dhe duke kërcënuar. Këtu janë të gjithë administrata, gjithë ministrat, gjithë drejtorët duke dhënë tapi, duke dhënë dikush leje, duke dhënë dikush të drejta shfrytëzimi, duke premtuar dikush leje për hotel apo për gjëra të tjera. Këtu gjithë hordhitë e pushtetit kanë zbarkuar për të tjetërsuar votën e himariotëve. Në Himarë, në disa zona flitet që vota ka shkuar 500 euro”, tha ai.
Reagimi i Ballës për ID
Në 22 Korrik ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla përmes një postimi në rrjetet sociale i ftoi himariotët që të aplikonin për letërnjoftim, duke u shprehur se sportelet do të ishin të hapura të shtunën dhe të dielën e 27 dhe 28 Korrikut, si dhe të shtunën e 3 Gushtit. Çdo aplikim, sipas tij, për letërnjoftimin e ri që do të bëhej para datës 1 Gusht do të mund të tërhiqej deri në 3 Gusht dhe askush nuk do të priste 2 javë, por do të pajisej me kartën e identitetit përpara zgjedhjeve të 4 Gushtit.
Reagimi i Metës
Partia e Lirisë e konsideron një krim të shëmtuar elektoral ndalimin e mbi 6 mijë qytetarëve për të votuar për shkak se mjetet e tyre të identifikimit kanë rezultuar të skaduara. Për kreun e saj, Ilir Meta ajo çfarë ndodhi sot në qendrat e votimit është pjesë e një strategjie të kryeministrit Edi Rama, për të vjedhur zgjedhjet e pjesshme në Himarë. “Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me pretekstin e skadimit të dokumenteve të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve”, tha ai. Meta e bën shefin e qeverisë përgjegjës edhe për shtimin e zgjedhësve fiktivë në Himarë, ndërsa krim elektoral cilëson edhe shpërndarjen e çertifikatave të pronësisë gjatë fushatës elektorale. Pavarësisht kritikave ndaj qeverisë, ai bën thirrje që në dy orët e mbetura, himarjotët t’i drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. “Shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale. Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himarjoteve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre”, tha Meta.