Vrasja e Egli Progës, “përplasen” institucionet dhe politika
Vrasja e Egli Progës nga Denis Meçe në Pogradec ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur debate të ashpra mbi rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve ligjzbatuese dhe politike. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, ngjarja ka nxjerrë në pah tensione të thella politike, me akuzat dhe kundërakuzat që po i japin ngjarjes një dimension më të gjerë se thjesht një rast kriminal.
Vdekja e Egli Progës në Pogradec nga Denis Meçe ka çorientuar institucionet ligjzbatuese lidhur me ngjarjen por edhe politikën e ka bashkuar dhe e kanë ndarë sa i takon veprimeve dhe mos veprimeve. Nga sherri banal, por lidhja e agresorit me Partinë Socialiste i ka dhënë zemër Partisë Demokratike për ta komentuar këtë vrasje duke i dhënë elemente me përmbajtje politike. I pari që doli para mediave ishte kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili deklaroi se uniformat blu kanë vepruar në kohë rekord dhe nuk janë përpjekur për të fshehur ngjarjen, por shtoi se krimin e kanë referuar në Prokurori si “vrasje me dashje”. “Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë në Pogradec është i pabazë dhe skandaloz. Në asnjë moment, në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës policie i Pogradecit nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet kjo ngjarje.”, tha Rrumbullaku. Edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, pohoi se punonjësit e urgjencës kanë vepruar në kohë rekord. “Na rezulton në total rreth 20 minuta, i gjithë misioni nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit”, tha ai. Ndryshe nga Brataj që vetëm sqaroi dinamikën e ngjarjes, Rrumbullaku teksa tregoi veprimet e policisë pohoi se ka nisur dhe një hetim për dezinformimin e ngjarjes. “Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme, por baltosja e saj në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, por është e dënueshme jo vetëm moralisht, por dhe ligjërisht. Po hulumtohen të gjitha rrjetet sociale dhe po përgatiten paditë penale për këtë dezinformim të qëllimshëm”, tha ai.
Reagimet politike
Lidhur me ngjarjen e rëndë në Pogradec, reagoi kryeministri Edi Rama, i cili u doli në mbrojtje institucioneve. Në një shënim në mediat sociale, Rama deklaron se akuzat ndaj Policisë dhe Urgjencës janë të pabaza. Por gishtin e akuzës e drejton ndaj Prokurorisë, e cila e ka cilësuar si “Vrasja nga pakujdesia” humbjen e jetës së Egli Progës pas dhunës nga Denis Meçe. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar të një denoncim qytetar që zbulon të reja për vrasjen e 42 vjeçarit Egli Proga në Pogradec nga autori Denis Meçe. Denoncimi i publikuar nga Berisha zbulon të dhëna që e lidhin Meçen me Partinë Socialiste, të cilën kryedemokrati e cilëson si “partinë e krimit”. Sipas denoncimit nga një mësuese nga Pogradeci, autori i krimit ka pasur lidhje me Partinë Socialiste dhe një pjesë e mirë e fisit të tij janë të gjithë të punësuar në arsim, ndërsa Daja i tij, Valter Gora është funksionar i PS. Deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh se drejtues së policisë së shtetit fatkeqësisht në mënyrë të përsëritur, nuk kanë interes të zbardhin ngjarjet por të zbardhin faqen e qeverisë. Sipas tij ky rast ritregon përdorimin ekstrem që bandat i bëjnë segmenteve të veçanta të policisë, përdorimin e saj për shkak se emërimet e drejtuesve lokalë certifikohen në pozicione vetëm nga bekimi i bandave. Demokratët Euroatlantikë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në qytetin e Pogradecit. Zëdhënësja Mirela Karabina në një deklaratë për mediet u shpreh se, ngjarja në fjalë ka shokuar opinionin publik pasi një person u dhunua për vdekje, dhe sipas saj “u la për 30 minuta në mes të rrugës e në gjendje të rëndë, ku as policia dhe as ndihma e parë mjekësore nuk vepruan në kohë për të shpëtuar jetën e të ndjerit”. Karabina shprehet se, “ditë pas dite zbardhen fakte të reja të cilat dëshmojnë degradimin e krejt shtetit në këtë vend, pasi nga momenti i ngjarjes e deri më sot, është ndryshuar disa herë versioni zyrtar i ngjarjes”. “PD-Demokratët Euroatlantikë kërkon një hetim të thelluar mbi veprimet e organeve kompetente për mosreagim e tyre në kohë si dhe të vlerësimit që i kanë bërë në tërësi rastit në fjalë, konkretisht: Komisariatit të Policisë Pogradec, Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Pogradec si dhe Urgjencës së Spitalit”, shprehet Karabina më tej, duke kërkuar zbardhjen e shpejt dhe autorët të shkojnë para drejtësisë”, nënvizon Karabina. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me vrasjen e ndodhur në Pogradec pasditen e së shtunës, ku një 42-vjeçar, babai i dy fëmijëve, humbi jetën si pasojë e dhunës. Tabaku shkruan në rrjetet sociale se nëse i referohemi dëshmive dhe deklaratave kontradiktore të institucioneve shtetërore në lidhje me ngjarjen më shumë se sa një dëshmi e propagandës së dështuar tregon një shtet jo serioz dhe një bashkëpunim për të fshehur ngarjen. “Të reagosh për një vrasje ku institucionet qeveritare kthehen në bashkëpunëtorë për sasinë e lajmeve kontradiktore që nxjerrin nuk është politikë. Pasi politikë quhet kur përpiqesh të përdorësh forcën e qeverisë dhe institucionin e policisë për t’i pikturuar ngjarjet sipas interesit të momentit. Madje e djeshmja ka treguar që policia jo rrallë ka qenë më e gatshme të mbulojë gabimet e saj se sa të zbardhë të vërtetën. Prandaj jo kushdo reagon në emër të pushtetit edhe pse ka plot politikanë që fshihen si struci për ta ruajtur atë”, shprehet Tabaku. Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka komentuar vrasjen në Pogradec të Egli Progës. Meta tha se krimi monstruoz në Pogradec tregon fytyrën e urryer të narko-qeverisë. Ai tha se Rama është kumbar i krimit, ndaj duhet të largohet nga pushteti. “Krimi monstruoz tregon fytyrën e urryer të narko-policisë qeveritare, e njëjta që vrau Klodian Rrashën tek dera e shtëpisë dhe që manipuloi edhe atëherë vrasjen. Policia është kthyer në polici të qeverisë. Policia është kthyer në strukturën më të urryer të popullit. Kështu vepron policia edhe në Tiranë, ku banorët nxirren nga shtëpitë e tyre. Kemi të bëjmë me vizionin banditesk të Ramës, se nuk ka zhvillim pa krim. Policia vjedh votat për Rilindjen, siç është provuar në dosjen 184, që është amnistuar nga Ramareforma. Rama me ndihmën e policisë kanabizoi Shqipërinë, bekoi vrasjet në qendra të qyteteve, përdori bandat për vjedhjen e votave. Çdo shtet ka mafien e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Rama është kumbari i krimit dhe të duhet ta heqim nga pushteti. Edhe për turistët, shifrat janë fryrë jashtë mase nga Rilindja. Rilindja po gjobit bizneset që janë në bregdet”, tha Meta.