Avokatja shqiptaro-australiane Eva Buzo, notarja që theu rekordin nga brigjet italiane drejt atyre shqiptare është vleresuar me medalje dhe certifikatë mirënjohje nga bashkia e vlorës.
Ndërsa kryetari i bashkisë, Ermal Dredha propozoi që shkëmbi në Karaburun të marrë emrin e Eva Buzos.
“Aty ku ka prekur, ku ka mbaruar garën ne do ia vendosim emrin “Shkëmbi i Evës”, për ta memorizuar këtë moment historik. Edhe pse është nga Berati ne duam ta bëjmë Even qytetare të Vlorës”, tha Dredha.
“Jam shumë e emocionuar dhe shumë falenderuese për të gjithë ju, mbështetësit e mi gjatë gjithë itenerarit, si bashkia dhe ekipi që më shoqëroi. Falenderoj gjithë shqiptarët që më duan dhe i dua, unë jam shumë e lumtur që arrita tia dilja në këtë sfidë”, tha Eva Buzo.
Po kështu, Buzo mori një kupë nga presidenti i federatës së notit, Agim Çiraku, i cili tha se kalimi i Otrantos me not është rekord absolut në sportin e notit.
“Për ne është gjë e mirë, që nje shqiptare vendosi rekord të ri. Sakrifica e saj është shembull që duhet ta marrin gjithë sportistët notarë”, tha Çiraku.
Eva Buzo është gruaja e parë në histori që përshkoi me not kanalin e Ontrantos, duke notuar për 35 orë ne nje gjatesi prej 92 kilometrash. Ajo e nisi rrugëtimin e saj nga brigjet e Leçes në Itali të shtunën pasdite dhe mbërriti të hënën e 19 gushtit në orën 5:00 në kepin e Gjuhëzës, pranë Karaburunit./e.t