UEFA i ka kërkuar të 55 federatave të saj që t’i shkojnë deri në fund këtij sezoni dhe të mos ndërpriten. Në një njoftim që u bëri ditën e sotme qeveria evropiane e futbollit bëri me dije se data 3 gusht është afati i fundit që federatat kanë për të mbyllur kampionat kombëtare. Duke mos i dhënë rëndësi kështu kohës se kur mund të rinisin, apo formula që do të zgjedhin.
Ky vendim është komunikuar pas mbledhjes që u zhvillua mesditën e sotme në Nion, ku ndër të tjera thekson se më 27 maj duhet të paraqesin planin për rifillimin e sezonit.
UEFA ka si objektiv që federatat të zhvillojnë të gjitha ndeshjet sipas kalendarit, por njëkohësisht federatat do të jenë të lira të përdorin opsione të ndryshe, si ndeshje “play-off” apo mini turne.
Porsa i përket vendeve që vendosën t’i mbyllin kampionatet e tyre si Belgjika, Holanda apo Skocia, UEFA i mirëkuptoi në mënyrë që të mos rrezikohen më shumë jetët e njerëzve./Fjala.al/Katerina Tafa/