Një ditë më parë, u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese padia e parë nga partitë e vogla opozitare sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Kjo padi është nënshkruar nga kreu i LZHK, Dashamir Shehi, i cili foli në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN për këtë çështje.
Shehi u shpreh se mbyllja e listave nuk i bën keq vetëm partive të vogla, por mbi të gjitha demokracisë në Shqipëri.
“Padia pretendon kthimin në atë interpretim që i ka bërë Gjykata Kushtetuese pas zgjedhjeve të shkuara, që listat duhet të jenë të hapura. Praktikisht, me marrëveshjen që u bë mes PS-PD, listat u mbyllën me ligj. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse të jemi në kushtet të barabarta me partitë e tjera dhe i kemi ankimuar dy tre element.
Praktikisht, ne kërkojmë që ato parti që kërkojnë të mbajnë listat e mbyllura le t’i mbajnë. Kjo është çështje partie. Ato që duan t’i hapin, le të kenë mundësinë që t’i hapin. Nuk është puna se kjo i bën dëm partive të vogla, por kjo i bën dëm demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Shehi në A2 CNN.
Më tej, kreu i LZHK-së tha në A2 se kjo “betejë” po bëhet edhe për të dhënë një sinjal politik. “Ne e kemi çuar këtë marrëveshje në Kushtetuese edhe për të dhënë një sinjal politik: Shqiptarët duhet ta dinë, kjo marrëveshje, ky lloj ligji ka disa autorë dhe nëse është i gabuar, duhet të ketë edhe disa fajtorë. Nuk mund të fshihemi pas gishtit”./e.t