Caktimi i 12 drejtuesve politikë në Partinë Demokratike ka ndezur debatin brenda radhëve të demokratëve lidhur me procesin e primareve. Të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës do i nënshtrohet votës së anëtarësisë, por kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi thotë se ky proces duhet të jetë i kujdesshëm, pasi mund të sjellë destabilitet për partinë.
Paralel me zgjedhjet brenda saj, PD e ka fokusin të reforma zgjedhore dhe kërkon rikthimin në tryezën e dialogut për të pasur një reformë gjithëpërfshirëse. Bardhi thotë se ftesa për bashkëpunim e mazhorancës është e mirëpritur nëse ajo do të pranojë përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
Mazhoranca ka kërkuar bashkëpunim edhe për Komisionin Antikorrupsion, por demokratët vijojnë ta refuzojnë.
“Për ne, nëse Rama do kishte vullnet për shtet ligjor, kjo s’ka nevojë për komision të posaçëm, mjafton që qeveria të përmbushë detyrimet. Fakti që është kthyer në shtet krimi, ku zbulojmë afera korruptive me dëme mln euro, tregojnë se komisioni i posaçëm është propaganda për zgjedhjet e ardhshme”, tha Bardhi.
Nisja e sesionit të vjeshtës e gjen opozitën me një strategji të re të aksionit të saj politik në parlament. Por qëndrimi do të varet edhe nga reagimi i mazhorancës, thotë Bardhi.
“Qëllimi jonë s’ka qenë kurrë të bllokojmë punën e parlament, por nëse mazhoranca vijon me këmbëngulje të refuzojë mundësinë për një reformë gjithëpërfshirëse dhe konkrete e të plotë zgjedhore, është në detyrën e opozitës për të reaguar me çdo formë e mjet për t’iu imponuar kësaj nevoje që nuk është thjeshtë e opozitës, por është nevojë e Shqipërisë”, thekson Bardhi.
Krahas betejës në Kuvend, Bardhi thotë se vjeshta e gjen opozitën edhe në sheshe me qytetarët, me qëllim largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike./ SM