Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Edmond Gashin, mjekun e akuzuar për skandalin tek Onkologjiku.
Farmacistin Florian Marku, Apeli e liroi nga masa e “arrestit në shtëpi” dhe caktoi për të masën e “detyrimit për paraqitje”..
Për të dyshuarit Brikena Qiriazi dhe Halil Gashi, Apeli vendosi të shfuqizojë masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, duke i lënë pa masë sigurie.
Në të njëjtin vendim, Apeli i Posaçëm dërgon në Gjykatën e Lartë për shqyrtim të kompetencës lëndore të Gjykatës së Posaçme për kompetencën lëndore të pjesës së procedimit penal me objekt faktin penal të administrimit të burimit të “Kobaltit”, me persona nën hetim B.Q. dhe D.K.
Sipas hetimit të deritanishëm, të dyshuarit kishin ngritur një skemë abuzive të zvarritjes së trajtimit të të sëmurëve me kancer në Spitalin Onklologjik, me qëllim dërgimin e tyre në një klinikë private. I njëjti hetim, zbuloi mosvënien në punë të pajisjes së kobalto-terapisë tek Onkologjiku, e instaluar prej vitit 2021, si edhe lënien e saj në një ambient të papërshtatshëm, duke u bërë burim i rrezikshëm radioaktivitetit për stafin mjekësor dhe pacientët. Po ashtu, nga hetimi u dokumentua kontrabandimin e ilaçeve të kancerit të spitalit dhe tregtimit e tyre në dy farmaci private./E.T