Rënia e flokëve në fillim të vjeshtës është një problem shqetësues, për të cilin ankohen të gjithë, jo vetëm gra, por edhe burra. Si mund ta kuptosh që kjo rënie është sezonale?
Siç bien gjethet, bien edhe flokët në vjeshtë, sepse përsërisin ciklin e tyre të përvitshëm. Këtë proces e përshpejton një faktor kryesor: dielli. Gjatë pranverës dhe verës, rrezet e diellit rrisin sekretimin e hormoneve përgjegjëse për rritjen e flokut dhe shkaktojnë një reaksion të ngjashëm me atë të bimëve. Një periudhë prej gati 4-6 javësh mund të fillojë në fund të gushtit dhe të zgjasë deri në fund të nëntorit. Pas kësaj periudhe, gjithçka kthehet në normalitet.
Kur rënia është ose jo sezonale:
– Nëse në total të kanë rënë më pak se 10 fije floku, gjithçka është brenda normales.
– Nëse të kanë rënë gjithsej 10-15 fije, nuk është thjesht një rënie sezonale, prandaj duhet të marrësh një trajtim shtesë me vitamina.
– Nëse të kanë rënë më shumë se 15 fije, duhet të bësh patjetër një trajtim specifik për të parë nga se të shkaktohet kjo rënie.
Çfarë duhet të bësh nëse rënia është sezonale?
Para se të marrësh një trajtim, fillimisht duhet të bësh këtë test të thjeshtë (ose të konsultohesh me mjekun), për të kuptuar në ç’nivel të rënies së flokëve je. Ki parasysh që trajtimet e flokëve nuk veprojnë në mënyrë specifike tek flokët që bien, sepse ato tashmë janë të vdekur dhe rënia e tyre është e pashmangshme, por ato ndikojnë në rritjen e flokëve të rinj për t’i rikthyer densitetin normal.
Megjithatë, ki parasysh që jo gjithçka duhet justifikuar me sezonin e rënies. Për flokët duhet të kujdesesh si për çdo pjesë tjetër të trupit. Lyerja me bojëra me kimikate të ndryshme, tharja dhe krehja në temperaturë maksimale, kequshqyerja etj., janë faktorë të jashtëm, të cilët ndikojnë në dëmtimin dhe rënien e flokëve. Në të tilla raste, përdor sa më shumë maska me produkte natyrore, si p.sh maska me vezë dhe vaj ulliri, 30 minuta para larjes, do të të ndihmojë shumë për eliminimin e rënies./E.T