Më pak se një vit pas rrëzimit nga Muri i Berlinit, Gjermania Lindore dhe Perëndimore ribashkohen në atë që kremtohet çdo vit si “Dita e Unitetit”. Që nga viti 1945, kur forcat sovjetike pushtuan Gjermaninë Lindore, Shtetet e Bashkuara dhe forcat e tjera aleate pushtuan gjysmën perëndimore të kombit në fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gjermania e ndarë u shndërrua në një nga simbolet më të jetëgjata të Luftës së Ftohtë.
Disa nga episodet më dramatike të Luftës së Ftohtë, ndodhën pikërisht atje. Bllokada e Berlinit (qershor 1948 – maj 1949), gjatë së cilës Bashkimi Sovjetik pengoi të gjithë transportin tokësor në Berlinin Perëndimor, dhe ndërtimi i Murit të Berlinit në vitin 1961, qenë ndoshta ngjarjet më të famshme. Me rënien graduale të fuqisë sovjetike në fundin e viteve 1980, Partia Komuniste në Gjermaninë Lindore filloi të humbiste kontrollin e saj mbi pushtetin.
Dhjetëra mijëra gjermano-lindorë filluan të arratisen, dhe në fundin e vitit 1989 Muri i Berlinit ra. Menjëherë pas këtij akti, nisën bisedimet midis zyrtarëve të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, të cilave iu bashkuan zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik, ku u shqyrtua mundësia e ribashkimit.
Dy muaj pas ribashkimit, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe Helmut Kohl u bë kancelari i parë i Gjermanisë së ribashkuar. Ndonëse ky proces ndodhi më shumë se një vit përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, për shumë vëzhgues ribashkimi i Gjermanisë shënoi efektivisht fundin e Luftës së Ftohtë.
Kalendar
3 Tetor 1739 – Perandoria Ruse nënshkruan një traktat me Perandorinë Osmane, duke i dhënë fund një konflikti 3-vjeçar midis tyre.
3 Tetor 1863 – Presidenti amerikan Abraham Lincoln, shpalli të enjten e fundit të nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve. Ajo është ende sot festa më popullore në SHBA.
3 Tetor 1908 – Leon Trotsky, Adolph Joffe, Matvey Skobelev dhe emigrantë të tjerë rusë në Vjenë, themelojnë gazetën “Pravda” (E Vërteta), që do të ishte për shumë dekada organi zyrtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
3 Tetor 1952 – Mbretëria e Bashkuar teston bombën e saj të parë bërthamore. Operacioni i koduar “Uragani” u zhvillua në afërsi të Ishujve Montebello në Australinë Perëndimore.
3 Tetor 1963 – Një grusht shteti i dhunshëm në Honduras, i jep fund një periudhe reformash politike, dhe i hap rrugë dy dekadave të sundimit ushtarak.
3 Tetor 1993 – Ndodh Beteja e Mogadishut, gjatë së cilës 18 ushtarë amerikanë dhe rreth 1.000 somalezë u vranë në një përpjekjeje për të kapur kreun e trupave rebele, Mohamed Farrah.