Me sytë e mendjes tek e drejta dhe liria

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Linda Rama*

Libri “Të vërteta që mbartim” është shkruar në vitin 2018, ndërsa Kamala Harris ushtronte mandatin e saj si Senatore. Unë librin e lexova në shtator, në kohën kur fushata per zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara ishte në kulmin e saj me Harris si një prej dy kandidatëve që synonin të hynin në Zyrën Ovale që është dhe Zyra më e rendësishme e botës.

Përgjatë leximit, çka më bënte përshtypje ishte që kariera e Kamala Harris në rrugëtimin nga një stacion tek tjetri ishte kaq graduale, kaq llogjike dhe kaq domethënëse saqë herë herë kisha nota mosbesimi dhe mendoja mos është një manual se si duhet të jetë një prokuror apo është një Guidë se si duhet të jetë një politikan. Në asnjë moment, Kamala Harris, përgjatë leximit të librit, nuk më erdhi thjeshtë si një grua, nuk e perceptova si të tillë dhe asnjëherë si një grua që rrenjët e saj biologjike dhe sociale i kishte tek grupet vulnerabël të shoqërisë. Ajo nuk kishte asnjë lloj vulnerabiliteti. Dhe ndërsa dëgjoja komentet që beheshin në favor të njerit kandidat apo në favor të kandidatit tjetër, mua Kamala më vinte me fuqinë e saj nga libri i shkruar në vitin 2018.

Kamala nuk do të hyjë në Zyrën Ovale. Dhe botuesja e librit sapo tha “pavarësisht se si erdhën gjerat”. Gjerat erdhën ashtu siç donte populli amerikan dhe kjo është bukuria e demokracisë, që popujt të vendosin dhe tranzicioni ynë i 30 viteve na ka mësuar që populli nuk gabon. Dhe në shumë dimensione të gjithë diskutimit që zhvillohet sot për kandidatin fitues apo për kandidatin humbës, një përjetim tjetër që kam patur ka qenë, po kjo Shqipëri e vogël sa shumë eksperiencë politike ka patur sa duket sikur jemi pjesë e një konteksti të jashtëzakonshëm siç është konteksti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kishte jo pak momente tek “Të vërteta që mbartim” që më tërhiqnin për t’i bërë vend në parathënie. Këto momente ishin pjesë e reflektimit tim për të vendosur se ku do të ndalesha. Si, fjala vjen, roli i gjurmëve të fëmijërisë tek prokurorja dhe politikani; fuqia për të prekur plagët dhe për të hyrë nën lëkurën e viktimës, gjithnjë kur flasim për prokurorin; vulnerabiliteti si premisë suksesi; politika si aleat i më të dobtit; sjellja e politikanit ndaj dështimit apo ofertës për karierë; një krim ndaj dikujt si krim ndaj gjithkujt; raporti me të fuqishmit e biznesit; raporti me kërkimin shkencor dhe me shifrat.

Por vendosa të ndaloj në 2 momente në parathënien time: momenti i parë, liritë dhe të drejtat, dhe këtë vendim e mora sepse ky është thelbi im dhe doja të isha vetja në parathënie e frymëzuar nga Kamala dhe e mbështetur nga Kamala dhe momenti i dytë profili i prokurorit që për mua mbetet një kërshëri e veçantë.

Në parathënie Alda u ndal në pikën zero të tranzicionit tonë. Unë do t’i referohem një momenti tjetër, për të bërë një shtjellim të asaj që është shkruar në parathënie dhe që i përket viteve që po vijnë. Në parathenie kam nënvizuar që kërcënimet për liritë e fituara nga brezat janë reale dhe me shumë të ngjarë do të vazhdojnë të bëhen edhe më të pranishme për ata që do t’i trashëgojnë fitoret e shoqërive demokratike.

Përse mendoj unë që kercënimet për liritë dhe të drejtat janë reale, dhe përse mendoj që mund të jenë edhe më të pranishme në vitet që kemi përpara?

Do të doja të bëja një parantezë për kontekstin historik të një shekulli më parë kur luftrat, shpikjet teknologjike (automobili, aeroplani, radio dhe përdorimi i saj si instrument ndërlidhës dhe komunikimi), lindja dhe renia e rregjimeve autoritare, renia e perandorive kolonizatore, shpikja dhe përdorimi i bombës nukleare në Hiroshima dhe Nagasaki dhe traumat ekonomike dhe njerëzore të lidhura me to, krijuan arësyet dhe mjedisin për avancime të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave në vendet demokratike, krijuan institucionet e mbikqyerjes dhe të vlerësimit të drejtave dhe lirive, mobilizuan mbështetje financiare që nuk ishin parë kurrë më parë dhe që synonin fuqizimin e komuniteteve dhe individëve në lemin e të drejtave dhe të lirive.

Një listë e gjatë të drejtash u institucionalizuan përgjatë disa dekadave filluar me ato për barazinë para ligjit, lirinë e fjalës, lirinë e votës, lirinë e pronës, lirinë e besimit. Kjo ishte dhe gjenerata e parë e të drejtave, për të kaluar më pas në gjeneratën e dytë të të drejtave që si e drejta për punë, e drejta për ushqim, e drejta për strehim, e drejtën për kujdes shëndetsor dhe për sigurime shoqërore. E më tej u vijua me gjeneratën e tretë të të drejtave, ato që shkojnë përtej individit dhe përqendrohen tek shoqëria si e drejta për mjedis të shëndetshëm, për zhvillim ekonomik dhe social, e drejta ndaj burimeve natyrore apo trashëgimisë kulturore, zhvillimit të qendrueshëm etj.

Ndërsa ne avanconim në lëmin e të drejtave, sfidat ishin të jashtëzakonshme ndërkohë që të drejtat po ktheheshin në normalitet në jetën tonë. Dhe unë do të ndalesha në secilën sfidë që ka shoqëruar këtë betejë dhe nëse do të kisha mundësi do të ndalesha veçanërisht tek ajo që kam jashtëzakonisht për zemër, që është polarizimi social dhe efektet e tij. Por nuk do ta bej këtë, pasi mendoj që fokusi tek e ardhmja është shumë i rendësishëm kur ne flasim për librin e Kamala Harris. Do të ndalem tek një zhvillim domethënës i dy dekadave të fundit për vetë faktin se ky zhvillim i ka rrënjët dhe gjigandët e tij në ShBA, ndërsa ndikimin në mbarë botën.

 

Në këto dy dekada, ndërsa çliroheshim pak nga pak nga padrejtësitë e së kaluarës, zinxhirë të rinj u shfaqën në jetën tonë në formën e oreksit materialist, të egoizmit dhe të lakmisë. Këto zinxhirë nuk kursyen as planetin tonë. Dhe ky shekull filloi pikërisht me vetdijen që mënyra e jetesës së botës perendimore dhe rendja e ethshme e bizneseve për të fituar me çdo çmim po i tejkalonte kapacitetet e planetit tonë. Raporti i zhvillimit njerëzor në vitin 2007-2008 e bëri të qartë sfidën e ndryshimeve klimaterike për njerëzimin.

Ndërkohë jemi duke jetuar një tranzicion tjetër. Tranzicionin teknologjik, i cili ka përmasa të paimagjinueshme deri më sot për nga përhapja dhe ndikimi.

Lexo edhe :  Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës

Interneti është një rrjet botëror githnjë dhe më i aksesueshëm nga publiku, askush në shoqëritë tona demokratike nuk imagjinohet më pa një telefon inteligjent në dorë, platformat e medias sociale po ndryshojnë pa kthim jetën tonë dhe inteligjenca artificiale dhe të mësuarit nga makina po konkuron dukshëm makinerinë tradicionale të arsimimit.

Interneti, në këto dy dekada, nuk kushtëzoi vetëm komunikimin mes njerëzve, por po ndërton një marrëdhënie plotësisht të re të qytetarëve me institucionet, të klientëve me bizneset, të bizneseve me njëri tjetrin dhe biznesit me institucionet. Interneti dhe inovacioni po modifikon me një shpejtësi maramendëse mënyrën tonë të jetesës.

Paisjet në shtëpitë tona po lidhen dhe funksionojnë gjithnjë dhe më shumë me internet, komunikimi me tregun po bëhet në distancë, inovacioni po i transformon industritë tradicionale në industri inteligjente. Inteligjenca artificiale dhe robotika i kanë dhënë fuqi makinës që jo vetëm të na vrojtojë dhe të na asistojë, por edhe të krijojë përmbajtje, muzikë, poezi e tekste mbi bazën e të dhënave që përdor.

Përsa kohë jemi të lidhur me njëri tjetrin, me institucionet, me mallrat, me sendet, me mediat sociale sa ç’jemi përfitues si konsumatorë e përdorues, ne jemi po aq jemi dhe të cënuar, në të drejtën tonë, atë të privacisë së individit.

Pak nga pak dhe pa e kuptuar jemi bërë të gjithë banorë të një planeti paralel me planetin tonë, planetit virtual monopolin e të cilit e kanë ata që e krijuan dhe e zotërojnë dhe sëbashku me të dhe monopolin e dijes. Ata dinë gjithcka për ne, ndërsa ne asgjë për ta duke na vënë në kushtet e një pabarazie të plotë dhe duke na cenuar hapur të drejtën tonë të barazisë. Makineria gjigande e informacionit të tyre nuk është ndërtuar për të garantuar integritetin e dhe as vërtetësinë e këtij informacioni.

Se cfarë gatuhet në të, me cfarë gatuhet, përse gatuhet e dinë vetëm ata, ndërsa ne jemi aq të zenë me të përditshmen marramendëse për t’ja dalë në planetin real saqë e tretim ushqimin e gatuar në planetin virtual pa patur as kohë e as fuqi ta përtypim. Për t’ja parë qarin apo qederin vite më pas.

Thënë këto, është plotësisht e vërtetë që fëmijët tanë sot kanë liri dhe të drejta më shumë se kurrë më parë, dhuratë kjo e përpjekjeve të gjeneratave të 100 viteve të fundit veçanërisht. Por këto liri dhe të drejta rrezikojnë të mos jenë më të tilla nëse nuk i rezistojnë sfidave të këtij fillim shekulli.

Në vigjilje të këtij shekulli, shoqëritë demokratike nuk arritën të ndërtojnë një vizion mbi një të ardhmen digjitale dhe demokratike. Raporti i Forumit Ekonomik Botëror mbi Risqet Globale 2006, ndërsa përcaktonte terrorizmin, pandeminë e gripit si risqe imediate dhe ndryshimet klimaterike si një rrezik që do të ndjehej në periudhë afatgjatë, me një notë të lartë pasigurie theksonte që ekzistonin edhe disa rreziqe potenciale me efekte ende të panjohura si ato të lidhura me teknologjitë e reja, të cilat mund të jenë shumë çorientuese.

Nëse do të vizitohen raportet e Forumit Ekonomik Botëror nga viti 2006 kur ka filluar matja e rreziqeve dhe deri në vitin 2024 në asnjë prej raporteve teknologjia dhe rreziqet prej saj nuk kanë qenë në listën e rreziqeve globale. Ishte vetëm në raportin e fundit mbi rreziqet globale, atë të botuar në Janari 2024. Dhe cili është rreziku më i madh global i evidentuar në këtë raport? Disinformimi, ndër 36 rreziqe kërcënuese, dhe ndër pesë rreziqet më të mëdha në 10 vitet e ardhshme. Ndërsa listës së rreziqeve në 10 vitet e ardhshme i shtohen dhe efektet negative të Inteligjencës Artificiale duke lenë pas për nga shkalla e rrezikut polarizimin social.

Menaxhimi i këtyre rreziqeve në vitet që vijnë në dobi të publikut është thelbësor për të ardhmen e fëmijve tanë. Big tech në këtë betejë nuk është aleati ynë. Përkundrazi, qeveritë janë garantuesit tanë më të mëdhenj që do t’i duhet të marrin në konsideratë thirrjet e akademikëve, analizat e tyre, shifrat statistikore, përpjekjet e shoqërisë civile, për të materializuar më tej në ligje dhe në rregullore mënyrën se si do të përdoret informacioni dhe aktiviteti i planetit virtual që ne e kemi present çdo ditë në jetën tonë.

Ndaj, ky libër i shkruar me sytë e mendjes tek liria dhe tek të drejtat, të jep mundësinë të reflektosh. Të reflektosh në rradhë të parë si prind në një kohë kur prindërimi është më kompleks se kurrë dhe si qytetar në një kohë kur planeti dhe njerëzimi janë në një sprovë komplekse.

Kamala Harris, në Janarin e ardhshëm nuk do të hyjë në zyrën Ovale. Por mendoj që kjo pikërisht i jep librit mundësinë të ketë një stacion tjetër imagjinar. Pse modeli fitues deri në momentin kur Kamala Harris ishte senatore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk u kthye në një model fitues si Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Jam shumë e kuriozuar për të vertetat e Kamala Harris si Zevendes Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk janë në këtë libër dhe ato si kandidate për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fuqia me të ciën Kamala Harris rrëfen jetën e saj në karierë deri në vitin 2018, do ketë fuqinë e rrefimit të të vërtetave teksa shërben si Zevendës Presidente dhe si kandidate konkurente për Presidente. Uroj që këto të vërteta të na ofrohen dhe ne të mblidhemi përsëri dhe të diskutojmë. Megjithatë, do të doja ta mbyllja fjalën time me pyetjet që i kam këto ditë vazhdimisht në mendje: çfarë i mungoi profilit të Kamala Harris për të mos qenë Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Dhe çpjesë nga profili i Kamala Harris ka Presidenti aktual i zgjedhur që do të hyjë në Zyrën Ovale në Janar të vitit të ardhshëm dhe që mund ta zbatojë si President përgjatë ushtrimit të detyrës së tij?

Ju falenderoj për vemendjen dhe uroj ta lexoni dhe shijoni këtë libër ashtu siç e kam lexuar dhe shijuar unë.

Fjala e mbajtur në forumin “Pushteti, e drejta dhe liria” me rastin e botimit në shqip të autobiografisë së Kamala Harris “Të vërteta që mbartim”, nëntor 2024./   S,M

Të fundit

Festat, Shqipëria tërheq të huajt: Shumë prenotime nga italianët dhe bullgarët

Këtë fundvit, Shqipëria është shndërruar në destinacionin e preferuar të italianëve dhe bullgarëve për të festuar Vitin e Ri. “Ka...

‘Çmendet’ moti/ Përmbytjet bëjnë ‘kërdinë’ në këtë vend, rrugët kthehen në lumenj

Stuhia e fortë ‘Elena’ bëri kërdinë në rrjetin rrugor të Atikës në ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor. Reshjet e rrëmbyeshme në zonën më të gjerë...

Sa kilogramë shtojmë gjatë festave të fundvitit?

Periudha e festave është kritike për ata që i druhen mbipeshës. Gjasat që njeriu ta teprojë me ushqimin gjatë ditëve të festave janë shumë...

7 këshilla për të rritur motivimin në 2025-ën!

Në 2025-ën kujdesuni që planet tuaja të jenë të qëndrueshme. Më poshtë gjeni disa këshilla që do t'ju ndihmojnë të arrini qëllimet tuaja! 1.Dëshira për...

Avokati paralajmëron padi të re ndaj Berishës: Falsifikoi datën e lindjes

Një tjetër kallëzim penal për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të përfundojë në SPAK. Është avokati Idajet Beqiri, i cili paralajmëron se do ka ‘kopsitur’...

Lajme të tjera

Web TV