Pas një seance që zgjati rreth shtatë orë, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për masat e sigurisë të vendosura ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha nga SPAK. Vendimi vjen si përgjigje ndaj kërkesës së Berishës për të shfuqizuar masat e “detyrimit për t’u paraqitur” dhe “ndalimin e daljes jashtë vendit”, të cilat ai i cilësoi të pabazuara dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata vendosi të mbajë në fuqi masën e “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, duke argumentuar se ajo nuk cënon funksionet e Berishës si deputet dhe nuk përbën një kufizim të lirisë personale. Sipas interpretimit të ‘Kushtetueses’, SPAK nuk kishte nevojë për autorizimin e Kuvendit, për masat e vendosura ndaj ish-kryeministrit. Por nga ana tjetër Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën e Berishës për pezullimin e vendimit të SPAK për ndalim të daljes jashtë shtetit të kryedemokratit, përmes konfiskimit të pasaportës. Megjithatë, pavarësisht heqjes së ndalimit jashtë shtetit, ish-kryeministri nuk mund të dalë nga banesa për shkak të masës “arrest me burg”. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e konsideron si proporcionale masën “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj ish-kreut të ekzekutivit.“Në lidhje me masën tjetër, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqësore, objekt të shqyrtimit kushtetues, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ ndaj kërkuesit Sali Berisha, për shkak të cënimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kësaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit ‘detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Duke iu referuar shpeshtësisë së zbatimit të masës (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se kjo masë nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, masa e ndalimit të daljes jashtë vendit është shfuqizuar. Gjykata argumentoi se kjo masë prek lirinë e lëvizjes të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës dhe se deputeti, në këtë rast, nuk gëzon mbrojtje të veçantë për ndalimin e daljes jashtë vendit.
Reagimi i Berishës
Pas dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe ish kryeministri Sali Berisha. Ai e ka quajtur të turpshëm vendimin e dhënë duke akuzaur partinë në pushtet dhe qeverinë se kanë ndërhyrë. “Doli në konferencë shtypi dhe informoi një vendim të turpshëm, një vendim që dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë. Një vendim që është i barabartë me një të një gjykate fakti. Një vendim që Gjykatën Kushtetuese e shpall jokushtetuese, antikushtetuese. Edhe njëherë miq, ndjehem krenar që mbrojta Kushtetutën, qëndrova kundër puçit që i bëri parlamentit një grusht horrash në organizatën kriminale të Skapit të partisë dhe gjykatësja me 5 mbiemra. Mbrojtja Kushtetutën, ndarjen e pushteteve nga një puç i ulët. Kurse Gjykata Kushtetuese, në një vendim të turpshëm, quan joproporcional, nuk bën fjalë se i merret pushteti parlamentit me vendimin ekstrakushtetuese, ekstraligjor. Një kapitull tjetër i turpit, i paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ulsi Manja me dokumente se Rama na njoftoi për vendimin që do merrej”, tha ai.
Nga 1 Janri 2025
Transfertat nga Europa në Shqipëri pa kosto financiare
Duke nisur nga 1 janari 2025, të gjitha dërgesat monetare nga Europa drejt Shqipërisë dhe anasjelltas nuk do të kenë më asnjë kosto financiare. Kjo do të thotë që emigrantët shqiptarë, që aktualisht paguajnë tarifa të konsiderueshme për të dërguar para familjeve të tyre, do të kursejnë miliona euro çdo vit. Po ashtu, bizneset që operojnë ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Europës do të përfitojnë ulje të ndjeshme të kostove, duke rritur konkurrencën dhe efikasitetin në tregun ndërkombëtar. Përfitimet nuk ndalen këtu. Përmes integrimit në SEPA, transferta monetare ndërkufitare do të jenë njësoj të shpejta dhe të lehta sa ato brenda Bashkimit Evropian. Koha e përpunimit të pagesave do të ulet ndjeshëm, duke mundësuar që paratë të mbërrijnë pothuajse menjëherë nga një vend në tjetrin. Për më tepër, përfitimet do të shtrihen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë tregtinë, turizmin dhe remitancat, duke krijuar një rritje të përgjithshme ekonomike. Sipas vlerësimeve paraprake, në vitin e parë të zbatimit pritet që ekonomia shqiptare të kursejë të paktën 20 milionë euro. Me kalimin e kohës, kjo shifër do të rritet ndjeshëm, duke reflektuar ndikimin pozitiv të uljes së kostove në tregti dhe shërbime. Për qytetarët, kjo përkthehet në më shumë para të kursyera dhe një lehtësi të madhe në transaksionet e përditshme. Ky lajm u njoftua nga Kryeministri Edi Rama përmes rrjetit social X, ku theksoi rëndësinë e këtij momenti historik për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për t’u përafruar me standardet evropiane. “Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian,” shkroi Rama. Ai theksoi se anëtarësimi në SEPA është fryt i angazhimit të vazhdueshëm të qeverisë dhe institucioneve financiare për të modernizuar infrastrukturën e pagesave dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare. Shqipëria ka punuar intensivisht që nga viti 2021 për të arritur këtë integrim. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në këtë proces, duke ndjekur një projekt rajonal për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pjesë e këtij projekti ishte përafrimi i rregulloreve dhe legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian, si dhe miratimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave.” Nga prilli 2025, bankat dhe institucionet financiare shqiptare do të fillojnë të zbatojnë plotësisht skemat e pagesave SEPA, duke mundësuar transferta krediti dhe debitime direkte me të njëjtën efikasitet si vendet e tjera të BE-së. Kjo nismë shënon një moment historik për Shqipërinë jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në procesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Integrimi në SEPA ofron një platformë moderne dhe të sigurt për kryerjen e pagesave ndërkombëtare, duke ulur ndjeshëm barrierat për qytetarët dhe bizneset shqiptare që operojnë jashtë vendit. Përfitimet janë të shumta dhe ndikojnë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, mirëqenien e tyre dhe konkurrencën e bizneseve shqiptare në tregjet evropiane.