Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja rreth tragjedisë ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, te shkolla “Fan Noli”. Sipas Lalës, në këtë ngjarje janë përfshirë tre minorenë, dhe autori i krimit që mban thikën në dorë është vetëm një, ndërsa nuk ka pasur autor të dytë. Ajo ka parë pamjet filmike të siguruara nga policia, të cilat janë ende të papublikuara për publikun.
Lala gjithashtu ka ndarë një bisedë prekëse me babanë e Martin Canit, Engjëll Canin, i cili mes lotësh i ka thënë gazetares se nuk mund të organizonte më dasmën e djalit të tij.
“Kam parë pamjet, policia ka vendosur të mos i publikojë. Ishte një ngjarje tronditëse, humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, djalë i jashtëzakonshëm, futbollist premtues, njoh familjen e tij,” tha Lala.
Ajo përmendi se ngjarja ka ndodhur mes dy grupeve të miturish dhe ka shtuar se, përveç autorit të dyshuar, që është arrestuar, mund të ketë pasur shtyrje nga ana e fëmijëve të tjerë të përfshirë. Lala shprehu gjithashtu dyshime ndaj komunikatave të policisë dhe ministrit të Brendshëm për përdorimin e një gjuhe që nuk përputhet me faktet që ajo ka parë në pamjet filmike.
Përfundimisht, ajo theksoi se ekspertiza e plote mbi gjuhën e gjakut në thikë është ende në pritje dhe se hetimet vazhdojnë./ S,M