Një virus i ri që po qarkullon në Kinë, ka rritur ndjeshëm frikën tek qytetarët. Por në fakt metapneumovirusi është zbuluar prej dekadash, ka qarkulluar edhe në Shqipëri dhe me gjasë e kemi prezent dhe në këtë sezon.
“Ka shumë vite që qarkullon, nuk përjashtohet mundësia, madje është e pamunudur të mos ketë ardhur në vendin tonë, sepse në studime e shumta tregon që ky virus është ne 8-15% të të gjithë virozave të stinës. E veçanta është se mund të ketë një ndryshim të vogël të strukturës i cili po studiohet”, thotë Dritan Ulqinaku, epidemiolog, ISHP.
Infektimi me metapneumovirusin, apo HPMV, shfaqet me shenjat e një rrufe të zakonshme.
“Në 95% të rasteve ka rrjedhje hundësh, temperaturë subfebrile, dhimbje koke, dhe në 5 % transmetohet në rrugët e poshtme që mund të kemi prekje të bronkeve dhe pneumoni”, shprehet Ulqinaku.
Epidemiologu, thotë se nuk ka aspak vend për panik, por si çdo virus tjetër stinor, duhet pasur kujdes tek disa kategori me risk.
“Ky virus prek kryesisht rrugët e sipërme të frymëmarrjes, është shumë i shprehur në moshën nën 5 vjeç, por kryesisht është pak më i rrezikshëm te mosha deri në 1 vjeç. Kujdes duhet të kenë moshat mbi 65 vjeç dhe ato që kanë probleme me imunitetin”, thotë epidemiologu.
Sa i takon rasteve me viroza të stinës dhe grip që kanë kërkuar ndihmë pranë mjeku tashmë janë mbi 12 mijë persona në javë, pacientët janë në shumicën e rasteve fëmijë deri në 5 vjeç./ S,M